Kambanat e alarmit për drejtësinë, nevojitet pastrim i plotë

  • 15 April 2019 - 08:04
Kambanat e alarmit për drejtësinë, nevojitet pastrim i plotë

Kapiti: E vetmja rrugë mbetet VETTING-u, për të cilin duhet të lëvizë dhe ta kërkojë me këmbëngulje dhe me presion demokratik, me protesta, shoqëria civile

“Fatkeqësisht, për vite e dekada drejtësia kosovare dhe shteti i së drejtës po sfidohen keq nga krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe për këtë gjendje katandisëse të kësaj drejtësie u shpreh edhe ambasadori britanik.

Se Kosovën po e sfidojnë krimi i organizuar dhe korrupsioni i grupeve kriminale, këtë e ka thënë për vite të tëra dhe po e bën edhe tash, në përditshmëri, gazeta “Kosova Sot”. Prandaj, kambanat po bien për drejtësinë, për t’u vetëpastruar nga të inkriminuarit përmes një Vetting-u, i cili për drejtësinë kosovare mbetet i domosdoshëm dhe si një nga reformat e detyrueshme dhe të kontrolluara nga amerikanët dhe evropianët”, thotë për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruari O’Connell, në një konferencë për media, bashkë me kryesuesin e Këshillit Prokurorial, ka thënë se Kosova sfidohet nga krimi i organizuar. Njohësit e fushës së drejtësisë thonë se faktin se në Kosovë ka krim të organizuar e thotë dhe e fakton gazeta ‘KOSOVA SOT’ përmes disa dhjetëra e qindra analistëve e njohësve për vite të tëra, çdo ditë.

Por, analistët thonë se përderisa politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale e ka kapur dhe mban fort në dorë sistemin e drejtësisë, nuk ka shans që në Kosovë të luftohet as krimi i organizuar, as korrupsioni, e as asnjë shkelje tjetër ligjore nga ‘peshqit e mëdhenj’. Ata thonë se pa VETTING të detajuar nën mbikëqyrjen 100% amerikane dhe evropiane, nuk ka shans që sistemi i drejtësisë të pastrohet nga servilët e politikës të lidhur me nëntokën kriminale, të cilët llogari u japin atyre e jo zbatimit të ligjit dhe Kushtetutës.

Image
Naim Kelmendi

Kelmendi: Shteti i së drejtës po sfidohet keq nga krimi i organizuar

Analisti Naim Kelmendi theksoi për gazetën “Kosova Sot” se konstatimi i ambasadorit britanik, Ruari O’Connell, se Kosova po sfidohet nga krimi i organizuar, është mjaftueshëm sinjifikativ për gjendjen e drejtësisë kosovare dhe duhet të bien kambanat e alarmit për ta ndryshuar gjendjen e kësaj drejtësie të sëmurë, e që mbase me një Vetting përmbajtjesor dhe të mbikëqyrur nga amerikanët dhe evropianët mund të pastrohet sistemi i drejtësisë.

“Zaten, për fatin e keq të drejtësisë, me vite Prokuroria dhe Policia as nuk hetojnë fare rastet e mijëra të inkriminuarve në institucionet e Kosovës. Prokuroria Speciale në Kosovë nuk ka arritur të zërë qoftë edhe “një peshk të madh” nga krimi i organizuar, të cilët, si në nivelin lokal, po ashtu edhe në atë qendror, po kërkojnë dhe po marrin haraç për shërbimet që në një shtet me sundim të ligjit dhe ekonomi të lirë të tregut rregullohen me ligje e Kushtetutë.

Në Kosovë nuk ka shans që pa paguar haraçin të marrësh as leje ndërtimore, as licencë aktiviteti, në asnjë veprimtari të rëndësishme ekonomike, e as përgjigje apo vendime administrative nga administrata, si në pushtetin lokal po ashtu edhe në atë qendror, edhe pse ligjet shumë qartë i obligojnë për këtë. Deri më sot nuk kemi asnjë të akuzuar dhe të dënuar të nivelit të lartë politik, apo zyrtar në administratën komunale dhe atë qendrore, e as të mafio-oligarkëve që veprojnë dhe janë pjesë e" nëntokës dhe krimit të organizuar" që funksionon para hundëve e syve të prokurorëve të Prokurorisë Speciale, ndërkaq që ata nuk i hetojnë as ex officio dhe as pas kallëzimeve penale nga qytetarët, duke u dalë në mbrojtje dhe duke bërë avokatinë e tyre dhe nuk ngritin fare aktakuza kundër tyre”, është shprehur Kelmendi.

Sipas tij, po duket se prokuroria nuk ka guxim të sjellë para drejtësisë mafio-oligarkët që për kaq vite po mbajnë monopol kriminal, duke shkelur Kushtetutën dhe të gjitha ligjet në fuqi.“Deri kur kështu shteti do të paguajë prokurorët nga buxheti i shtetit, ndërsa ata nuk duan ta bëjnë punën e tyre të detyrueshme me ligj e Kushtetutë...Fatkeqësisht, për vite e dekada drejtësia kosovare dhe shteti i së drejtës po sfidohen keq nga krimi i organizuar dhe korrupsioni dhe për këtë gjendje katandisëse të kësaj drejtësie u shpreh edhe ambasadori britanik, por po aq e zëshme se Kosovën po e sfidon krimi i organizuar dhe korrupsioni i grupeve kriminale ishte thënë për vite të tera dhe po e bën edhe tash në përditshmëri gazeta “Kosova Sot”.

Prandaj, kambanat po bien për drejtësinë për t’u vetëpastruar nga të inkriminuarit përmes një Vetting-u, i cili për drejtësinë kosovare mbetet i domosdoshëm dhe si një nga reformat e detyrueshme dhe të kontrolluara nga amerikanët e evropianët”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Naim Kelmendi.

Image
Gent Gjini

Gjini: Për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit duhen prokurorë të guximshëm

Gent Gjini, avokat, thekson për “Kosova Sot” se për luftim të kriminalitetit, përkatësisht krimit të organizuar dhe korrupsionit, duhen prokurorë të guximshëm, profesionalë, të pavarur, dhe njohës të mirë të çështjeve dhe jo vetëm prokurorët, por edhe për vetë gjyqtarët.

“Mu për këtë, ne kemi nevojë për procese verifikuese dhe pse jo ata të mund t’u nënshtrohen edhe një herë provimeve të etikës dhe provimeve të tjera po aq profesionale, nga një panel që mund të jetë i jashtëm, duke përfshirë edhe trupat e aktorëve ndërkombëtarë, me ekspertë juristë të jashtëm. Unë si vështrues dhe njohës i çështjeve të drejtësisë ambasadorin anglez, O’Conell, e shoh dhe e vlerësoj si njërin prej ambasadorëve më kritikë në kuptimin pozitiv.

Sepse ai gjërat i thotë troç dhe luan rolin e opozitarizmit, vlerësuesit real, dhe reformës, të cilat janë sfidat e sistemit të drejtësisë, për të pasur rend dhe ligj”, është shprehur ai. Tutje ka shtuar se po pengohet luftimi i kriminalitetit, duke vënë theksin edhe për mënyrën e rekrutimeve të punësimeve, në baza klanore, korruptive dhe familjare, në shumë prej institucioneve tona, duke mos përjashtuar edhe vetë institucionet e drejtësisë. “Si pjesë e reformave në drejtësi, ne duhet t’u themi mjaft më personave që në poste udhëheqëse janë sa e sa vite, mjaft personave që mbajnë disa poste, mjaft politizimeve dhe ndërhyrjeve në proceset rekrutuese, mjaft monopolizimit dhe arbitraritetit në sistemin e drejtësisë, mjaft pasurimit në mënyra enorme.

Po ashtu, punësimet familjare në sistemin e drejtësisë janë po aq shqetësuese në vete, që ato punësimet e tyre i kanë shndërruar në dinastitë familjare. Pra, kemi shumë persona me mbiemra të njëjtë të punësuar në këto institucione, kemi persona familjarë të ngushtë ne mes vete, kemi raste të konflikteve të hapura të interesit, kemi persona që punësohen si në "bahçe të babës", kemi abuzime me kontratat mbi vepër, pra janë këto dukuri shumë prezente që paraqesin ngecje totale. Në institucione të tilla ka persona që nuk tregojnë respekt dhe përgjegjësi dhe vendet e punës i trajtojnë si diçka në atë idenë se ‘unë sillem se si dua vetë’", është shprehur ai.

Image
Kreshnik Kokollari

Kokollari: Ky vend po syrgjynoset nga krimi i organizuar

“Deklaratat e ambasadorit britanik, Ruari O'Connell, shpjegojnë qartë shqetësimin se ky vend po syrgjynoset nga krimi i organizuar. Krimi ka vrarë shpresën për drejtësi për jetë më të mirë dhe mirëqenie. VETTINING-u është më se i domosdoshëm, së pari ai politik, pastaj tek gjyqësori. Guximi për të filluar një gjë të tillë mungon, andaj është e detyrueshme që dhe njëherë miqtë ndërkombëtarë të ndërhyjnë për çlirimin e ri nga vetë kosovarët.

Ambasadori, ani pse mjaft i kujdesshëm, ishte mjaft i qartë, ambasadori që di gjuhën shqipe më mirë se shumica e 'ministrave', ambasadori që përkrah Kombëtaren e Kosovës, sportin dhe artin më shumë e gjithë klasa politike, tregues se ai më shumë e do vendin tonë sesa vetë ne kosovarët. Borëbardha (opozita) po pret të shkojë princi ta zgjojë e kur fshati digjet kryeshtriga po krihet para pasqyrës. Tendencat me transformu Kosovën në një shtet të dështuar janë të fabrikuara nga kuzhina të Beogradit e që argatët brenda Kosovës po i servojnë me delikatesë”, theksoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Kreshnik Kokollari.

Image
Skënder Kapiti

Kapiti: Kryeproblemi në Kosovë është krimi i korrupsionit

“Kryeproblemi në Kosovë është korrupsioni, apo më saktë krimi i korrupsionit, i cili ka kapur politikën, pushtetin qeverisës qendror e lokal dhe sistemin e drejtësisë. Pra, kur ka korrupsion tredimensional: legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, atëherë sistemin në tërësi e ka kapur korrupsioni. Prej korrupsionit gjithë-institucional vijnë pastaj zinxhir vargu i krimit politik, atij të organizuar, atij ordiner, kontrabandës, krimi demokratik, krimi ligjor etj. Dhe, në këto kushte të rënda keqfunksionimi të demokracisë, të ligjit, të demokracisë, është shumë e vështirë për të filluar lëvizja dhe ndryshimi për nga më e mira dhe përmirësimi.

Sepse, e keqja e madhe, korrupsioni politik dhe juridik që kanë kapur shtetin, shoqërinë dhe demokracinë, nuk mund ta luftojë veten e saj. Prandaj, e vetmja rrugë mbetet VETTING-u, për të cilin duhet të lëvizë dhe ta kërkojë me këmbëngulje dhe me presion demokratik, me protesta, shoqëria civile. Nëse shoqëria civile kërkon që të dalë nga apatia dhe agonia ku ka rënë, i vetmi motiv që duhet ta vërë atë në lëvizje dhe që ta zgjojë nga përgjumja është protesta e kërkesa e saj për VETTING-un.

Pra, duhen protesta paqësore, pasi motivi ekziston dhe ky motiv është në emër të së vërtetës, në emër të drejtësisë dhe të demokracisë, kundër krimit e korrupsionit. Populli, i cili nuk reziston dhe nuk proteston në emër të së vërtetës, të drejtësisë dhe të lirisë, askush mos të mendojë se pushteti do t'i trembet atij populli dhe pa protesta e pa rezistencë kurrë pushteti nuk e merr në konsideratë vullnetin e popullit”, theksoi analisti Skënder Kapiti për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)