Ibrahim Kelmendi zbulon detajet e pathëna: Ja sa miliona marka përfunduan në xhepat e vëllait të Hashim Thaçit

  • 07 April 2019 - 15:18
Ibrahim Kelmendi zbulon detajet e pathëna: Ja sa miliona marka përfunduan në xhepat e vëllait të Hashim Thaçit

Gjatë ditës së sotme, përmes një postimi, Zëvendësministri i Arsimit, Muhamet Kelmendi, i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit ta ndjekë penalisht Hashim Thaçin për fondet e luftës.

Kelmendi ka përmendur edhe 5 milionë dollarë, që sipas tij, i kishte marrë një familjar i Presidentit në vitin 1999.

“Vetëm në vitin 1999 iu dhanë nga Fondi “Vendlindja Thërret” 5 milionë dollarë vëllaut të z.Thaçi. Ato i dha në Lubljane Mark Bardhi. Faktet flasin se z.Thaçi dhe thaçat tjerë të pozitës e të opozitës janë njerëz të dyshimtë dhe të cilët duhet të ndiqen dhe të hetohen penalisht”, ka thënë Muhamet Kelmendi.

E ditë më parë, Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryeministrit, Bujar Bukoshi, deputetit të LDK-së, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi në lidhje me dyshimet për keqpërdorim me Fondin 3 për qind.

Por kush duhet te hetohet dhe kush duhet të jap përgjegjësi për paratë e këtyre dy fondeve dhe ku kanë mbetur ato para?

Lidhur me këtë, gazeta “Kosova Sot”, ka folur me Ibrahim Kelmendin, ish udhëheqës i Levizjes Popullore të Koosvës.

Ai thotë se për fondin e 3 për qindëshit duhet të japë përgjegjësi, siç e quan ai ‘psudo qeveri’ që e ka menaxhuar.

“Rëndom kemi dy lloj përgjuesish: etike (morale) dhe juridike. Nëse kërkohet përgjegjësi etike, atëherë duhet të japim llogari të gjithë ne që ishim të ngarkuar me menaxhim të mjeteve të këtyre fondeve, edhe pse “fondi i qeverisë” ishte fond (psudo)shtetëror, ndërsa Fondi “vendlindja thërret” ishte fond i një organizate – Lëvizjes. Rëndom, kush e ka menaxhuar “fondin e qeverisë” do të duhej të japin llogari para Kuvendit që ka zgjedh atë (psudo)qeveri”, ka thënë Kelmendi.

Kurse, për fondin “Vendlindja thërret”, Kelmendi thotë se ishte i legalizuar në kuadër të Bashkësisë Demokratike të Shqiptarëve në Gjermani.

“Fondi “Vendlindja thërret” është dashtë të paraqes raport vetëm në organizatë. Normat morale nuk janë detyruese, janë marrëveshje kolektive... Ky do të ishte aspekti moral për këtë tematikë. Aspektin juridik duhet ta shqyrtojnë juristët. Por, meqë unë jam pjesë e “problemit”, po shpreh mendimin. Fonti “vendlindja thërret” në Gjermani, në aspektin juridik ishte i legalizuar në kuadër të Bashkësisë Demokratike të Shqiptarëve në Gjermani (akronimi në gjermanisht DVAD), e cila ishte e regjistruar në gjykatën kompetente në qytetin Siegburg (me kryetar Isla Elshanin). Nga organet e Lëvizjes jam zgjedh edhe unë si bashkë-menaxhues i këtij Fondi. Në pjesën më të madhe të kohës Fondi ynë kishte statusin e bamirësisë, siç e përcaktojnë ligjet përkatëse në Gjermani. Që do të thotë se individët dhe bizneset kishin të drejtë të ndihmonin dhe ato ndihmime t’i deklaronin para institucioneve tatimore si “dalje për bamirësi” dhe ato merreshin parasysh në ulje të tatimit në pagë e në fitime të bizneseve”, ka thënë Kelmendi.

Sipas tij, institucionet e Kosovës nuk kanë të drejtë juridike të hetojnë këtë veprimtari të ndodhur në Gjermani, të një fondi që në aspektin juridik ishte shoqatë gjermane.

“Dy-tre ditë pas përfundimit të Luftës në Kosovë, Endi Federativ për Kriminalistikë (Bundeskriminalamt) urdhëroi bastisjen e të gjitha zyrave të Fondit dhe banesave të veprimtarëve të autorizuar për grumbullim të ndihmave. Hetimet i ka bërë Prokuroria Federative e Gjermanisë. Dyshimi kryesor: financimi i veprimtarive kriminale dhe kepërdorimet gjatë deklarimeve për tatime. Me këtë rast janë bastis e konfiskuar të gjitha mjetet financiare, ato që ishin në gjendje në xhirollogari bankare të DVAD-së, në zyra, në banesat e veprimtarëve të Fondit. Ato mjete i janë dhënë Ministrisë Federative të Financave. Ndoshta e paraqita kuptueshëm, se të vetmet institucione kompetente, që kishin të drejtë ligjore për ta kontrolluar e hetuar Fondin “vendlindja thërret” në Gjermani, kanë hetuar dhe në pamundësi për të gjetur prova, e kanë mbyll hetimin. Kanë konstatuar se vetëm statusi i bamirësisë është shpërdor, për të paguar më pak tatime, prandaj mjetet e konfiskuara financiare (mbi dy milionë DM) nuk i janë kthyer DVAD-së. Nga kjo del se institucionet e Kosovës nuk kanë të drejtë juridike të hetojnë këtë veprimtari të ndodhur në Gjermani, të një fondi që në aspektin juridik ishte shoqatë gjermane. Megjithatë, unë jam i gatshëm të bashkëpunoj me institucione të Kosovës, nëse mund ta hetojnë e gjykojnë edhe atë veprimtari tonën në emigracion”, shprehet Kelmendi për gazetën “Kosova Sot”.

Më tej, ai thotë se në hetime duhet përfshihet edhe hetimi për ndihmat patriotike që Shteti i Shqipërisë ia ka dhënë Organizatës Nacional-Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi.

“Nëse kam kuptuar, prokuroria ka qenë në gjendje të ngrit aktakuzë nda “kryeministrit” Bujar Bukoshi me bashkëveprimtarë, për shpërdorime që kanë ndodhur brenda Kosovës. Të njëjtat institucione nuk kanë të drejtë juridike të hetojnë as veprimtarinë e “dardania bank” në Tiranë, meqë ajo ishte pjesë e sistemit të atij Shteti. Varianti më praktik do të kishte qenë, Kuvendi të formon një strukturë që do të hetonte veprimtarinë e këtyre fondeve, që të kenë të dhëna sa më konkrete dhe pastaj të shihet, kush mund të hetohet edhe juridikisht, për shpërdorime e përvetësimeve të mjeteve. Ndoshta në këto hetime do të duhej të përfshihej edhe hetimi për ndihmat patriotike që Shteti i Shqipërisë ia ka dhënë Organizatës Nacional-Çlirimtare të Kosovës dhe Viseve Shqiptare në Jugosllavi, në fillim të vetëve të 80-ta, duke ia dorëzuar udhëheqësit Sabri Novosella, atëherë me qëndrim në Turqi, por që nga ato miliona dollarë ndihma Sabriu për veprimtari të organizatës i ka dhënë vetëm 10 mijë USD, të tjerat i ka përvetësuar...”, vijon më tej Kelmendi.

Ai thotë se 4 milionë marka kanë në kthetrat e Gani Thaçit, vëllai të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

“Unë vazhdoj ta vuaj fajin, përse pak ditë para përfundimit të Luftës, i kam dëgjuar Jashar Salihun dhe të tjerë, që në Lubjanë, gjoja UÇK-së, t’ia dërgoi 4 (katër) milionë DM, dhe ato kanë përfunduar në kthetrat e Gani Thaçit (vëllait të Hashimit); korrier për t’i dërguar ato 4 milionë, nga Bonn në Ljubljanë, kanë qenë Mark Bardhaj, nga Peja, me banim në Bochum, dhe Vesel Bacaj, nga Peja, me banim në Euskirchen. Njëjtë e vuaj fajin që edhe 4 (katër) milionë DM ia janë dorëzuar, njëkohësisht, në Austri, Fatmir Zymerit, me banim në Osllo të Suedisë; korrier për bartje e atyre markave ishte Ibrahim Iberdemaj, nga Nabergjani i Pejës, me banim në Nyrnberg. Ato 8 (tetë) milionë nuk i janë dorëzuar asnjëherë UÇK-së dhe nuk janë shpenzuar për nevoja të saj! Edhe për ta vuajt atë faj, do t’i dëshiroja hetimet dhe gjykimet!”, ka përfunduar për gazetën “Kosova Sot”, Ibrahim Kelmendi, ish udhëheqës i Lëvizjes Popullore të Kosovës.

(Kosova Sot)