Pushtetarët kosovarë po i jetësojnë planet e Qubrilloviqit

  • 12 April 2019 - 07:45
Pushtetarët kosovarë po i jetësojnë planet e Qubrilloviqit

Salihu: Brenda ditës aplikojnë 300- 400 veta për viza pune për të shkuar jashtë

“Një popull nuk vdes kurrë as nga robëria dhe as nga frika, por një popull vdes kur t’i humbë shpresat në vetveten, respektivisht kur i humb shpresat tek udhëheqësit e vet. Dhe, këtu unë kam frikë që me këtë trend të ikjes do të realizohen planet e Vasa Qubrilloviqit, nëse këta që janë në pushtet vazhdojnë të udhëheqin kësisoj shtetin dhe këtë popull.

Unë po ju them që nuk ka gjendje më trishtuese dhe më mjeruese sesa rininë e sotme, që përbën më shumës e 60% të popullatës, ta shohësh duke ikur e duke shkuar për të bredhur diku rrugëve të Evropës, derisa Kosova ka aq shumë nevojë për ta, por nuk po u jepet mundësia që ta dëshmojnë dhe japin atë kontribut aq të nevojshëm që kemi sot”, u shpreh për “Kosova Sot” qytetari Milazim Krasniqi, invalid i luftës së UÇK-së

Derisa Kuvendi i Kosovës dje diskutoi rreth rritjes së numrit të qytetarëve të Kosovës, sidomos brezit të ri, që po ikin jashtë vendit, rreshtat e pritjeve të qytetarëve para zyrave të ambasadave të huaja për vizat Shëngen vazhdonin të ishin të gjata. Qytetarët e anketuar janë të sigurt që nëse vazhdon ky trend i tanishëm dhe institucionet e Kosovës nuk ndërmarrin diçka për ofrimin e mundësive për punësim në vend dhe për përmirësimin e kushteve të jetesës, Kosova rrezikon të zbrazet shumë shpejt, për 4-5 vitet në vijim.

E derisa zbrazja vjen si pasojë e vazhdimit të emigrimit masiv, Kosova mund të mbetet krejtësisht vetëm për vetëm me mafio-oligarkët, familjarët e tyre dhe shpurat kriminale që u shkojnë prapa. Qytetarët e anketuar nga gazeta, edhe pse hezitojnë shumë të flasin dhe eksponohen, ata e akuzojnë klasën politike që qeverisi deri më tani se ata janë fajtorët kryesorë që e degraduan Kosovën, e rrënuan shpresën, e mbytën dëshirën për të jetuar e për të ndërtuar familje, me qeverisjet e korruptuara për dy dekada rresht.

Prandaj, sipas qytetarëve, nuk është aspak e rastësishme as përplasja e së vërtetës në fytyrë ndaj ministrit të Jashtëm të Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, nga ana profesorit amerikan, Alon Ben-Meir, i cili e quajti Behgjet Pacollin shembull tipik të korrupsionit, e të cilit ia ka përmendur edhe hotelet e shtrenjta dhe tenderët korruptivë, duke rikujtuar se është Pacolli një nga rastet eklatante të korrupsionit biznesor e politik, i cili e ka kapur Kosovën, pasi që Pacolli vazhdon të jetë edhe krahu i djathtë dhe partneri kryesor i Hashim Thaçit në biznes, me çka edhe Thaçi edhe Pacolli kanë qëllimin kryesor pasurimin e tyre.

Prandaj, edhe qytetarët tani janë plotësisht të vetëdijesuar se për sa kohë na udhëheqin njerëz si Pacolli e Thaçi me shokë, autobusët drejt Perëndimit nuk do të kenë asnjë vend të lirë, kurse Kosova do të vazhdojë ta humbë asetin kryesor të saj – rininë, që po detyrohet t’ia mbathë nga vendi, për të mos mbetur e humbur në këtë Republikë të kapur, të shantazhuar, e të korruptuar deri në fyt, ku perspektivë ka vetëm për kushërinjtë e pushtetarëve dhe miqtë e tyre që i korruptojnë.

Image
Milazim Krasniqi

Turp për udhëheqësit kosovarë

Qytetari Milazim Krasniqi, invalid i luftës së UÇK-së, me dhimbje të madhe shikonte rreshtin e qytetarëve që prisnin për të aplikuar ose tërhequr vizat e tyre për udhëtim në shtetet e ndryshme, në agjenci për viza Shëngen te rruga “Rrustem Statovci”. Ai thotë për “Kosova Sot” se deri te liria e këtij vendi kemi ardhur me sakrificë të madhe, por tani duket situatë rrëqethëse kur i sheh të rinjtë se si po e lëshojnë këtë vend nga humbja e shpresës për të jetuar në të. Krasniqi lutet që të ndalet ky trend negativ, që rinisë t’i hapet perspektiva në vend, sepse kurbeti e shpenzon dhe nuk i rikthen më në vend as fuqinë punëtore dhe as trurin intelektual që po ikin dita-ditës.

“Unë e di se çka është kurbeti, sepse kam qenë i torturuar për 21 vjet që nuk kam jetuar në Kosovë dhe e kam ngrënë bukën me lot, e sot kur po i shoh këta njerëz, këta të rinj, para këtyre dyerve, në pritje për të ikur jashtë vendit, çka do të thotë për mua kjo. Unë me 7 plagë që kam në trup i shoh këta të “shkretë” duke shkuar jashtë dhe shtrohet pyetja pse unë i kam lënë krejt çka kam pasur jashtë dhe kam ardhur këtu. Nuk e kam lënë unë kurbetin që të vij e t’i shoh këta djem se si po ikin sot, por për të parë të ardhmen tonë të re e të mbarë, të lirë e të përbashkët në këtë shtet tonin.

Mirëpo, sot nuk e kemi atë dhe dashtë zoti që pa vonesë gjërat të kthehen mbarë, sepse vendi po zbrazet”, potencoi Milazim Krasniqi. Ai po ashtu thotë se nuk ka asnjë kuptim që qeveritarët po e mohojnë ekzistimin e këtyre skenave të përditshme të pritjeve para zyrave të ambasadave për ikje jashtë vendit, jo pse frikësohen nga ky realitet, por nuk u konvenon atyre që të ballafaqohen me këtë të vërtetë të pamohueshme.

Image
Shemsi Selatini

Qindra aplikime brenda ditës për viza pune

Në afërsi të Ambasadës Zvicerane dhe Qendrës për aplikim për vizat Shëngen, në rrugën “Rrustem Statovci”, gazeta ka takuar menaxherin e Agjencisë “Idea PLUS- SHPK”, Astrit Halitaj, nga Malisheva, i cili kishte sjell në Prishtinë një grup të rinjsh që t’ua mundësojë më shpejt pajisjen me viza kroate, pasi që i njëjti ka një marrëveshje ndërmjetësimi për punëtorë me kompanitë e ndërtimit në Kroaci dhe vende të tjera. Ai tha për gazetën “Kosova Sot” se ky trend do të vazhdojë për shumë kohë, që të rinjtë të kërkojnë punë jashtë Kosovës, pasi që institucionet e Kosovës e kanë lënë krejtësisht pas dore përkujdesjen ndaj fuqisë së re punëtore, që të sigurojnë kushte më të mira punësimi dhe jete në vendin tonë.

“Ne momentalisht përgatisim dokumentacion vetëm për Kroaci, por interesimi për të dalë jashtë është shumë i madh. Ka kompani – firma kroate, që më kanë kërkuar deri në 40 persona, kanë kërkuar që t’u bëhet termini përnjëherë që t’u bëhen vizat dhe t’i marrin në marrëdhënie pune atje. Pra, ka një interesim të madh, sepse realisht shtetin kroat disa të rinj dhe qytetarë të tjerë po e shfrytëzojnë edhe si shtet transit për të kaluar pastaj dhe kërkuar kushte më të mira pune, në Gjermani, Itali e Zvicër”, vijoi më tej Halitaj.“Janë katër shtete me të cilat pastaj mund të kontaktojnë dhe të bëjnë kontrata, sepse këtu realisht nuk i ka mbetur shpresë askujt për të qëndruar dhe pritur më, sepse askush nuk ndërmerr asgjë, vetëm dëgjon deklarata kontroverse, që këta të pushtetit po deklarojnë se nuk ka lëvizje, ikje masive, por më shumë është propagandë.

Unë do t’u kisha propozuar atyre që të dalin vetë këtu e të shohin me të vërtetë si duket interesimi i njerëzve për të dalë jashtë. Mund të them lirisht që brenda ditës aplikojnë 400- 500 veta për viza pune për të shkuar jashtë”, tha Astrit Salihaj për “Kosova sot”. Sipas tij, të gjitha mohimet e këtij trendi të lëvizjes nga zyrtarët e lartë të shtetit, qoftë nga Presidenti, kryeministri Haradinaj apo ministri i Jashtëm, Pacolli, nuk janë gjë tjetër veçse gënjeshtra politike. “Unë nuk e di se prej cilit vend është dhe vjen ajo thënia se ‘politika është art i gënjeshtrës’. Edhe këta tonët e kanë mësuar deri në fund këtë rregull dhe janë të parët në botë sa i takon gënjeshtrës.

Këta deri sot kanë bërë vetëm premtime boshe, prandaj ne po e shohim të gjithë se si po lulëzojnë korrupsioni, nepotizmi në punësime, punësimet familjare, që po i shohim çdo ditë duke ndodhur, prandaj kjo po ia humb shpresën secilit qytetar, e sidomos të rinjve. Edhe për çështjen e shkollimit nuk u ka mbetur shumë shpresë, sepse këto universitetet private vetëm e kanë degraduar me të madhe nivelin e arsimit. Këtë që po e them po nisem nga vetja, sepse unë kam diplomë, master i shkencave ekonomike, menaxhment dhe informatikë, por sot si ekonomist nuk mund t’i them askujt prit se ka një shpresë këtu dhe ka një të ardhme.

Nuk mundë t’i them askujt që të rrijë e të presë këtu ditë më të mira, sepse një gjë të tillë nuk kam munduar t’ia propozoj as vëllait tim që ka ikur jashtë, e si t’ia propozoj dikujt tjetër”, tregoi ai. “E kur të flasim për nepotizmin e familjarizimin, e kam provuar edhe vetë, sepse kam punuar dy vjet si mësimdhënës në fushën e menxhmentit dhe të informatikës në njërin nga fakultetet tona, por në momentin që ka ardhur në pushtet një parti tjetër më kanë larguar. Shkon në gjykatë dhe e anulojnë konkursin, mirëpo nuk bën zgjidhje, por mbetet gjithçka pezull. E di që ka plot shembuj të tillë, prandaj edhe kjo rini nuk po e sheh një ditë në fund të tunelit të errët, prandaj po vendosin të ikin jashtë vendit dhe pse vendi po zbrazet dhe kjo nuk do të mundë të kompensohet kurrë”, shfryu më tej Salihaj.

Dëshpërim i madh

Me të riun tjetër, Shemsi Selanin, kemi biseduar derisa po priste në rresht për vizë suedeze, për bashkim familjar dhe për të vazhduar me punë, pasi që në Suedi ka edhe një firmë në emrin e tij, por ka pasur disa obligime në Kosovë që i është dashur të vijë dhe t’i kryejë, duke menduar se këtu edhe mund të bëjë ndonjë investim por ka gabuar, kurse firmën në Suedi e ka menaxhuar për një kohë bashkëshortja e tij, prandaj tani e ka fituar të drejtën që përsëri të rikthehet në Suedi për të vazhduar punën atje.

“Tani kam pakëz problem me formën atje, sepse është vetëm gruaja duke e menaxhuar, sepse jemi vetëm dy persona që e drejtojmë atë firmë dhe gjithsesi më duhet të rikthehem atje”, tha Selani për “Kosova Sot”. Ai duke parë masën e qytetarëve që ishin aty në pritje tha se i vije shumë keq që po e braktisin vendin, por kjo është një pasqyrë e mosbesimit e mospunës së institucioneve të shtetit të Kosovës.“Me të vërtetë këtu njerëzit po shihet që i kanë humbur shpresat krejtësisht, edhe në fakt gjendja është e tillë, që ka plot arsye për të humbur shpresat. Unë vetëm dua të lutëm që ishalla një ditë bëhet më mirë, por njëherë, me sa po shoh unë, këtu shpresa për të gjetur vende pune të qëndrueshme nuk ka.

E sa i takon ndryshimit pozitiv për të ardhmen, krejt kjo varet nga ana e politikanëve, krejt këtë gjendje e kanë ata në dorë. Gjendja e tanishme mund të ndalet, të ndryshohet, duke dhënë mundësi dhe krijuar kushte për hapjen e vendeve të reja të punës dhe jo më korrupsion e krim të organizuar, jo nepotizëm. Kjo punë nuk mund të shkojë kështu”, tha Shemsi Selani.

Image
Astrit Halitaj

Pushtetarët kanë vetëm fjalë

Në afërsi të Ambasadës Gjermane e kemi takuar të riun Selam Bejtullahu, i cili kishte shkuar kaherë në Gjermani, në qytetin e Berlinit, por ia kishin vjedhur pasaportën dhe tani autoritetet gjermane e kanë detyruar të kthehet në Kosovë për ta ripërtëritë atë dhe për të vazhduar punën dhe vendqëndrimin në Gjermani.

“Në Berlin ma kanë vjedhur pasaportën dhe tani ambasada më ka kërkuar që të aplikoj edhe një herë në mënyrë që viza të më bartet nga pasaporta e kaluar. Unë mendoj që të gjithë këta të rinj që po ia mësyjnë ikjes jashtë vendit nuk kanë faj, sepse kushtet në Kosovë janë aq të pashpresa saqë shkon në komunë për të rregulluar një çështje dhe del që atje nuk kanë letër as për certifikata.

E çka mund të pritet nga një shtet i tillë, në gjendje katastrofe, prandaj edhe këta që po ia mësyjnë të dalin nuk e kanë asnjë pikë të fajit, duhet të kërkojnë diçka më të mirë. E këta në pushtet të gjithë janë përgjegjës, sepse, përveçqë po flasin, nuk janë në gjendje të ofrojnë asgjë”, tha i riu Selam Bejtullahu.

(Kosova Sot)