“Kosova Sot”, gjithmonë në shërbim të qytetarit

  • 10 April 2019 - 08:24
“Kosova Sot”, gjithmonë në shërbim të qytetarit

Gazeta lidere i thotë të bardhës të bardhë dhe të zezës të zezë

Përfaqësues të jetës sportive, artistë dhe qytetarë të këtij vendi, theksuan se gazeta “Kosova Sot” kishte kryer besnikërisht misionin për informimin e drejtë nga lufta, duke raportuar për krimet serbe, prandaj zjarrvënia nga armiku nuk e dogji të vërtetën që u shpërnda gjithandej nëpër botë. Sipas tyre, “Kosova Sot” vazhdon edhe sot të jetë dritare e hapur e informimit të drejtë, në funksion të interesit qytetar, ashtu sikur që ishte dhe në kushtet e luftës, prandaj vazhdon të jetë gazeta më e preferuar dhe më e lexuar në tregun e medieve të shkruara në Kosovë

Halit Bajraktari, qytetar

Edhe pse nuk jam prishtinas, por vij nga Suhareka, i mbaj mend kujtimet më të mira për këtë dritare të informimit, që ishte shumë aktive në kushte lufte, kishte vështirësi për ta gjetur dhe lexuar shtypin e asaj kohe, edhe gazetën “Kosova Sot”, por megjithatë aq sa kemi arritur e kemi përcjell, sepse kishte një raportim gjithëpërfshirës për të gjitha zonat e luftës, prandaj edhe unë mendoj që kjo ishte arsyeja pse u bë halë në sy dhe e pengonte okupatorin serb.

Dënimi material ka qenë me siguri paralajmërim për masat tjera që ndodhën dhe nuk ishte rastësi aksioni që të shkatërrohej dhe digjej gjithçka që kishte vlerë për vazhdimin e botimit të kësaj gazete. Pra, jo rastësisht u dogj shtypshkronja, duke menduar se me atë do të digjej edhe e vërteta e krimeve që po bënte regjimi serb.

Mirëpo, gazeta “Kosova Sot” e kishte kryer besnikërisht misionin për informimin e drejtë nga lufta dhe krimet serbe, prandaj zjarrvënia nga armiku nuk e dogji të vërtetën që u shpërnda gjithandej nëpër botë.“Kosova Sot” vazhdon edhe sot të jetë dritare e hapur e informimit të drejtë, në funksion të interesit qytetar, ashtu sikur që ishte dhe në kushtet e luftës, prandaj vazhdon të jetë gazeta më e preferuar dhe më e lexuar në tregun e medieve të shkruara në Kosovë. Me të drejtë mund të them se pas shkatërrimit me themel u ngrit si një feniks, për të mos pushuar edhe në realitetin e ri të krijuar në Kosovë, në shtetndërtim, për informim të drejtë, gjithmonë në shërbim të qytetarit.

Informon pa asnjë censurë të vërtetën

Qemal Kamberi, qytetar

Edhe pse kanë kaluar 20 vjet nga ajo ditë, kur ka ndodhur sulmi ndaj caqeve serbe nga forcat e NATO-s, sikur sot më kujtohet lajmi që u shpërnda të nesërmen, se është djegur dhe shkatërruar nga paramilitarët serbë edhe gazeta “Kosova Sot”, shtypshkronja me të gjitha pajisjet e shtypit. Regjimi serb ishte i padurueshëm ndaj mjeteve të informimit shqip, prandaj e kishte filluar betejën e tij që në fillim të masave okupuese me uzurpimin e RTP-së dhe instalimin e shërbimit të vet, të informimit në radio dhe në TV. Mirëpo, ishin këto gazetat e pavarura, ku printe “Kosova Sot”, që informonin pa asnjë censurë të vërtetën në terren, prandaj armiqësia sa vinte e rritej mes regjimit dhe gazetës.

Sigurisht që kjo kulmoi me hakmarrjen që ndodhi më 24 mars kur sodateska serbe u hodh në aksion shkatërrues kundër gazetës, pasi që nuk kishte si t’i kundërvihej sulmit të forcave të NATO-s, një sulm që erdhi kundër forcave fashiste të Milosheviqit edhe falë kontributit të madh të informimit të drejtë të të gjitha medieve vendore e ndërkombëtare, e në mesin e të cilave, nga vendoret, dallohej për guximin dhe saktësinë gazeta “Kosova Sot”. U sulmua, pra, u dogj barbarisht, me qëllim që të mos ngjallet kurrë më një dritare informimi që lirisht mund të themi se kryente luftë speciale kundër armikut.

Mirëpo, kontributi i gazetës “Kosova Sot” në luftë u shpagua, duke i ringjallur përsëri në Kosovën e lirë, duke mos u lënë anash nga lexuesit besnikë, me të cilët vazhdon të bashkëjetojë “Kosova Sot” edhe në procesin e ndërtimit të shtetit, duke pasur qasje kritike ndaj të gjitha deformimeve që dëmtojnë interesin e qytetarit. Unë kam vetëm një porosi të vogël: Le të vazhdojë gazeta “Kosova Sot” kështu e pavarur nga politika, duke i thënë të bardhës e bardhë dhe të zezës e zezë, dhe lexuesit do të jenë krah besnik i kësaj gazete edhe për vite e dekada në vijim.

Gani Berisha, qytetar

Jam lexues i rregullt i shtypit ditor në Kosovë, sepse këtë traditë e vazhdoj që nga periudha e paraluftës, kur shtypin e kishim vazhdimisht në dorë, së bashku me kafenë e mëngjesit. Më ka mbetur kjo traditë që nga rinia. E kam vazhduar kështu sa kam arritur edhe në ditët e vështira të luftës.

Në atë kohë dallohej dhe printe në informim nga frontet dhe zonat e rrezikshme kryesisht gazeta “Kosova Sot”. Në njëfarë mënyre, edhe ne lexuesit e kohës befasoheshim se si kjo gazetë merrte guximin që të depërtojë aq thellë në zonat e rrezikshme të luftës, edhe atje ku ndodhnin masakrat serbe.

Mirëpo, kjo nuk zgjati aq shumë, sepse regjimi e ndali fillimisht, e ndëshkoi edhe financiarisht për t’ia pamundësuar vazhdimin e botimit. Kjo gjendje ishte luftë e hapur frontale e gazetës me regjimin kriminal, i cili nuk u ndal me aq, por ia vuri edhe zjarrin. Megjithatë, lexuesit iu rikthyen kësaj gazete besnikërisht në kohën e pasluftës, pasi edhe gazeta u rikthye tek ne. Unë mendoj se kjo gazetë po vazhdon me atë frymën e guximit të thellë të informimit të drejtë, duke qenë vazhdimisht opozitë, e cila denoncon dhe lufton dukuritë negative që e pengojnë zhvillimin dhe forcimin e shtetit.

Sportistët: Falë gazetës “Kosova Sot”, populli ka qenë i mobilizuar në luftë

Image
Afrim Tovërlani

Afrim Tovërlani, trajner

Muaji i bombardimeve ka qenë shpresa e fundit për ne kosovarët, se më në fund do të gjunjëzohet Milosheviqi me aparaturën e vet të rregullt e të parregullt. Fatkeqësisht pasuan shumë masakra dhe dëbime e shkatërrime nga forcat serbe, e në mesin e tyre edhe e gazetës “Kosova Sot”, por në fund triumfoi e drejta dhe ne u çliruam. Por, çka ka ndodhur 20 vite pas bombardimeve dhe çlirimit tonë është për të ardhur keq dhe dëshpëruese. Te ikin rinia nga Kosova, se nuk kanë vend pune, se nuk shohin një perspektivë në vendin e tyre është e tmerrshme. Fajin e ka politika dhe shkurtpamësit që e udhëheqin këtë vend që 20 vjet. Kjo është e tmerrshme dhe frikohem se një ditë do të na hakmerret.

Image
Emin Baliqi

Emin Baliqi, trajner futbolli

Koha e bombardimeve të NATO-s, por edhe sulmet që janë bërë në “Kosova Sot”, kujtohet edhe me momente gëzimi dhe sigurisht edhe frike, pasi nuk dinim se çfarë na pret. Gjithsesi, falë Zotit, ne e arritëm lirinë dhe ato kohëra nuk duhet harruar kurrë, derisa duhet falënderuar të gjithë, e në veçanti edhe gazetën tuaj, për kontributin e dhënë në ato kohëra shumë të vështira. Më vjen keq për dëmin e madh që i shkaktuan kësaj gazete, por falë këtij mediumi populli në atë kohë ka qenë shumë i organizuar dhe i mobilizuar për t’i rezistuar asaj kohe të vështirë.

Image
Valmir Bytyqi

Valmir Bytyqi, trajner i portierëve

kohën e fillimit të bombardimeve të NATO-s, kanë qenë ditët më të lumtura të jetës sime, pasi e kisha të qartë se liria e vendit tim është afruar. Ishte ndjejnë e veçantë, ndjejnë e çlirimit të tij populli shumë të vuajtur. Sigurisht që në atë kohë nga pak dritare informative ishte edhe gazeta “Kosova Sot”, e cila më shumë sakrificë na ofronte informacione, të cilat na ndihmuan shumë për mobilizim dhe durim deri në çlirim. Sigurisht që kjo rezistencë e gazetës ka qenë pengesë për okupatorin dhe në shenjë hakmarrje e sulmoi gazetën, duke ua djegur shtypshkronjën, por fatmirësisht nuk arriti ta shuajë gazetën. 

Image
Manjolla Nallbani

Manjola Nallbani, këngëtare

Uroj që faqet e kësaj gazete të jenë të mbushura me sa më tepër lajme e informacione të vërteta e të vlefshme, për qytetarët, në veçanti ato nga kultura, pa harruar edhe informacionet që janë në shërbim të jetës së tyre të përditshme.

Image
Shqipe Abazi

 

 

 

 

 

 

 

Shqipe Abazi, këngëtare

“Kosova Sot” ka qenë, është dhe do të mbetet dritare e informimit të drejtë, e pasuruar me rubrika që janë me interes për publikun e gjerë, veçanërisht atë të artit dhe të kulturës në përgjithësi.

 

 

 

 

 

 

Image
Naser Berisha

Naser Berisha, këngëtar

Sikur të kishte më shumë gazeta të tilla, siç është “Kosova Sot”, ndoshta së paku gjendja në kulturë do të ishte shumë më mirë, pikërisht për shkak të përkrahjes së artistëve të mirëfilltë. E di se kjo gazetë ka filluar punën në një kohë shumë të vështirë dhe po ashtu e di se gjatë luftës objekti i kësaj gazete është djegur e shkatërruar nga forcat serbe, po ju përsëri keni vazhduar të punoni dhe t'i mbuloni aktivitetet në të gjitha sferat e jetës. Ju përgëzoj për këtë ditëlindje të dy dekadave dhe ju dëshiroj juve dhe lexuesve të juaj, edhe shumë e shumë dekada të tjera.

(Kosova Sot)