Simptomat e autizmit mund të zvogëlohen deri në 50% te fëmijët që marrin 'transplantim të fekaleve'

  • 11 April 2019 - 15:54
Simptomat e autizmit mund të zvogëlohen deri në 50% te fëmijët që marrin 'transplantim të fekaleve'

Sipas një studimi të ri, 'transplantimi i fekaleve' zbeh në mënyrë drastike simptomat e autizmit. Simptomat gati ishin përgjysmuar te 18 fëmijë që ishin trajtuar me këtë metodë, që në mjekësi njihet me emrin terapia e transferimit mikrobiotik. Studimi bazohet te teoria se shkaktari i autizmit mund të gjendet në zorrë, e jo në tru. 

Bakteret gjenden në zorrët tona

Dy vjet pas transplantimit, fëmijët kanë përjetuar një përmirësim prej rreth 45% të vështirësive në të folur, ndërveprim shoqëror dhe sjellje. Dr. Rosa Krajmalnik-Brown, mikrobiologe nga Universiteti shtetëror i Arizonës, e cila ka kryesuar studimin, thotë: 'Kemi gjetur një lidhje të fortë midis mikrobeve që jetojnë në zorrët tona dhe sinjaleve që udhëtojnë deri në tru. Dy vjet më pas, gjendja e fëmijëve është edhe më e mirë, gjë që është mahnitëse". Në fillim të studimit, 83% të pjesëmarrësve ishin vlerësuar se kishin autizëm 'të vështirë'. Në fund të studimit, kjo gjendje ishte gjetur vetëm te 17% e pjesëmarrësve. Studimet më të reja tregojnë se bakteret që gjenden në zorrët tona, apo 'microbioma', ndikojnë në komunikimin midis qelizave të trurit dhe në shëndetin e përgjithshëm neurologjik. 

Përmirësimi i sjelljes së fëmijëve

'Shumë fëmijë me autizëm kanë probleme gastrointestinale dhe, disa studime, duke përfshirë edhe studimin tonë, kanë gjetur se këta fëmijë kanë simptomat më të vështira të autizmit', thotë Dr. Krajmalnik-Brown. 'Në shumë raste, kur ka mundësi që të shërohen këto probleme gastrointestinale, vjen deri te përmirësimi edhe i sjelljes së fëmijëve'. Më shumë se 700,000 persona në Britani vuajnë nga autizmi, derisa në SHBA rreth 1 në çdo 59 fëmijë diagnostikohet me këtë sëmundje. Terapia e re përfshinë periudhën përgatitore, ku pacienti trajtohet me vancomycin, që i pastron zorrët, më pas i jepet anulues i acidit të lukthit dhe transplantime të fekaleve për shtatë deri tetë javë. Dr. Krajmalnik-Brown thotë se fëmijëve me autizëm iu mungojnë shumë baktere të dobishme. Para se ky trajtim të miratohet për përdorim të gjerë, duhen bërë studime me numër më të madh pjesëmarrësish.

(Kosova Sot)