Ja kush e thotë: PSD-ja është bërë vegël e pushtetit të SHIK-ut

  • 15 April 2019 - 19:17
Ja kush e thotë: PSD-ja është bërë vegël e pushtetit të SHIK-ut

Dardan Molliqaj i PSD-së akuzoi Glauk Konjufcën e VV-së se ishte pjesë e SHIKut gjatë periudhës kohore 2000- 2001, se ishte paguar 150 marka dhe se Fadil Lepaja ishte rekrutues i Konjufcës në SHIK. Për këtë çështje, Lepaja nuk është prononcuar për gazetën, por analistët thonë se edhe VV-ja duhet të turpërohet se çfarë njerëz të tipit të Dardan Molliqajt, Shpend Ahmetit dhe Dardan Sejdiut ka promovuar për vite të tëra në majat e LVV-së, e tash të njëjtit i quajnë kolegët e tyre pjesë të SHIK-ut. Megjithatë, sipas analistëve shtrojnë pyetjet se pse asnjëherë nuk u nis një hetim për SHIK-un në Kosovë. 

"Akuzat e Dardan Molliqajt ndaj Glauk Konjufcës, kinse ky i fundit ka qenë anëtar i organizatës famëkeqe të SHIK-ut në periudhën kohore 2000-2001 dhe se ishte paguar 150 marka si pagesë e anëtarësisë, është veprim sa skandaloz dhe vjen direkt nga çerdhja e SHIK-ut. Ta akuzosh dikë si anëtar i një organizate kriminale, në kohën kur vetë je bërë ortak (aleat) i asaj strukture pushtetare është sa e pamoralshme aq edhe neveritëse. PSD-ja është bërë vegël e pushtetit të SHIK-ut dhe duhet të jesh shumë i pamoralshëm të akuzosh (pa asnjë fakt) dikë se dikur paska qenë për një vit në një organizatë paramilitare të SHIK-ut, e cila atëherë e sot është konjuktura më e urryer, më misterioze, por edhe më fatkeqe për shtetin e Kosovës (e mbushur me shantazhe, eliminime, kërcënime, grabitje, kapje shteti....).

Image
Ramiz Bojaj

Këtë e vërtetojnë dokumentet arkivore të NATO-s, por edhe ish- agjentë të shumë të kësaj organizate antishqiptare. Funksionimi, struktura, si dhe veprimtaria e kësaj organizate ishte 'copy paste' e modelit serbo-rus, për krijimin e terrenit të strukturave të egra pushtetare, zhvatëse, grabitëse e kapëse, duke eliminuar konkurrentët potencialë. Model tipik komunist i ndërtimit të pushteteve absolute. Anëtarë të kësaj organizate ishin e janë të shpërndarë pothuajse në të gjitha partitë politike të Kosovës, të cilët janë lehtë të identifikueshëm, sepse këto elemente janë në përkrahje të vazhdueshme të ideve të Hashim Thaçit e Kadri Veselit për ndarjen dhe zhbërjen e shtetësisë së Kosovës, sipas interesave e kërkesave zyrtare serbe”, ka thënë Bojaj.

Sipas tij, nuk janë vetëm anëtarë partish, por janë edhe OJQ, policë, spiunë në AKI, media e gazetarë që u shërbejnë interesave të pushtetit të SHIK-ut. 

“Të gjithë ato media, liderë, gazetarë, OJQ... që përkrahin Thaçin, Veselin&Co, për ndryshim kufijsh, janë të pozicionuar në anën e grupimit të SHIK-pushtetit, e që përkon me interesat serbe e ruse. Po ashtu, ato parti e ata deputetë që kanë zgjedhur krerët e SHIKut në pozicione të larta shtetërore janë rreshtuar përkrah SHIK-ut, pa pasur nevojë të kenë pasur 'librezë anëtarësie' të kësaj organizate. SHIK-u nuk është shpërbërë e as shuar, ajo është shkrirë duke kapur pothuajse të gjitha segmentet e shtetit të Kosovës. Rezultat i gjithë kësaj janë bandat e forta mbi shtetin e mbi ligjin. Andaj edhe kemi shtet të dobët, fragjil e të varfër, me shpresa të vrara e pa të ardhme, por kemi banda, ndër më të fortat në rajon. Thjesht, njerëzit e kësaj bande janë kapësit e resorëve të shtetit, të rreshtuar edhe nga partitë të cilat e kanë bashkëqeverisur Kosovën tash e 20 vjet. Prandaj, nuk kemi asnjë hetim zyrtar e të duhur për veprimtarinë e SHIK-ut, por kemi kohë pas kohe akuza e kundërakuza për vrasje, shantazhe, kërcënime... brenda anëtarëve të kësaj organizate. Pengesë kryesore për hetimin e SHIK-ut janë vetë partitë politike, sepse politika e Kosovës është kriminalizuar skajshmërisht, pikërisht duke qenë në vartësi nga këto segmente”. 

“Duhet ta kuptojmë edhe këtë se eksodi i ikjes masive të qytetarëve të Kosovës ka ndodhur në çastin e koalicionit paraprak, LDKPDK-SHIK, eksod i cili vazhdon edhe sot. Andaj, edhe sot kemi propagandë të SHIK-ut, se kush ka qenë e kush jo në këtë organizatë, duke ditur botërisht se udhëheqësit më të lartë të kësaj strukture janë në pushtet. Kjo është taktikë e SHIK-ut për zgjedhjen e temave të parëndësishme, duke iu shmangur problemeve reale në vendin tonë: ikja masive e qytetarëve dhe procesit për ndarjen e Kosovës (shkëmbimi i territoreve). Qytetarët duhet t'i zgjedhin vetë temat e debatit, duke rrëzuar pushtetin e kalbur e kriminal, i cili i ka zënë frymën lirisë së Kosovës, zhvillimit ekonomik, drejtësisë, sigurisë, integrimit... Spastrimi etnik i Kosovës ishte plan i UDB-së serbe (policisë, paramilitarëve e ushtarëve serbë). Fatkeqësisht, këtë po e zbaton sot në përpikëri pushteti i SHIK-ut, i cili me 'kumonën' e patriotizmit i solli të gjitha të zezat popullit shqiptar, duke rrezikuar të ardhmen e kombit e të atdheut tonë", theksoi për gazetën "Kosova Sot" analisti Ramiz Bojaj.