Gjykatat dhe prokuroritë, treg i matrapazëve të ligjit

  • 10 April 2019 - 07:46
Gjykatat dhe prokuroritë, treg i matrapazëve të ligjit

Gjini: Prokurorët hezitojnë që në aktakuza të shtojnë edhe elementin esencial, të kërkojnë edhe dënime plotësuese, si mosushtrimi i aktivitetit të marrëdhënies së punës për një kohe relativisht të gjatë

“Drejtësia dhe prokurorët e gjyqtarët shesin, trafikojnë dhe matrapazojnë me ligjin, sepse e kanë mbështetjen dhe lejen prej pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv, në këmbim të mbrojtjes dhe të avokatisë e shërbimit që drejtësia i bën korrupsionit dhe hajdutërisë së politikës dhe të pushtetit. Kjo është simbioza politiko-juridike, bashkëjetesa korruptivo-kriminale e tyre, e pasfidueshme dhe e pandëshkueshme nga ligji”, thotë analisti Skënder Kapiti për “Kosova Sot”

Prokurorët dhe gjyqtarët kosovarë sillen sikur janë mbi ligjin dhe duke pasur përkrahjen e pushtetarëve, nuk lodhen të punojnë për çka paguhen, pra për sundim të ligjit, për respektim të ligjeve dhe Kushtetutës. Me veprimet e tyre ata kanë dëshmuar dhe vazhdojnë të na bindin se janë duke punuar vetëm për atë se çka i porosisin pushtetarët e inkriminuar dhe i paguan nëntoka kriminale.

Analistët vlerësojnë se mosndëshkimi i këtyre zyrtarëve që ndajnë drejtësi, është tregues i kapjes së sistemit dhe pafuqisë për të vendosur sundimin e ligjit. Ata pyesin se pse nuk ndëshkohen prokurorët dhe gjyqtarët që shesin lëndë e trafikojnë raste, dëmtojnë qytetarë e biznese të ndershme, nën regjinë dhe porositë e pushtetarëve të inkriminuar dhe nëntokës kriminale të mafio-oligarkëve. Edhe pse ligjet janë të rrepta, moszbatimi i qëllimshëm i tyre po e amniston krimin dhe korrupsionin, duke e lënë Kosovën, një vrimë të zezë në Ballkan dhe në fund të listës në raportet e organizatave prestigjioze për rangimin e vendeve të korruptuara.

Image
Skender Kapiti

Kapiti: Politikanët dhe gjyqtarët, keqbërësit më të mëdhenj
Analisti Skënder Kapiti thekson për gazetën “Kosova Sot”, se politikanët dhe gjyqtarët e prokurorët janë keqbërësit më të mëdhenj publikë dhe kombëtarë sot, si në Shqipëri dhe Kosovë.

“Gjithçka e keqe sot, si: korrupsioni, krimi i organizuar, padrejtësitë dhe dëmet e mëdha shoqërore ,ekonomike,politike kanë autorësinë dhe përgjegjësinë e tyre. Dështimi në demokraci dhe dështimi në luftën kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit, moszhvillimi dhe mosintegrimi i vendit kanë vulën e faturimit të tyre, të politikës dhe të drejtësisë aktuale në Kosovë. Dhe, me këtë gjendje as nuk pritet që prej kësaj klase politike dhe prej këtij sistemi drejtësie do të ketë përmirësim dhe ndryshim. Por, sa më gjatë të vazhdojë ta sundojë drejtësinë, shtetin dhe shoqërinë krimi i organizuar dhe hajnia e korrupsioni politik aq më i fortë do të bëhet pushteti i oligarko-mafisë dhe aq më me shumë vështirësi do të çmontohej më pastaj ky sistem”, vlerësoi Kapiti.

Sipas tij, gjithçka e keqe që ndodh sot në Kosovë dhe që e pëson shoqëria kosovare, këto u vijnë prej kësaj elite politike të kriminalizuar e të korruptuar, vegël dhe në shërbim të së cilës është edhe drejtësia politike. “Drejtësia dhe prokurorët e gjyqtarët shesin, trafikojnë dhe matrapazojnë me ligjin, sepse e kanë mbështetjen dhe lejen prej pushtetit legjislativ dhe atij ekzekutiv në këmbim të mbrojtjes dhe të avokatisë e shërbimit që drejtësia i bën korrupsionit dhe hajdutërisë së politikës dhe të pushtetit. Kjo është simbioza politiko-juridike, bashkëjetesa korruptivo-kriminale e tyre, e pasfidueshme dhe e pandëshkueshme nga ligji”, ka thënë më tutje analisti Skënder Kapiti.

 Mungon vullneti për ta luftuar kriminalitetin

Avokati Gent Gjini shprehet se sistemi i sotëm i drejtësisë është njëri prej pushteteve që në aspektin e pagave dhe kushteve, sot ata gjyqtarë dhe prokurorë dhe bartësit e institucioneve të tyre, duhej të kenë vullnet për të punuar, përkatësisht të mos mungojë vullneti tyre ligjor për luftimin e kriminalitetit, si të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Fatkeqësisht, vullneti i tillë, lë shumë për t’u dëshiruar, që parimi i sundimit të ligjit ende mbetet sfidë, që ajo të gjejë vendin e vet në shoqëri dhe të krijohet perceptimi i qytetarit, se kemi gjyqtarë dhe prokurorë të guximshëm e të pavarur, në punën e tyre”, thotë ai.

“Në punën time si avokat, gjëra të tilla të seleksionimit të drejtësisë, përkatësisht të vepruar në “dy standardet” gjithmonë në raportet, ndërmjet të dobëtit dhe të fortit, kam parë se drejtësia vepron krah të të fortët, kjo nga ai fakti se edhe përkundër aktakuzave, aktgjykimeve të plotfuqishme të dënueshme, kategoria e njerëzve të fortë ata asnjëherë nuk janë larguar nga vendi i punës së tyre, aq më tepër kur kjo kastë e njerëzve të tillë-të fortët, ndërkohë mbajnë edhe poste politike të larta në vend si përfaqësues të popullit”, tregon Gjini për gazetën “Kosova Sot”. Sipas tij, ky mosndëshkim, inkurajon krimin dhe korrupsionin.

Image
Gent Gjini

Gjini: Zyrtarët e lartë, gjithnjë të privilegjuar

“Po ashtu, sfidë tjetër, për jurisprudencën e vendimeve të prokurorit (aktakuzë) dhe gjyqësorit (aktgjykimet) gjithmonë, kur janë proceduar hetimet për profile të larta politike dhe publike, për veprime të tyre kundërligjore që i kanë kryer nga pozitat publike të posteve të tyre zyrtare, sot prokurorët hezitojnë që në aktakuzat, dhe po ashtu edhe në aktgjykimet dënuese, qesharake të gjyqësorit si dënime (pasurore- apo dënimet me kusht) të shtojnë edhe elementin esencial,pra do të duhej të kërkonin që t’u shqiptohen edhe dënime plotësuese mbështetëse si (mosushtrimi i aktivitetit të asaj marrëdhënie të punës) për një kohe relativisht të gjatë, sepse mu për atë arsye, derisa kanë qenë në marrëdhënie të punës zyrtare, ata si rrjedhojë kanë konsumuar veprat penale, të shpërdorimeve të autorizimeve apo të tjerat.

Vetë fakti që ndaj këtyre zyrtarëve nuk po shqiptohet kjo masë e dënimit ata po i inkurajon që edhe me tutje të e shpërdorin detyrën zyrtare dhe të joshen nga korrupsioni, ndikimi, klani dhe të tjera, por këto për sistemin tonë të drejtësisë me këta prokurorë dhe gjyqtarë mbeten vetëm iluzion, e korrupsioni lulëzon dhe krimi avancohet”, tha avokati Gent Gjini për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)