Brunei bojkotohet nga kompanitë e huaja për shkak të ligjit kundër homoseksualëve

  • 05 April 2019 - 18:27
Brunei bojkotohet nga kompanitë e huaja për shkak të ligjit kundër homoseksualëve

Një agjenci udhëtimesh me bazë në Zvicër i është bashkuar shumë kompanive tjera që kanë vendosur ta bojkotojnë Mbretërinë e Bruneit pasi ky shtet miratoi ligje të reja, në bazë të të cilave kryerja e marrëdhënieve intime me personat e gjinisë së njëjtë është e dënueshme me vdekje.

Përpos kësaj kompanie, edhe gazeta “Financial Times” ka njoftuar se do t’i anulojë disa ngjarje që kanë qenë të planifikuara të zhvillohen në një hotel që është në pronësi të mbretit të Bruneit.

Banka gjermane “Deutsche Bank” ka njoftuar se punëtorët e saj nuk do t’i përdorin hotelet që janë në pronësi të mbretit të Bruneit. “Ligjet e reja të Bruneit i shkelin të drejtat themelore të njeriut dhe besojmë që e kemi për detyrë të ndërmarrim masa kundër tyre”, tha shefi i investimeve, Stuart Lewis.

“Ne i mbështesim me krenari të drejtat e komunitetit LGBT në mbarë botën dhe si pjesë e kësaj, ne i rishqyrtojmë vazhdimisht marrëdhëniet tona tregtare në mënyrë që ato të jenë në të njëjtën vijë me këtë parim”, tha ai.

Brunei është një shtet i vogël në pjesën juglindore të Azisë. Ky vend i solli në shqyrtim për herë të parë ligjet kundër homoseksualëve në vitin 2014, ndërsa ato hynë në fuqi më 3 prill, shkruan “CNN”.

(Kosova Sot)