Zhvatja e buxhetit, ky është pazari me veteranët e rrejshëm

  • 18 April 2019 - 15:55
Zhvatja e buxhetit, ky është pazari me veteranët e rrejshëm

Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean-Hubert Lebet javë më parë është treguar i ashpër me politikanët kosovarë. Ai ka përmendur numrin e veteranëve, duke thënë që nuk duhet paguar veteranët e rrejshëm, e pastaj të tjerët të investojnë në projekte qenësore për qytetarët.

Në mbështetje të ambasadorit zviceran dolën pothuajse të gjitha ambasadat e huaja në Kosovë.

E të njëjtën gjë e ka përsëritur edhe gjatë ditës së djeshme, ku ka shtruar pyetjen se ‘pse veteranët e rrejshëm duhet të marrin pensione?’.

Por, nga institucionet shtetërore nuk ka pasur asnjë reagim lidhur me deklaratat e ambasadorëve ndërkombëtar. Kurse drejtësia kosovare vendosi se veteranët e rrejshëm të marrin ende pensionet e tyre.

Image
Faton Abdullahu

E lidhur me këtë çështje, analisti Faton Abdullahu në një bisedë për gazetën “Kosova Sot” është shprehur se këta veteranë janë të kushtëzuar, ku në shkëmbim të parave që i marrin, e kanë vendosjen e votove tek njerëzit që u kanë ofruar këtë mundësi.

“Thjeshtë veteranët e rrejshëm janë vota të kushtëzuara me pagesë. Kam përshtypjen se nuk është punë gabimi, bile as mashtrimi. Po të ishte kështu nuk do të mund të kishim sot numër kaq të madh të veteranëve të rrejshëm dhe ky problem nuk do të ishte aq gjatë i pazgjidhshëm. Nëse grupe të caktuara njerëzish, edhe pse kanë pasur të gjitha mundësitë, kushtet dhe kohë të mjaftueshme në dispozicion, kanë vendosur me vetëdije të plotë të ndajnë mjete për njerëzit që nuk kanë qenë në luftë, kjo tregon se me paranë publike këto grupe të interesit, klane partiake dhe matrapaz, kanë ble vota”, tha Abdullahu për “Kosova Sot”.

Sipas tij, çështja e veteranëve do të shkojë shumë gjatë, derisa pushtetarët bëjnë pazar votash me paranë publike. 

“Me paranë publike kanë vendosur ta blejnë vartësinë politike. Duke e shfrytëzuar gjendjen e keqe ekonomike të shumë familjeve, ata kanë kushtëzuar përkushtimin partiak e klanor dhe atë jo për një palë zgjedhje, por për të gjitha zgjedhjet e ardhshme. Kjo është arsye pse nuk ka pas vullnet që ky realitet ofendues të zgjidhet shpejt dhe mirë dhe të dal qysh moti nga agjenda qeverisëse e këtij koalicioni. Kjo është patate e nxehtë që kjo qeveri e shquar me mungesë guximi do të ja lë qëllimisht qeverisë së ardhshme në duar”, është shprehur Abdullahu.

“Kot flet ambasadori zviceran, mund të flasin edhe shumë ambasador të tjerë, ky realitet ofendues nuk do të ndryshoj nga kjo qeveri dhe nga ky koalicion. Aq më shumë mund të konstatohet kështu kur si duket të gjithë kanë hetuar se kjo legjislaturë nuk do ta përfundoj mandatin e saj të rregullt, por do të ketë zgjedhje të parakohshme”, përfundoi analisti Faton Abdullahu për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)