Nxënësi hetohet për shitje të uraniumit përmes internetit

  • 12 April 2019 - 18:27
Nxënësi  hetohet për shitje të uraniumit përmes internetit

Një nxënës nga Japonia po hetohet nga policia e këtij shteti pasi dyshohet se ka shitur uranium përmes internetit dhe ka prodhuar substanca shpërthyese.

Djali 16-vjeçar po hetohet nga Departamenti i Policisë Metropolitane në Tokio për dyshimet se e ka shkelur Ligjin për Reaktorët Bërthamorë.

Ai gjithashtu është akuzuar për prodhim të tetranitratit të eritritolit, i cili përdoret në materialet shpërthyese.

Policia beson se i riu japonez e ka pasuruar dhe e ka shitur uraniumin për shkak të interesimit për shkencën.

Adolesheni u vendos në qendër të vëmendjes së autoriteteve pasi Agjencia Nukleare zbuloi se në një faqe interneti ai e kishte publikuar një shpallje, në të cilën shkruhej se shitet uranium me shkallë të pastërtisë 99.9 për qind.

Policia kishte shkuar në shtëpinë e djalit dhe kishte konfirmuar se substanca e gjetur është uranium. Përpos uraniumit, ata gjetën edhe një lloj koncentrati që përdoret për ta prodhuar këtë lëndë të rrallë.

Një analist i sigurisë ka thënë se djaloshi nuk është marrë me terrorizëm, por mund të jetë shumë i dhënë pas kimisë. “Ky nuk është rast terrorizmi. Sinqerisht, ju nuk mund të besoni se çfarë janë në gjendje të bëjnë ata që merren me kimi”, tha ai, shkruan “Independent”

(Kosova Sot)