Preteni: Rezultatet zero në luftën kundër korrupsionit

  • 18 April 2019 - 18:36
Preteni: Rezultatet zero në luftën kundër korrupsionit

Analisti Hasan Preteni theksoi se nëse parashtrohet si kusht për liberalizimin e vizave lufta kundër korrupsionit, atëherë qytetarët e Kosovës mos të shpresojnë fare.

"Ka retorikë politike se po luftohet korrupsioni duke i ndryshuar ligjet e duke organizuar tryeza koti. Nuk na duhen analiza tjera, 'Transparency International', raporti i Progresit dhe Departamenti Amerikan i Shtetit janë barometrat kryesorë se si dhe sa po luftohet korrupsioni. Ka regres në listën e TI-së, ka regres edhe në raportet tjera. Asnjë hetues, asnjë prokuror, asnjë gjyqtar dhe asnjë titullar i institucioneve që kanë për mision luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është sanksionuar, larguar ose dënuar në aspektin disiplinor për mosefikasitet, përkundrazi poltronizmi i tyre u ka shërbyer për ngritje dhe avancim. Ka publikime të numrave që nuk tregojnë asgjë. Cili është rasti që po hetohet dhe kush u dënua për korrupsion dhe krim të organizuar. Asnjë dënim", u shpreh ai për "Kosova Sot". 

"Është e vërtetë se disa raste janë në proces, por analizoni se çka po ndodh aty, në një seancë vijnë prokurorët e nuk vijnë avokatët, në tjetrën ndodh e kundërta dhe kështu për arsye procedurale aty shtyhen në pafundësi derisa të mbyllen krejt. Rasti i veteranëve dhe rasti 'Toka' janë raste tipike të llojit të vet. Kështu do të përfundojnë edhe të gjitha rastet që tani janë bartur nga EULEX-i. Sa ishin mekanizmat ndërkombëtarë së paku ekzistonte një dozë shprese, tani me vendorët shpresa nuk ekziston fare", potencoi Preteni.

(Kosova Sot)