“Kosova Sot”, gazetë që ndau historinë bashkë me popullin

  • 14 April 2019 - 08:04
“Kosova Sot”, gazetë që ndau historinë bashkë me popullin

Okupatorin serb e ka penguar informimi i gazetës”Kosova Sot”

Përfaqësues të jetës arsimore e qytetarë të këtij vendi, që janë lexues të devotshëm të gazetës lidere, thonë se “Kosova Sot” e ndau historinë bashkë me popullin, u lind në luftë, u dogj dhe u shkatërrua gjatë luftës, u ringjall bashkë me popullin dhe jo vetëm u ringrit, por prin në tregun e shtypit ditor në Kosovë.

Sipas tyre, “Kosova Sot” është gazeta e parë dhe më objektive që shkruan për zhvillimet e përgjithshme, si shoqërore dhe politike. Ata thonë se kjo gazetën ishte zëdhënëse besnike e luftës për liri dhe tani e 20 vjet vazhdon të mbetet kultivuesja më e mirë demokracisë, lirisë dhe pavarësisë në Kosovë

Image
Adil Beqaj

Prof. Adil Beqaj, mësimdhënës

“Kosova Sot”, e cila e ndau historinë bashkë me popullin, u lind në luftë, u dogj dhe u shkatërrua gjatë luftës, u ringjallë bashkë me popullin dhe jo vetëm u ringrit, por prin në tregun e shtypit ditor në Kosovë. “Kosova Sot” është gazeta e parë dhe më objektive që shkruan për zhvillimet e përgjithshme si shoqërore dhe politike. Lindjen e kësaj gazete e kujtoj kur raportonte në frontet e luftës në Vërri. Ishte zëdhënëse besnike e luftës për liri. Tani e 20 vjet vazhdon të mbetet kultivuesja më e mirë e demokracisë, lirisë dhe pavarësisë në Kosovë. E kam çmuar rolin e madh që kishte në luftë. E çmoj korrektësinë e kësaj gazete, prandaj kjo është vërtet gazetë lidere.

 

Prandaj, roli i saj është i pakontestueshëm dhe ka rol shumë të rëndësishëm në të gjitha zhvillimet aktuale. ”Kosova Sot “ dallohet për shkrime të guximshme, me plot fakte, me plot përkushtim.

Image
Ramadan Krasniqi

Ramadan Krasniqi, qytetar

Unë fillimisht mendoj që roli dhe kontributi i gazetës “ Kosova Sot”, në këto 20 vjetët e pasluftës, ka qenë gjithmonë kritik dhe i drejtpërdrejtë, ka qenë dhe vazhdon të jetë një rol pozitiv me kontribut të vazhdueshëm në përpjekjet për të luftuar politikën e qeverisjes së keqe të vendit, politikë që e ka penguar dhe pamundësuar zhvillimin e vendit, duke sjellë dhe një situatë të rëndë në vend. Pra, gazeta “Kosova Sot” po i ndihmon popullit me qasjen reale për ta kuptuar të vërtetën e asaj se çka po ndodh sot në Kosovë, ndonëse këtë po e shohim të gjithë, por duhet ta theksojnë edhe mediet e lira. Pra, po kaq e guximshme ishte qasja në informim të drejtë nga gazeta “Kosova Sot” edhe gjatë okupimit nga regjimi i Milosheviqit, prandaj e kujtojmë atë që ka ndodhur atëherë, ndonëse jo të gjithë i mbajmë në mend detajet, por jemi mirë të informuar më pastaj për ndalimin dhe veprimin që kanë ndërmarrë kriminelët për ta djegur shtypshkronjën. Këtë veprim e bëri regjimi kriminal jo për ndonjë arsye tjetër, por vetëm me qëllimin që kishte që t’ua mbyllin gojën medieve për të mos i raportuar krimet, e më e veçuara ishte gazeta “Kosova Sot”. Aksionet kundër medieve kishin për qëllim krijimin e perdes së zezë të mosinformimit, sepse edhe shërbimet e huaja inteligjente që ndiqnin krimet serbe në Kosovë, e që po përgatiteshin për ta sulmuar ushtrinë serbe, shumë informacione të sakta i siguronin nga raportimet e shtypit në terren.

Faik Hamiti, qytetar

Dihet mirëfilli që okupatori serb nuk zgjidhte mjete për të provuar ta arrijë qëllimin e vet, prandaj për ta arritur këtë ai fillimisht pati sulmuar mediet, i pati okupuar ato që ishin nën financimin e shtetit. E bëri këtë, sepse regjimi serb i instaluar në Kosovë në mënyrë të dhunshme gjithnjë ka pretenduar të realizojë projektin famëkeq për t’i përndjekur dhe zhdukur shqiptarët, sepse asimilimi nuk po funksiononte. Këtë plan gjenocidal nuk mund ta realizonte duke pasur në funksion mediet shqipe që filluan të funksionojnë edhe në këto kushte. Pa asnjë dyshim që në këtë përballje me regjimin fashit, kontribut të madh pati dhënë “Kosova Sot”, e cila terrorin e okupatorit serb e prezantonte me përmbajtjen e tij të plotë dhe kjo e pengonte shumë regjimin kriminal, i cili demaskohej për veprimet që bënte para botës demokratike.

Pra, okupatorin serb e ka penguar informimi i gazetës”Kosova Sot”, prandaj ka marrë masat me mbyllje të gazetës dhe djegie të shtypshkronjës. Gazeta “Kosova Sot” po e raporton besnikërisht edhe realitetin e sotëm që nuk është krejtësisht ai që e kemi pritur, është një realitet i hidhur me plot devijime dhe dështime në ndërtimin e shtetit me më shumë perspektivë për qytetarin, prandaj edhe gazeta dhe pushteti janë në pole të ndryshme, pozitë dhe opozitë. E, kjo gjendje dhe kjo politike e gazetës “Kosova Sot” po e gëzon mbështetjen tek lexuesit e saj të shumë. Pra, gazeta “ Kosova Sot” po i prezanton të gjitha dështimet dhe devijimet e pushtetit të tanishëm në mënyrë reale.

Nuk u dogj kurrë dashuria e pronarit të ‘Kosova Sot” për ta mbajtur të gjallë këtë gazetë

Image
Ramiz Canolli

Ramiz Canolli, qytetar

Gazeta “ Kosova Sot ” gjatë okupimit pati një rol me shumë rëndësi në informimin e opinionit jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë, e sidomos gjatë luftës kur gazeta juaj ishte një dritare e informimin mbi atë që po bënte Serbia. Dhe, për fat të keq, kjo gazetë, përkatësisht shtypshkronja e saj e pësoi duke u sulmuar dhe duke u shkatërruar, djegur rrafsh me tokë. Asokohe, kjo ishte një humbje e madhe jo vetëm për gazetën “Kosova Sot”, por edhe për fushën e informimit të gjerë të opinionit publik, sepse u ndal një dritare e informimit besnik, madje edhe për opinionin ndërkombëtar. Sidoqoftë, e mira është se kjo gazetë edhe pas luftës po vazhdon punën e saj duke qenë në funksion të informimit të drejtë dhe shumë real për zhvillimet që po ndodhin, tani në shtetin e pavarur, si një gazetë e pavarur që çmohet dhe vlerësohet shumë lart nga opinioni.

Adnan Maloku, afarist

Lindjen e gazetës “Kosova Sot” e përkujtoj si lindje të një dritare të re të informimit që ishte një gazetë plot reportazhe nga frontet e luftës. Atëbotë, kur ende nuk e kishin të qartë shumica e kosovarëve se ç’po ngjet me Kosovën, pikërisht kjo gazetë njoftonte për betejat e lavdishme të djemve që luftonin maleve të Kosovës. Kjo gazetë ka dhënë kontribut të çmuar në rrjedhat kombëtare. U lind në luftë, u dogj po atë kohë, por nuk u dogj dashuria e pronarëve për këtë dritare informimi, andaj ajo u ripërtëri siç u ripërtëri Kosova. Puna e saj këtyre ditëve lidhur me gjyqësorin po tregon se ka profesionalizëm të konsideruar. Ishte një gur i rëndësishëm në themelin e pavarësisë së Kosovës. Roli i para 20 vitesh ishte shumë i rëndësishëm dhe tani ky rol është intensifikuar, prandaj është edhe lidere në Kosovë. Gazetën “Kosova Sot” e dallon korrektësia, informim i drejtë. Ngase është kjo e vetmja gazetë që nuk ka bërë shpifje e as që ka rënë në ndonjë lajthitje. Uroj që kështu të vazhdojë edhe 100 vjet të tjerë.

Sportistët: Okupatori serb është munduar që të ndalë informimin e drejtë

Granit Rugova, ish-basketbollist

Kontributi i medieve është gjithmonë i madh dhe njëkohësisht shumë i rëndësishëm, si në kohën e luftës e ashtu edhe sot. Gazeta “Kosova Sot” ka informuar drejt në kohën kur nuk dihej se çfarë po ndodhte dhe ishte një mungesë e informatave. Kjo sigurisht se i ka penguar okupatorit serb, që me anë të djegies së shtypshkronjës është munduar që të shuajë këtë gazetë, megjithatë, nuk ia kanë arritur qëllimit, sepse gazeta funksionon edhe sot, që nuk është aspak e lehtë. Shpresoj se nuk do të ndalet, dhe t’i informojë qytetarët e Kosovës drejt dhe e pandikuar.

Arbnor Rifati, trajner basketbolli

Me anë të djegies së shtypshkronjës së gazetës, okupatori serb është munduar që të ndalë informimin e drejtë, dhe çfarë ka ndodhur në vatrat e luftës. Është munduar që të ndalë se çka po ndodh në Kosovë dhe të fshihen masakrat serbe dhe padrejtësitë e mëdha ndaj shqiptarëve. Gazeta “Kosova Sot” ka raportuar drejt dhe kjo sigurisht se i ka penguar pushtuesit serb. Edhe sot është e vështirë të raportosh në mënyrë të drejtë dhe që të mos jetë e ndikuar. Të funksionosh për më shumë se 20 vjet nuk është aspak e lehtë, por kjo gazetë ia ka arritur qëllimit.

Edmond Azemi, basketbollist

Askush nuk mund harrojë atë çfarë ka ndodhur, pavarësisht se çfarë ka ndodhur. Edhe pushtuesi serb është munduar që të fshehë të vërtetën dhe për këtë arsye ka bombarduar gazetën “Kosova Sot”. Por, gazeta “Kosova Sot” ka raportuar gjithmonë me fakte dhe nga zonat e luftës, që ishte shumë e vështirë në atë kohë, por edhe shumë e rrezikshme, sepse gazetarët dhe korrespodentët kanë rrezikuar edhe jetën e tyre. Shpresoj se nuk do të ndalet asnjëherë.( vijon)

(Kosova Sot)