“Paratë se ju vramë”, si u grabit banesa e tregtarit në mes të ditës. Gruaja: Menduam se ishte shaka, ata…

  • 11 April 2019 - 10:47
“Paratë se ju vramë”, si u grabit banesa e tregtarit në mes të ditës. Gruaja: Menduam se ishte shaka, ata…

Vetëm në ditët e fundit, dy banesa janë grabitur nga maskat gjatë ditës në Fushë-Krujë.

Teksa një banesë u bastis nga hajdutët në Nikël duke marrë gjithçka të mundnin, mesditën e djeshme maskat u futën në shtëpinë e një tregtari në Fushë-Krujë.

Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë lagjen “Punëtori”, e njohur ndryshe si zona e ish-SMTsë. “Banesa e tregtarit Isuf Çela u grabit në lagjen ‘Punëtori’ nga persona ende të paidentifikuar”, thanë burime nga Policia. Një prej tyre, sipas Policisë, u fut në shtëpi dhe nën kërcënimin e armës ka arritur të marrë një sasi parash.

Pas grabitjes ata janë larguar me shpejtësi, ndërsa anëtarët e familjes Çela që kanë një biznes të rregullimit të elektroshtëpiakeve kanë njoftuar Policinë. Mësohet se në momentin e grabitjes, në shtëpi ndodhej bashkëshortja e tregtarit dhe një e afërme e tyre, të cilat nuk kanë bërë rezistencë. Ato janë shtangur dhe u janë bindur urdhrave të autorit të maskuar, që i kërcënonte me armën e zjarrit që mbante në dorë. Ai ka kërkuar vendin ku familja mbante kursimet. Bashkëshortja e Isufit nuk ka nguruar t’ia tregojë, nga frika se do ta vriste nëse bënte ndonjë veprim të gabuar.

“U habitëm kur konstatuam se brenda në shtëpi ishte një person i maskuar dhe me armë. Fillimisht menduam se ishte ndonjë shaka e të afërmve tanë, por më pas vërtetuam se nuk ishte shaka. Ai kërkoi paratë dhe na kërkoi të bashkëpunonim, pasi në të kundërt do të na qëllonte. ‘Më trego ku i keni paratë, shpejt, shpejt se ju vrava’, tha.

Ne u trembëm dhe ia tregova ku ndodheshin kursimet e familjes. Pasi mori paratë u largua, ndërkohë që përjashta e priste një makinë. Nuk na dhunoi, por jam shumë e tronditur”, ka deklaruar bashkëshortja e Isuf Çelës për hetuesit e Policisë. Një grup hetimor mblodhi prova në vendngjarje, ndërsa thotë se po punohet për identifikimin e autorëve. Burime thanë për gazetën se Policia ka rënë në gjurmët e autorëve dhe po punohet për arrestimin e tyre.

Ata kishin braktisur makinën që përdorën për grabitje dhe hetuesit tashmë po mbledhin prova për të identifikuar autorët nëpërmjet shenjave të gishtërinjve, që kishin lënë në pjesët e brendshme dhe te dera e mjetit. Kjo është grabitja e dytë në rrethin e Krujës në harkun e 48 orëve. Grabitja e djeshme erdhi vetëm një ditë pas zbulimit të një tjetër rasti grabitjeje në Nikël të Krujës dhe vetëm pak orë pas një shpërthimi në periferi të qytetit.

(Kosova Sot)