Miliarderi i 'Twitter'-it ha vetëm një herë në ditë, agjëron gjatë fundjavës

  • 11 April 2019 - 15:59
Miliarderi i 'Twitter'-it  ha vetëm një herë në ditë, agjëron gjatë fundjavës

Shefi ekzekutiv i kompanisë "Twitter", Jack Dorsey, ka bërë me dije se e menaxhon stresin me anë të një diete të ashpër dhe një regjimi ushtrimesh, si dhe me anë të një stili të çuditshëm jetese, që përfshin orë të tëra të meditimit çdo ditë. Ky 42-vjeçar thotë se gjatë ditës e ha vetëm darkën, por gjatë fundjavës nuk ha fare. Më nuk bën dush të nxehtë dhe distancën nga shtëpia dhe puna e bën këmbë. Dorsey - pasuria neto e të cilit është 5.3 miliardë dollarë - thotë se rutina e tij bën që dita të duket më e gjatë dhe thotë se është në gjendje që të 'shkyçet', në mënyrë që të bëjë gjumë të rehatshëm çdo natë. Ky shef teknologjik, që është edhe bashkëthemelues i "Square"-s, shpesh publikon momente nga dita e tij në ueb sajtin e profilit 'microblogging'. Dorsey rëndom ha peshq, pulë, apo biftek me sallatë dhe, për desert, konsumon manaferra ose çokollatë të zezë. 

Konsumon multivitamina dhe shumë vitaminë C

Beqari i pasur, i cili thotë se, një ditë, dëshiron të krijojë familje, thotë se rrallëherë ia lejon vetes edhe verën e kuqe, por shton se, nëse pi tepër, kjo e pengon që të flejë rehat. Gjatë dy ditëve të fundjavës ai thotë se nuk ha fare, ku konsumon vetëm lëng së supës së mishit. Ai thotë se, kur kishte filluar ta praktikonte këtë dietë, në fillim i ishte dukur se kishte halucinacione, si pasojë e urisë. Por, më pas kishte arritur të kuptonte se sa kohë shpenzojnë njerëzit duke planifikuar dhe konsumuar shujtat. Sa iu përket suplementeve, ai thotë se konsumon multivitamina dhe shumë vitaminë C. Ai thotë se, falë kësaj diete, arrin që të zhytet në gjumë 10 minuta pasi bie në shtrat, apo edhe më herët. Ai ka në dispozicion këshillat e mjeshtërve më të aftë të ushtrimeve dhe, sipas këshillave të tyre, bën shtatë minuta ushtrime në ditë, duke përdorë aplikacionin "Seven". 'Nuk kam trajner personal dhe nuk shkoj në palestër', thotë ai. Ai thotë se në këtë drejtim i ndihmon edhe fakti se, çdo ditë, ecë 1 orë e 15 minuta deri te vendi i tij i punës, gjë që ia mundëson që të thithë më shumë vitaminë D nga rrezet e diellit. Të martave dhe të enjteve ai punon nga shtëpia. 

Ende mbetet i 'ngjitur' me celularin e tij

Dorsey ishte vegan për dy vjet, por kaloi te dieta 'paleo', pasi e ëma i tha se, si pasojë e konsumimit të tepërt të beta karotinës, kishte filluar të bëhej edhe vet i portokalltë. Dhe, kjo nuk është e tëra. "Asgjë nuk më ka dhënë më shumë vetëbesim mendor, sesa aftësia e kalimit nga temperatura e dhomës në të ftohtë", thotë Dorsey në lidhje me fillimin e ditës me banjë të akullt. Ai thotë se, kur futet në ujë të akullt, menjëherë pasi që del nga shtrati i ngrohtë, i duket sikur mund të bëjë çka të dojë me veten e tij. Gjatë tre vjetëve të fundit, ai e ka bërë këtë procedurë edhe më të vështirë, duke kaluar nga temperaturat e akullta në saunë, tri herë brenda ditës. Pranë tavolinës, ai mban një llambë me rreze infra të kuqe, që të vazhdojë rrezatimin edhe më pas. Dorsey ka postuar online rreth përfitimeve që i sjell meditimi Vipassana gjatë një izolimi 10 ditor, gjatë të cilave nuk shkruan, nuk lexon e as nuk përdorë asnjë pajisje. Ai mundohet që, gjatë këtyre ditëve, as të mos flasë, të mos ketë kontakt me sy me të tjerët. Ky entuziast i teknologjisë shpesh mediton me orë të tëra, nga ora 4.30 e mëngjesit, deri në orën 9 të mbrëmjes. Por, rëndom mediton dy orë në ditë. Megjithatë, bashkëthemeluesi i "Twitter"-it ende mbetet i 'ngjitur' me celularin e tij, duke e përdorë këtë pajisje si pjesë të teknikës së relaksimit. Ai nxjerr gjëra me rëndësi në aplikacionin "iPhone Notes" të cilat i studion më pas. 

(Kosova Sot)