"Syri dembel" doli të ishte shenjë e një tumori të rrallë dhe vdekjeprurës

  • 16 April 2019 - 15:50

Një gjendje që njihet me emrin "syri dembel", ishte simptoma e vetme që manifestonte djali 9 vjeç, Charlie Stephenson. Prindërit e tij, Tony dhe Soeli, mendonin se djali kishte nevojë vetëm për syza. Por, realiteti ishte shumë më i hidhur, sikur që mësuan edhe prindërit e djalit në shkurt të këtij viti, kur Charlie u diagnostikua me tumorin e rrallë dhe të rrezikshëm të trurit, të quajtur glioma difuze intrinzike e ponsit (DIPG).

"Jeta jonë u kthye me kokë teposhtë"

Mjekët kanë bërë me dije se djalit i kanë mbetur vetëm rreth 9 deri 12 muaj jetë, meqë tumori nuk mund të operohet. Pas pak muajsh, Charlie do ta humbë shikimin, komunikimin dhe koordinimin, pasi që tumori do të rritet dhe do të ushtrojë presion ndaj nervave të rëndësishme. Familjarët tani shpresojnë që të arrijnë të mbledhin 125,000 funte për një trajtim i cili mund ta zgjatë jetën e djalit edhe për disa muaj. Tony Stephenson, 44 vjeç, shofer kamioni nga Martham, Norfolk, thotë: 'Kurrë nuk na e kish marrë mendja se gjendja e djalit tonë të ishte kaq serioze. U tronditëm pa masë kur na e dhanë këtë lajm. Kishim një djalë i cili ishte i gjallërishëm dhe i gëzuar. Për më pak se 10 minuta jeta jonë u kthye me kokë teposhtë. Ndihem bosh. Nuk kam vullnet për asgjë, por po përpiqem që të bëj gjithçka që mundem për të, duke ia plotësuar çdo kërkesë".  

Pasojat e këtij tumori janë fatale

Ai, sikur edhe nëna e djalit, kanë lënë punët e tyre, në mënyrë që të mund të përkujdesen për djalin e sëmurë. Tumori DIPG gjendet në pjesën e trurit që quhet pons (ura), pjesë e cila kontrollon funksionet elementare të trupit, sikur që është puna e zemrës, frymëmarrja, gëlltitja, lëvizja e syve, shikimi, balanca, prandaj edhe pasojat e këtij tumori janë fatale. Charlie ka bërë 13 sesione të radioterapisë dhe është duke u mjekuar me steroide, me qëllim të lehtësimit të simptomave. 

(Kosova Sot)