Hahn po përpiqet që ndarja të jetë temë diskutimi në Berlin

  • 15 April 2019 - 15:52
Hahn po përpiqet që ndarja të jetë temë diskutimi në Berlin

Këshilltarja e kryeministrit, Meliza Haradinaj Stublla ka thënë se deklaratat e sotme të komisionarit Hahn janë vazhdimësi e qasjes jokonstruktive për të arritur të zgjidhja e nyjës Kosovë – Serbi dhe vullnet për humbje kohe edhe më tutje. Ajo ka thënë se Hahn përpiqet që ndarja e Kosovës të jetë temë diskutimi në Berlin

Komisionari europian Johannes Hahn ka thënë sot se nuk përjashtohet mundësua për të biseduar për korrigjim të kufijve nëse pajtohet pala kosovare dhe ajo serbe.

Pas reagimit të vetë kryeministrit Ramush Haradinaj, ka reaguar edhe Meliza Haradinaj Stublla për deklaratën e komisionarit Hahn.

“Për më keq, deklarimi i tij se “një shkëmbim i mundshëm territori mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje më të gjërë” – disa ditë para takimit në Berlin – është haptas edhe një përpjekje për t’a rikthyer këtë ide në tavolinë, përmes derës së pasme! Komisioneri Hahn do të mund të angazhohej në dialogun final – dhe atë në kapitullin e tregtisë së lirë – vetëm atëherë kur Kosova t’a aprovojë marrëveshjen gjithëpërfshirëse finale të njohjes reciproke Kosovë-Serbi.”, ka shkruar ajo në Facebook.

Haradinaj ka thënë se tani që Kosova ka vëmendjen e plotë të kancelares Merkel në dialog, e cila është edhe nikoqire e takimit të 29 prilit, është koha e fundit që liderët institucionalë, delegacioni shtetëror, dhe opozita kosovare të dakordohen në një qëndrim unik para udhëtimit në Berlin.

“Vetëm kështu Kosova do të jetë më e fortë përballë Serbisë, dhe më serioze në sfidat e saj ndërkombëtare. Ideja e shkëmbimit të territoreve duhet të mbetet njëherë e përgjithmonë jashtë dialogut Kosovë – Serbi, si qëndrim unik i Kosovës, e që buron nga vullneti i popullit të saj”, ka shkruar Haradinaj. 

(Kosova Sot)