Profesori ndërkombëtar shpërthen me akuza të rënda për Thaçin dhe Pacollin: Kështu janë bërë milionerë

  • 10 April 2019 - 18:14
Profesori ndërkombëtar shpërthen me akuza të rënda për Thaçin dhe Pacollin: Kështu janë bërë milionerë

“Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli shkroi një op-ed se pse Kosova duhet të integrohet në BE dhe se si kosovarët janë të rinj dhe të shkathët. Është shumë e vërtetë që ju keni popullatën më të re në Evropë. Por unë kam një pyetje për ju Z. Pacolli, çfarë keni bërë ju për vendin tuaj gjatë dy dekadave të kaluara që keni qenë në pushtet? Ju keni ndërtuar hotele dhe keni fituar tendera publike, ndërsa sot 20 vjet pas luftës, qindra mijëra po largohen nga Kosova, sepse ju dhe udhëheqësit e tjerë dështuat, korruptuat deri në eshtra!”.

Kështu ka shkruar gjatë ditës së sotme, profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir.

E për Pacollin, për gazetën “Kosova Sot”, ka folur edhe profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

Ai thotë se profesori, Alon Ben-Meir i ka dhënë opinionit publik shqiptar esencën e dështimit politik të Pacollit dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Image
Enver Bytyçi

“Ekspertët amerikanë dhe perëndimorë gjithnjë përdorin të dhëna dhe metodologji bashkëkohore për analizën e ngjarjeve, rrjedhave dhe personazheve në një periudhë të caktuar. Kësisoj studiuesi dhe profesori i Universitetit të Nju Jorkut, Alon Bem Meir, kësaj radhe i ka dhënë opinionit publik shqiptar esencën e dështimit politik të Pacollit dhe bashkëpunëtorëve të tij në qeverisjen e Kosovës në këto dy dekada. Pyetja që shtronzoti Meir për zotin Pacolli është thelbësore: “Çfarë keni bërë ju për vendin tuaj gjatë dy dekadave të kaluara që keni qenë në pushtet”?! Dhe më pas eksperti amerikan jep vetë përgjigjen për këtë: “Ju keni ndërtuar hotele dhe keni fituar tendera publikë, ndërsa sot 20 vjet pas luftës, qindra mijëra largohen nga Kosova, sepse ju dhe udhëheqësit e tjerë dështuat u korruptuat deri në eshtra”!”, shprehet Bytyçi për “Kosova Sot”.

Sipas tij, Pacolli e Thaçi, të ndihmuar nga miku i tyre, Edi Rama, e bënë territorin plaçkë tregu.

“Begjet Pacolli erdhi në skenën politike të Kosovës si deputet në vitin 2007, pasi kishte krijuar partinë e tij politike “Aleanca për ardhmërinë e Kosovës”! Kanë kaluar 12 vjet që kur ai është kyç në elitën politike të vendit, por as Pacolli, as “demokrati” Thaçi, as të tjerët nuk u kujdesën për të sotmen e ardhmërinë e Kosovës. U kujdesën për veten e tyre dhe e kthyen Kosovën në ditë të vështira për të, duke e dobësuar në maksimum atë, për ta bërë ushqim për Serbinë dhe Beogradin. Në fakt ia kanë arritur kësaj: Kosova është bërë tashmë pre e çakejve të Beogradit, jo vetëm në kuptimin e dështimit të saj ekonomik, apo në kuptimin e përkeqësimit të situatës sociale në vend. Pacolli e Thaçi, të ndihmuar nga miku i tyre, Edi Rama, e bënë territorin plaçkë tregu”, deklaron profesor Bytyçi për “Kosova Sot”.

Më tej, ai është shprehur se Pacolli bashkë me Thaçin i grabitën Kosovës pasuri të mëdha duke u bërë milionerë.

“Këta dhe të tjerë që i përdorën si ndihmesa të tyre rikthyen kohët e para luftës, rikthyen idenë e diskutimit sërishmi të statusit politik të vendit, duke shkuar shumë më larg se para luftës, deri te diskutimi për ndarjen e territorit! Pacolli, me ndihmën e shefit të tij, Thaçit e bashkë me Thaçin i grabitën Kosovës pasuri të mëdha, u bënë milionerë, duke manipuluar e vjedhur taksat e qytetarëve të Kosovës të cilët tashmë janë në radhë për t’u larguar nga ajo tokë, të cilën e lanë më gjak! Imagjinoni çfarë kataklizme sollën ky soj politikani! Në vitin 1999 mijëra emigrant u rikthyen në Kosovë, ndërtuan dhe riparian shtëpitë e tyre me qëllim që të jetonin përgjithmonë në vendlindje. Por këtë ëndërr ua preu në mes soji i Behgjet Pacollit dhe Hashim Thaçit. Tani pas 20 vitesh që këta e sunduan me dhunë, më mashtrime, me hile dhe intriga shtetin më të ri në Europë, shqiptarët pakësohen çdo ditë, sepse janë të detyruar të ikin në drejtim të Perëndimit. Një statistikë thoshte se 38 mijë janë pajisur me viza vitin e kaluar e kanë shkuar në Gjermani. Një numër kaq i madh nuk kishte emigruar kur Kosova kishte institucione paralele në vend, kur kishte një president si Rugova, pa ushtri, pa polici, pa siguri, pa buxhet e pa institucione funksionale, sepse vendi ishte i pushtuar nga Serbia e Milosheviçit”.

Bytyçi ka treguar edhe arsyen se pse ish presidenti, Ibrahim Rugova i ka mbajtur larg Thaçin e Pacollin.

“Nuk ndodhi kjo situatë në kohën e Rugovës, sepse Behgjeti dhe soji i tij asokohe nuk guxonin të kthenin kokën nga Kosova për t’u marrë me punët e saj. Ibrahim Rugova e pati njohur shumë mirë për antivlerat që mbartnin edhe Pacollin, edhe Thaçin. Prandaj nuk i afroi, nuk ua dha mundësinë sa ishte gjallë që t’i afroheshin as institucioneve të shtetit! Të dy këta u bashkuan pas ikjes së Rugovës në amshim! U afruan për të shirë lamën e Kosovës, për ta vjedh atë, për ta denigruar personalitetin e saj, për të mos ndërtuar kurrë një demokraci të mirëfilltë, për të grabit përmes tenderave publikë, për t’u pasuruar me taksat e kosovarëve dhe më në fund për ta nxjerr në Pazar territorin e Kosovës! Në nëntor 2007, kur Pacolli dukej se do të hynte në parlament, gjendesha në Prishtinë dhe shkrova një koment me të cilin dhashë alarmin se si është e mundur t’i jepej akses Behgjet Pacollit të hynte në skenën politike të Kosovës! U faqos nga Bajrush Morina ai koment, por nuk u botua. U hoq në momentin e shkuarjes së gazetës në shtyp. Unë kam qenë dhe jam bashkëpunëtor i kësaj gazete! E respektoj linjën editoriale të saj! E kam mirëkuptuar edhe këtë sjellje të asaj kohe, sepse Pacolli dërgonte reklama në gazetë! Por jam mësuar që të keqes të mos i bëj temena, sa kohë që e njoh të keqen! E përenda këtë fakt për të provuar se për mua Behgjet Pacolli ka qenë që në fillimet e karrierës së tij politike ky politikani siç e përshkruan profesori Alen Ben Meir!”, ka përfunduar për gazetën “Kosova Sot”, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

(Kosova Sot)