Profesori ndërkombëtar ‘godet’ Thaçin, ky është paralajmërimi për Samitin e Berlinit

  • 16 April 2019 - 18:26
Profesori ndërkombëtar ‘godet’ Thaçin, ky është paralajmërimi për Samitin e Berlinit

Gjatë ditës së djeshme, Kuvendi i Kosovës ka dështuar edhe njëherë që ta miratojë rezolutën e cila ia ndalon Presidentit, Hashim Thaçi që të dialogojë me Serbinë për shkëmbim territoresh. 

E lidhur me këtë, për gazetën “Kosova Sot” ka folur profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

Ai thotë dështimi në Kuvend, dëshmon se ekziston një strategji e bllokimit për miratimin e rezolutës kundër Thaçit.

Image
Enver Bytyçi

“Kuvendi i Kosovës ditën e djeshme kishte në dorë një projekt-rezolutë, me të cilën ia ndalonte Hashim Thaçit dhe kujtdo tjetër për të biseduar për kufijtë dhe territoret me Serbinë. E njëjta situatë kishte ndodhur më 1 nëntor të vitit të kaluar kur grupet parlamentare nuk ranë në ujdi për të miratuar një rezolutë si kjo e djeshmja paraqitur në Kuvendin e Kosovës nga grupi parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Aso kohe opozita nuk bënte shumicën, ndërsa PDK e refuzoi votimin e asaj rezolute. Dje u tha se nuk u bë o mundur kourumi i deputetëve për ta votuar atë. Në të dy rastet kemi të bëjmë me një strategji të bllokimit të një vendimi të kuvendit të Kosovës për t’ia ndaluar presidentit Thaçi të flasë dhe të bisedojë me Beogradin për shkëmbim territoresh, prekje të kufijve ose korrigjim të tyre, siç përpiqet Thaçi ta paraqesë idenë e tij të çmendur për ndarjen e vendit”, shprehet Bytyçi për “Kosova Sot”.

Sipas tij, presidenti i Kosovës kontrollon së paku gjysmën e më shumë të parlamentarëve të vendit nga thuajse të gjitha partitë politike. 

“Rasti i mosmiratimit të një rezolute të tillë është për një brengosje të thellë, sepse me këtë parlament Vuçiqi dhe Thaçi do ta kishin të lehtë ta ratifikonin një marrëveshje midis palëve, me të cilën do të zvogëlohej harta politike dhe gjeografike e Kosovës e do të zmadhohej ajo e Serbisë! Kjo do të thotë se Hashim Thaçi është ende i rrezikshëm për vendin e tij sepse me metodat dhe mekanizmat e veta kriminale vazhdon të kontrollojë dhe imponojë vullnetin e tij prej sundimtari mizor dhe shkatërrues për Kosovën e lirë, të pavarur, sovrane e të integruar. Kjo do të thotë se presidenti i Kosovës kontrollon së paku gjysmën e më shumë të parlamentarëve të vendit nga thuajse të gjitha partitë politike”.

Më tej, Bytyçi shprehet se mosmiratimi i rezolutës dje është një ogur i keq për situatën në të cilën ndodhet Kosova. 

“Mesa duket partitë e mazhorancës, sidomos AAK-ja, ka ende frikë nga ujku me dhëmbë të prishur, me emrin Hashim Thaçi. Në PDK ka nis përçarja, por kur është fjala për ta mbrojtur presidentin e tyre, bëhen bashkë të gjithë deputetët e kësaj partie. Nisma në shumicë dhe Pacolli janë ulur prej fillimit në prehrin e Hashimit dhe kanë gjet ngrohtësinë e duhur në atë prehër. Ndërsa partitë e opozitës nuk janë të unifikuara me qëllim që të imponojnë vullnetin e sovranit, pra që askush, bazuar në kushtetutë, të mos guxojë të përmendë, jo më të dialogojë për kufijtë dhe territoret e vendit. Mesa duket edhe te opozita janë ngulë tashmë tentakulat antikombëtare të Thaçit në funksion të idesë së Beogradit për t’ia grabit Kosovës territoret më të pasura të saj. Mosmiratimi i rezolutës dje është një ogur i keq për situatën në të cilën ndodhet Kosova. Por jam i sigurt se Samiti i Berlinit i 29 prillit do të jetë një shuplakë e madhe për Thaçin, Vuçiqin e Ramën, pjesëmarrës në atë samit. Kjo, sepse në samit do të refuzohet ndarja e Kosovës dhe loja me kufijtë. Dhe sado që kryeministri i Kosovës është bërë protagonist i mbrojtjes së territorit të vendit, merita i shkon kancelares Merkel për këtë”, nënvizon Bytyçi për “Kosova Sot”.

Për fund, ai deklaron se dështimi i djeshëm për ta miratuar rezolutën në fjalë është një fitore taktike e Beogradit dhe ndihmësve të tij në Prishtinë e në Tiranë. 

“Është e tillë, sepse nëse krijohen rrethana lehtësuese ndërkombëtare, lejon hapësirë që këta fansa të ricopëtimit të trojeve shqiptare të kenë mundësi të veprojnë me duar të lira. Liria që krijon Hashim Thaçi për të vepruar kundër territorit, sovranitetit dhe integritetit të Kosovës është skllavëri për Kosovën dhe për shqiptarët. Veprimet e presidentit të Kosovës, për të cilat ai duhet të mbajë përgjegjësi shtetërore e ligjore, çojnë në shkatërrimin e shtetësisë së vendit, në degradimin e jetës politike, ekonomike, sociale dhe financiare në Kosovë, si dhe në destabilizimin e Kosovës e të të gjithë rajonit. Për këto arsye rezoluta jo vetëm do të duhej të miratohej, por ajo duhet konsideruar shumë e vonuar. Si një rezolutë e vonuar ajo o ka dhënë misionarit serb, Hashim Thaçi lirinë e të propaganduarit të tjetërsimit të territorit. Dhe kjo propagandë e angazhim i presidentit të Republikës e ka dëmtuar seriozisht jo vetëm shtetin e Kosovës, por edhe paqen e stabilitetin në rajon”, përfundon për gazetën “Kosova Sot”, profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

(Kosova Sot)