Rastet e fruthit në SHBA shënojnë rritje për 20 për qind brenda një jave

  • 16 April 2019 - 16:05
Rastet e fruthit në SHBA shënojnë rritje për 20 për qind brenda një jave

Numri i rasteve të konfirmuara të fruthit në Shtetet e Bashkuara këtë vit ka shënuar rritje për gati 20 për qind deri në fund të javës së dytë të muajit prill. Zyrtarët shëndetësorë kanë thënë se kjo është shifra e dytë më e madhe në dy dekadat e fundit.

Qendrat për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në Shtetet e Bashkuara i kanë regjistruar 555 raste të kësaj sëmundjeje nga fillimi i këtij viti. Deri më 4 prill ishin shënuar 465 raste. Sëmundja deri tash është regjistruar në 20 shtete të ndryshme të Shteteve të Bashkuara.

Fruthi është sëmundje ngjitëse, e cila mund të shkaktojë ndërlikime të shëndetit dhe vdekje, sidomos te fëmijët. Sidoqoftë, në raportin e autoriteteve amerikane nuk tregohet nëse ka pasur ndonjë vdekje nga fruthi.

Rritja e rasteve të fruthit në Shtetet e Bashkuara është pjesë e një trendi botëror të shtimit të rasteve. Organizata Botërore e Shëndetësisë njoftoi të hënën se rastet e fruthit pothuajse janë katërfishuar gjatë çerekut të parë të vitit 2019 në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2018.

Një pjesë e madhe e prindërve amerikanë po e kundërshtojnë fushatën e vaksinimit të fëmijëve, duke besuar se përbërja e këtyre vaksinave mund ta shkaktojë autizmin ose çrregullime tjera, ndonëse këto dyshime bien në kundërshtim me faktet shkencore.

Pesë prindër kanë dorëzuar padi kundër departamentit të shëndetësisë së qytetit të Nju Jorkut, duke kërkuar që të ndërpritet vaksinimi kundër fruthit për shkak se një gjë e tillë është në kundërshtim me besimin e tyre fetar, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)