4 autostrada, barrë e rëndë mbi supet e qytetarëve

  • 16 April 2019 - 08:10
4 autostrada, barrë e rëndë mbi supet e qytetarëve

Haziri: Investimet në stilin mafioz

“Autostradat kanë qenë njëra ndër investimet kapitale më të pabesueshme që kanë ndodhur në Kosovë, dhe sigurisht kjo me prapavijë e përfitime të kompanive, të cilat kanë qenë të lidhura me pushtetin. Thënë shkurtimisht, autostradat nuk do të na shërbejnë për asgjë tjetër, vetëm do t’i përdorim si transit për të ikur sa më parë nga ky vend”, theksoi analisti Driton Gashi për gazetën “Kosova Sot”

Janë të rënda për Kosovën e varfër 4 autostrada për disa vjet që kushtojnë miliarda, ndërsa përfituesit kryesorë janë kryesisht qeveritarët dhe klanet e tyre, ndërsa popullit i mbetet të ikë se asfalti as nuk hahet e as nuk pihet. Analistët dhe ekspertët e ekonomisë, thonë se Qeveria nuk i investon vetë 1 miliard euro në projekte si “Kosova e Re” apo Telekomi etj., që do të ktheheshin në benefite për ekonominë e vendit dhe qytetarët, por preferon që miliardat t’i fusë në autostrada, ku efekti ekonomik është dukshëm modest, ndërsa hajnia e jashtëzakonshme.

Sipas tyre, përfitojnë pikërisht pushtetarët në Kosovë me ndërtimin e autostradave, pasi shumica e kompanive që furnizojnë me materiale për ndërtimin e autostradave janë të pushtetarëve. Ata shtrojnë pyetjen se pse këto miliarda nuk investohen në arsim, aftësim, punësim, shëndetësi, për të rinjtë e të rejat, por në projekte pa ndonjë arsyetim ekonomik për vendin?

Image
Driton Gashi

Gashi: Autostradat, transit për të ikur

Analisti Driton Gashi theksoi për “Kosova Sot” se edhe po ta pyesje një nxënës të shkollës fillore se ku duhet që investohej, që një shtet të ngritët, në autostradë apo në ndërtimin e fabrikave, ai do të thoshte në ndërtimin e fabrikave. “Autostradat kanë qenë njëra ndër investimet kapitale më të pabesueshme që kanë ndodhur në Kosovë,dhe sigurisht kjo me prapavijë e përfitime të kompanive, të cilat kanë qenë të lidhura me pushtetin. Thënë shkurtimisht, autostradat nuk do të na shërbejnë për asgjë tjetër, vetëm do t’i përdorim si transit për të ikur sa më parë nga ky vend. Të rinj e të reja sot, të varfër, e të papunë, e kanë humbur çdo shpresë për të jetuar në Kosovë.

Askush nuk do ta paramendonte që 20 vjet pas luftës do të kishte ikje masive nga Kosova, dhe qindra njerëz presin para ambasadave për një vizë pune. Qeveria në vend të koncentrohej në kompanitë fitimprurëse publike sikurse janë ‘Kosova e Re’ dhe Telekomi, ata janë koncentruar krejtësisht në ndërtimin e rrugëve, dhe kjo është marrëzi e llojit të vet, por sigurisht kjo nuk u intereson fare atyre, sepse janë shndërruar në kapitalistë të fshehtë e famëkeq, që po i cenojnë të ardhmen të rinjve këtu”, është shprehur analisti Driton Gashi për “Kosova Sot”.

Image
Dardan Grapci

Investim në fusha të tjera

Analisti Dardan Grapci është shprehur për “Kosova Sot” se për Kosovën janë të rënda që disa vjet në ndertim të 4 autostradave që kushtojnë miliarda euro, por nga aspekti evropian, Kosovës i duhen autostradat. “Do të ishte mirë që Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me BE-në të kërkojnë investitorë për të investuar në këto 4 autostrada, që do të ishte mirë për Kosovën t'i shpenzojë vetëm 30%, kurse investitorët 70%, dhe me pjesën e mbetur të parave nga Qeveria të investohet në arsim, punë, krijime për aftësim të qytetarëve, ku mund të kryejnë ndonjë trajnim për punë që u nevojitet për të punuar në Kosovë, projekte të ndryshme etj., sepse vetëm në këtë mënyrë qytetarët do t’ia kishin parë hairin njëherë Qeverisë së Kosovë”, është shprehur ai.

Tenderët e kurdisur

Analisti Nexhat Haziri theksoi për gazetën “Kosova Sot” se infrastruktura rrugore nuk është më e rëndësishmja për Kosovën, por qasja e Qeverisë, por edhe të atyre të kaluara vetëm në këtë segment, duke anashkaluar edhe segmente të tjera mjaft të rëndësishme, siç janë arsimi, shëndetësia, kultura, sporti, por edhe në përkrahjen e prodhimit dhe të sektorit të bujqësisë që mund të gjenerojnë vende të reja të punës, është hiq më pakë se një qasje korruptive.

E them këtë pasi mafia politike, duke i pasur nën menaxhim të tyre kompani ndërtimore dhe të tjera që janë adekuate për infrastrukturën rrugore, të gjitha investimet i ka përqendruar në këtë fushë, ku kanë gjeneruar qindra miliona euro fitime për vetë klanin e tyre, duke bërë që në tenderët e kurdisur të dalin vetëm firmat e tyre si fitues, por edhe në pjesën e procesit të realizimit të projekteve, i kanë realizuar në mënyrë jotransparente dhe jo ashtu siç është paraparë në projekt. Në fund dua t'ua parashtroj një pyetje lexuesve tuaj,qytetarëve tanë, nëse e di kush në këtë vend se sa ka kushtuar ndërtimi i autostradës "Ibrahim Rugova", edhe pse disa segmente të saj janë të papërfunduara. Apo a e kuptoi dikush arsyen e 53 milionë eurove që Qeveria aktuale i pagoi kompanisë për ndërtimin e autostradës, gjoja në emër të penalizimeve për shkak të vonesave të pagesës së kësteve nga Qeveria e kaluar. Ky dhe shumë e shumë shembuj të tjerë tregojnë se investimet e bëra në infrastrukturën rrugore janë bërë në stilin mafioz”, është shprehur ai.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Përmes ndërtimit të autostradave vidhet buxheti i shtetit

Analisti Faik Krasniqi është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se Kosova nuk e ka luksin që të shpenzojë me miliarda euro në ndërtimin e autostradave, sepse ka papunësinë më të lartë në Evropë. “Vetëm ndërtimi i një autostrade na ka kushtuar mbi 1 miliard euro, dhe për 4 autostrada kemi shpenzuar mbi 4 miliardë euro. Një kilometër autostradë në Kosove kushton mbi 14 milionë euro, kurse në Evropë rreth 4 milionë euro.

Kjo tregon edhe qëllimin e ndërtimit të autostradave nga qeveritë tona, sepse këtu përmes ndërtimit të autostradave vidhet buxheti i Kosovës. Me 1 miliard euro do të mund të financonin projektet e bizneseve ekzistuese dhe startup, që do të hapnin me mijëra vende pune, dhe qytetarët e Kosovës nuk do ta braktisnin vendin”, është shprehur Krasniqi.

(Kosova Sot)