Kryeministri, Kryeparlamentari dhe BIK’u heshtin pas kthimit të kosovarëve nga Siria

  • 21 prill 2019 - 12:51
Kryeministri, Kryeparlamentari dhe BIK’u heshtin pas kthimit të kosovarëve nga Siria

Liderët shtetërorë kanë zgjedhur të heshtin rreth kthimit të kosovarëve nga zona e konfliktit në Siri. Përveç Presidentit Hashim Thaçi dhe Ministrit Behgjet Pacolli, asnjë prej liderëve të tjerë nuk është deklaruar rreth kësaj teme. Për këtë rast nuk janë deklaruar as në Bashkësinë Islame të Kosovës. Ndërkohë, shumica e 110 të kthyerit nga Siria po vazhdojnë të mbahen në Qendrën për të Huajt në Vranidoll dhe katër prej tyre në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Derisa gjithë bota i kishte kthyer sytë nga Kosova për kthimin e 110 kosovarëve nga zona e konfliktit në Siri e Irak, liderëve shtetërorë në vend duket se nuk u bëri shumë përshtypje kthimi i tyre.

Përveç që nuk i vizituan, ata nuk morën mundin as që të shkruajnë dy fjali në Facebok sikurse veprojnë zakonisht. Ndonëse shpesh deklarohen për çështje “të kota”, e shtuna duket se i zëri “në gjumë”.

Të vetmit që u deklaruan rreth kësaj çështje ishin Presidenti Hashim Thaçi dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

I pari që përshëndeti kthimin e tyre ishte Presidenti Thaçi. Ai nëpërmjet një postimi në Facebook tha se kjo u bë e mundur falë një pune të mrekullueshme të institucioneve tona në bashkëpunim të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë.

 “Kthimi i mbi 100 shtetasve tanë nga Siria, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, u bë i mundur falë një pune të mrekullueshme të institucioneve tona, të cilat bashkëpunuan ngushtë me partnerët ndërkombëtarë”, tha Thaçi.

I pari i shtetit deklaroi se tash është shumë i rëndësishëm trajtimi i profesionalizëm i të gjithë të kthyerve. Derisa shtoi se Kosova është e përkushtuar përkrah partnerëve ndërkombëtarë në luftimin e çdo terrorizmi dhe ekstremizmi që cenon vlerat perëndimore.

“Tani është shumë i rëndësishëm trajtimi me profesionalizëm i të gjithë të kthyerve. Po ashtu, çdo mbështetje prej të afërmve dhe komuniteteve të tyre, të kthyerve u ndihmon të riintegrohen sa më shpejt në shoqërinë tonë. Kosova është e orientuar kah vlerat perëndimore dhe është e përkushtuar përkrah partnerëve ndërkombëtarë në luftimin e çdo terrorizmi dhe ekstremizmi që cenon këto vlera! HTH”, shkroi Thaçi.

Pak minuta pas Thaçit, erdhi reagimi edhe nga Behgjet Pacolli.

Pacolli falënderoi qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Forcat Demokratike Siriane për sjelljen e 110 kosovarëve nga Siria.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social Tëitter, ai tha se ligji do të zbatohet.

“Mirëpres kthimin e 110 shtetasve kosovarë nga Siria. Ne kemi vendosur një shembull për Koalicionin Global dhe MS që të qëndrojë në përputhje me obligimet ndaj qytetarëve tanë dhe qëllimet tona si koalicion. Mirënjohës ndaj përkrahjes së qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe Forcave Demokratike Siriane për bashkëpunim. Ligji do të zbatohet”, shkroi Pacolli.

Për dallim prej tyre, Kryeministri Ramush Haradinaj dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli nuk “lëshuan” asnjë zë për kthimin e tyre.

Deklarata e fundit e Haradinajt për ta, ishte kur alarmoi për rrezikun nga gratë kosovare që kishin marrë rrugën për në Siri. Haradinaj kishte thënë se ato kishin bërë fëmijë me komandantë të ISIS’it.

 “Një çështje që na preokupon ka të bëjë me gratë të cilat kanë bërë fëmijë me të huaj jo kosovarë. Nganjëherë ne nuk e dimë se me kë i kanë fëmijët këto gra. Ata mund të jenë fëmijë të komandantëve të ISIS-it. OJQ-të radikale dhe imamët lokalë kanë bërë propagandë sistematike për më shumë se një dekadë, duke e bërë atraktive idenë e shkuarjes në Siri nëpërmjet ofrimit të të ardhurave për fëmijët e paarsimuar”, kishte thënë Haradinaj për Daily Beast.

Reagime nuk pati as nga liderët e partive politike që zakonisht kanë mendim për çdo çështje. Isa Mustafa, Albin Kurti e Fatmir Limaj nuk e dhanë asnjë deklartë për këtë temë. Postimet e tyre të fundit janë për Festën e Pashkëve.

Edhe në Bashkësinë Islame të Kosovës nuk e kanë dhënë asnjë fjalë për këtë temë.

Asnjë fjalë për këtë temë s’e kanë thënë as Zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj e Fatmir Limaj. Ka heshtur edhe Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës e cila kishte qenë aktive ndaj shkuarjes së kosovarëve në Siri sa ishte në krye të Shtetit.

Ndërkohë, të premten në Kosovë janë kthyer 100 shtetas kosovarë që kishin qenë pjesëmarrës në luftën në Siri. Bëhet fjalë për 4 luftëtarë 32 gra dhe 74 fëmijë (përfshirë 9 fëmijë pa prindër).

Kthimi i kosovarëve nga Siria u bë përmes aeroportit “Adem Jashari”, i cili ishte i rrethuar nga forcat policore mbrëmjen e së premtes deri në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës.

Për 4 luftëtarët është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Media  përmes shumë burimeve brenda organeve të hetuesisë ka arritur që të mësojë se kush janë kosovarët që luftuan një kohë në zonat e konfliktit në Siri për t’u kthyer mbrëmë në Kosovë.

“Agon Misini, Arijan Kryeziu (Krujezi), Rexhë Tafaj dhe Visar Qukovci…janë katër burrat që luftuan në Siri e tash ndodhen në prangat e policië”, tha ky burim. Për ta, Prokuroria Speciale ka kërkuar që të vazhdohet paraburgimi, derisa sot pritet të vendosë Gjykata për ta.

Të kthyerit nga Siria në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës, janë dërguar në qendrën për azil në fshatin Vranidoll i cili gjendet në periferi të Prishtinës.

Shteti ka garantuar se atyre do t’u bëhen kontrollat mjekësore si dhe do të punohet që të njejtit të integrohen në shoqëri.

Media  ka kontaktuar ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahirin për të marrë vesh se a kanë të drejtë që të kthyerit të takohen me familjarët, i cili nuk ka dashur të jap detaje duke thënë se çdo gjë është e koordinuar dhe dikush nga të kthyerit lëshohet për në shtëpi me herët e dikush më vonë.

“Gjithçka eshte e kordinuar me policinë dhe MPB-në, për kontakte me familjaret e të gjitha. Dikush lirohet me herët e dikush më vonë”, tha Tahiri.

Por, media mëson nga burime të sigurta brenda organeve të sigurisë së të kthyerit do të qëndrojnë në qendrën e azilkërkuesve në Vranidoll 72 orë (3 ditë) më pas do të lirohen për në shtëpitë e tyre.

“72 orë kanë me nejt në Vranidoll, pastaj shpërndahen te familjet e tyre”, tha ky burim.

Duket se për shkak të procedurave ligjore- derisa të kalojë kjo periudhë kohore, familjarët nuk do të kenë mundësi të takohem me të kthyerit nga Siria.

Por, pavarësisht se disa prej kosovarëve u kthyen nga Siria, atje vazhdojnë të mbesin edhe rreth 90 të tjerë.

Përmes një konference të thirrur për media, dje Drejtori i Policisë Rashit Qalaj konfirmoi se ende nuk kanë arritur t’i kthejnë të gjithë qytetarët ndërsa dha shifra se edhe sa kosovarë ndodhen në Siri.

“Janë 30 luftëtarë 49 gra dhe 8 fëmijë në zonat e konfliktit”, tha Qalaj, raporton Gazeta Express.

Në vazhdim pritet që edhe ata të kthehen në Kosovë, përderisa krejt ky veprim është i koordinuar me Amerikën.

Madje mëngjesin e djeshëm Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka përgëzuar institucionet e Republikës së Kosovës, për riatdhesimin e 110 kosovarëve të cilët kanë jetuar në Siri, 4 prej të cilëve kanë luftuar krah ISIS-t.

Sipas tyre me këtë veprim Kosova po vendos një standard të ri për Koalicionin Global për të mposhtur ISIS-in.

E, pjesëmarrës në konferencë ishte edhe ministri i drejtësisë Abelard Tahiri i cili tha se Kosova me ndihmën e Amerikës ka kthyer dhjetëra qytetarë nga zonat e luftës.

Shtoi se të njejtit kanë përjetuar peridhë traumatike ndërsa shteti do të merret me trajtimin dhe integrimin e tyre në shoqëri.

“Gra e fëmijë kemi arritur ti nxjerrim nga zonat e konfliktit, që janë shfrytëzuar dhe u është mohuar e ardhmja. Gratë dhe fëmijët meritojnë rehabilitim, e fëmijët e kanë vendin në shkolla.Kanë përjetuar peridhë të rëndë traumatike”, tha Tahiri

Ndaj atyre që u kthyen nga Siria, do të veprohet konform ligjit.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale janë arrestuar katër luftëtarë që u kthyen nga Siria, ata janë ndaluar për 48 orë”, tha Drejtori i Policisë së Kosovës Rashit Qalaj.

Ndryshe, Kosova ka hartuar një ligj në vitin 2015, me të cilin çdo person që merr pjesë në luftëra të huaja do të dënohet deri në 15 vjet burgim.

Shteti Islamik, i cili në vitin 2014 ka shpallur të ashtuquajturin kalifat në pjesë të Sirisë dhe Irakut, është raportuar se ka humbur kontrollin në territorin e fundit në muajin mars.

Ndryshe, javë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump, u ka bërë thirrje vendeve në Evropë që t’i marrin dhe gjykojnë luftëtarët e grupit militant Shteti Islamik.

Qeveria e Kosovës kishte thënë atëbotë se do të veprojë njësoj si edhe shtetet e tjera anëtare të koalicionit global kundër Shtetit Islamik.

Lajmi për vendimin e  autoriteteve të Republikës së Kosovës për të riatdhesuar 110 shtetas të saj të kthyer nga Siria, ka pushtuar të gjitha faqet e mediave botërore.

Që nga SHBA-ja e deri tek mediat e Arabisë Saudite, sot po raportohet për këtë veprim të institucioneve të Kosovës.

(Kosova Sot)