Opozita turke ankohet se Bordi i Zgjedhjeve po i rrezikon kutitë e votimit

  • 08 April 2019 - 11:47
Opozita turke ankohet se Bordi i Zgjedhjeve po i rrezikon kutitë e votimit

Kryetari i partisë kryesore opozitare në Turqi, Kemal Kilicdaroglu, ka thënë të hënën se Bordi i Lartë i Zgjedhjeve, i cili ka vendosur t’i rinumërojë pjesërisht votat e zgjedhjeve në Stamboll, e ka nisur një proces që e dëmton sigurinë e kutive të votimit.

Partia e udhëhequr nga presidenti Erdogan, AKP, ka kërkuar të dielën që të rinumërohen të gjitha votat në Stamboll pasi kandidati i tyre humbi me rezultat të ngushtë më 31 mars.

Rinumërimi i disa votave në lagje të caktuara dhe rinumërimi i plotë i tyre në disa lagje tjera e kanë ngushtuar rezultatin mes dy kandidatëve kryesorë, por nuk kanë ndikuar që të ndërrojë radhitja e tyre.

Kryetari i partisë kryesore opozitare shtoi se anëtarët e Bordit të Zgjedhjeve duhet të jenë jopartiakë dhe se rinumërimi i plotë i votave duhet të mbështetet në një justifikim të arsyeshëm.

Kilicdaroglu tha se tash që janë rinumëruar 92.3 përqind e votave në Stamboll, kandidati i partisë së tij, Ekrem Imamoglu, është në epërsi prej 15 mijë e 722 votash. Përndryshe, qyteti i Stambollit i ka rreth 15 milionë banorë, shkruan “Reuters”

(Kosova Sot)