Preteni: Të disiplinohen prokurorët e gjyqtarët

  • 19 April 2019 - 12:35
Preteni: Të disiplinohen prokurorët e gjyqtarët

Analisti Hasan Preteni tha se Këshilli Prokurorial mund të zotohet për disiplinimin e vetëm të prokurorëve, gjyqtarët disiplinohen dhe kontrollohen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.

“Fjala disiplinim mund të përdoret në konotacione të ndryshme, disiplinimi mund të kuptojë edhe detyrimi për të vepruar ashtu siç kërkojnë titullarët. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të "disiplinohen" vetëm duke u kërkuar llogaridhënie. Secili nga ata duhet të japë llogari për punën e vet, për rastet që i trajton dhe për rastet që i fiton. Asnjë prokurorë nuk duhet të hapë një rast nëse nuk është i sigurt se do ta fiton.

Hapja e rasteve vetëm për të rritur numrin e rasteve dhe mbyllja e tyre pa asnjë veprim, kjo është lojë me shifra dhe lojë me publikun. Masat e tjera që e rrisin efikasitetin e prokurorive janë edhe moslejimi i punësimeve të shumëfishta, mospërfitimi material nga vendimet joligjore, siç është vendimi i Qeverisë për rritjen e pagave dhe jetësimi real i meritokracisë. Vetëm ata që arrijnë rezultate në punë duhet të avancohen dhe përparojnë. Stimulime të ketë vetëm për ata që arrijnë të ndalojnë dhe hetojnë raste ku buxheti i vendit dëmtohet skajshmërisht. Ka edhe shumë metoda të tjera, të cilat nuk janë të panjohura për prokurorët tanë, e dinë ata dhe i kanë parë gjatë vizitave të shumta që ua bëjnë homologëve gjithandej.

Të merren praktikat e mira nga e gjithë bota, duke filluar nga Kroacia e Maqedonia. Nuk është vështirë të jetë i suksesshme, duhet të ketë vullnet dhe kaq. Të instalohet transparenca dhe llogaridhënia,kaq”, tha Preteni për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)