Kandidati për president të Ukrainës premton referendum për NATO-n

  • 19 April 2019 - 16:09
Kandidati për president të Ukrainës premton referendum për NATO-n

Kandidati kryesor për president të Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, është zotuar se nëse zgjidhet në krye të shtetit, do ta organizojë një referendum për atë se a duhet të anëtarësohet shteti i tij në NATO apo jo.

Zelensiky, i cili me profesion është aktor i komedive, është duke prirë në garën për president kundër presidentit aktual, Petro Poroshenko. Ai ka thënë se Ukraina e ka zgjedhur në mënyrë të qartë rrugën drejt Evropës. Sidoqoftë, sipas tij, është shumë e rëndësishme që për anëtarësimin në NATO të ketë konsensus gjithëkombëtar.

“Është e qartë që NATO-ja nënkupton siguri dhe nivel të lartë të ushtrisë, por unë dua ta bashkoj vendin”, tha ai.

Zelenskiy shtoi se do të bënte përpjekje që t’ua ndërrojë përshtypjen për NATO-n popullsisë që jeton në pjesën lindore të Ukrainës.

“Do të bëj thirrje të përditshme përmes videos për rajonet lindore që t’iu tregoj se NATO-ja nuk është një bishë që do t’i përpijë”, tha kandidati për president.

Edhe kundërkandidati i tij, Petro Poroshenko, ka bërë thirrje për anëtarësim të Ukrainës në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ndonëse një gjë e tillë është vështirë e arritshme për shkak të nivelit të lartë të korrupsionit dhe konfliktit të armatosur me separatistët e mbështetur nga Rusia, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot)