Bie konsumi, bizneset kosovare në gjah për investime jashtë

  • 22 April 2019 - 08:27
Bie konsumi, bizneset kosovare në gjah për investime jashtë

Grapci: Shumë të rinj po largohen nga vendi i tyre, për shkak të keqqeverisjes dhe politikës së inkriminuar

 “Rënia e konsumit shkakton dëme ekonomike. Rritet numri i të papunëve dhe bie buxheti. Kur bie buxheti preket edhe sektori publik, sepse sektori privat e mbush arkën e shtetit. Largimi i madh i qytetarëve do të ndodhë nga 1 janari i 2020-s, kur në Gjermani hyn në fuqi ligji i punës pa pasur nevojë të kesh një kontratë pune. Atëherë Kosova do të përballet me krizë të madhe ekonomike, sepse pa popull s'ka as ekonomi e as buxhet”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, analisti Faik Krasniqi 

Konsumi i kosovarëve ka filluar të bjerë, për shkak të largimit me të madh të njerëzve nga Kosova, qoftë me viza pune, qoftë edhe në mënyra të tjera ilegale, e kjo, sipas analistëve, do të reflektojë negativisht në përkeqësimin e biznesit ku sa më pak qytetarë, bie fuqia blerëse, dhe aq më pak do të ketë blerje e konsum. Sipas analistëve, edhe vetë bizneset do ta zhvendosin vëmendjen e tyre në vende të tjera, kur e shohin se një vend që po fundoset ekonomikisht nuk ka të ardhme as për bizneset e tyre. Sipas tyre, largimi i të rinjve do të ndikojë edhe në tkurrjen e interesimit të bizneseve të huaja për të investuar në vendin tonë pikërisht për shkak të pakësimit të popullatës së aftë për punë.

Image
Faik Krasniqi

Krasniqi: Bizneset vendore do të zhvendosen në vendet ku ka klimë të sigurt për të bërë biznes

Analisti Faik Krasniqi thekson se me tkurrjen e popullsisë bie edhe konsumi. “Rënia e konsumit shkakton dëme ekonomike. Rritet numri i të papunëve dhe bie buxheti. Kur bie buxheti preket edhe sektori publik, sepse sektori privat e mbush arkën e shtetit.

Largimi i madh i qytetarëve do të ndodhë nga 1 janari i 2020, kur në Gjermani hyn në fuqi ligji i punës pa pasur nevojë të kesh një kontrate pune. Atëherë Kosova do të përballet me krizë të madhe ekonomike, sepse pa popull s'ka as ekonomi e as buxhet”, është shprehur ai. Krasniqi ka theksuar për “Kosova Sot” se papunësia do të rritet akoma më shumë, sepse ekonomia është zinxhir. “Pa popullatë do të kemi zhvendosje edhe të bizneseve  vendore.

Bizneset vendore do të zhvendosen në vendet ku ka klimë të sigurt për të bërë biznes. Kur një vend ka tkurrje të popullsisë dhe ikje të bizneseve vendore, për bizneset e huaja s'do të jetë fare atraktive. Ikja e qytetarëve të Kosovës është si pasojë e politikanëve të korruptuar, që interesin personal e kanë vendosur para atij shtetëror. Korrupsioni, nepotizmi, humbja e shpresës, shëndetësi të sëmurë dhe arsim të degraduar, ka bërë që qytetarët mos ta shohin të ardhmen e tyre në Kosovë. Politikanët janë të vetëdijshëm për këtë gjë, por ata akoma jetojnë me ëndrrat e gomarit që shpresonte se ishte në ëndërr kur e hante ujku.

Kosovën pas dy viteve e shoh me një popullsi shumë të vogël, kryesisht me njerëz të moshuar, ekonomi për të ardhur keq, ku do të mungojnë edhe gjërat më elementare për shkak të deformimit ekonomik dhe demografik. Me dhjetëra shkolla do të mbyllen për shkak të mungesës së nxënësve që do të largohen me prindërit e tyre drejt vendeve të Perëndimit. Do të kemi më shumë vdekje sesa lindje, sepse më shumë do të kemi popullsi të vjetër”, është shprehur analisti Faik Krasniqi për “Kosova Sot”.

Image
Dardan Grapci

 Grapci: Bizneset e Kosovës do të kenë problem që në një të ardhme të afërt të gjejnë fuqi punëtore
Analisti Dardan Grapci është shprehur për “Kosova Sot” se ikja e madhe e qytetarëve nga Kosova në mënyrë legale dhe ilegale ka bërë që edhe shumë investitorë ta mendojnë se a të vijnë në Kosovë apo jo, duke e parë që shumë të rinj po largohen nga vendi i tyre për shkak të keqqeverisjes dhe politikës së inkriminuar dhe të korruptuar. 

“Bizneset e Kosovës do të kenë problem që në një të ardhme të afërt të gjejnë fuqi punëtore, sepse s’do të ketë më njerëz të duhur dhe të rinj që do të punojnë, prandaj me këtë mendoj që bizneset kosovare do të tentojnë të hyjnë në ndonjë treg ballkanik apo më gjerë. 

Biznesmenët dhe politika janë këta faktorë kryesorë që po i detyrojnë qytetarët të ikin nga vendi i tyre, prandaj që të parandalohet ky eksod i qytetarëve të Kosovës duhen që të krijojnë kushte dhe favore më profesionale për të rinjtë edhe për ata që po punojnë momentalisht. Këtu në Kosovë problemi kryesor është paga dhe sigurimi shëndetësor. Pa u rregulluar këto të dyja me ligj, qytetarët do të vazhdojnë të gjejnë alternativa të ndryshme të ikin nga ky shtet, në një shtet evropian që ta kenë një jetë sa më të mirë”, është shprehur Grapci.

 

Image
Kreshnik Kokollari

Kokollari: Ky vend është i krimbur nga krimi i organizuar

“Ikja e të rinjve dhe 'eksodet' e reja janë sinjal për mbarë establishmentin se ky vend ka marrë rrugëtim të gabuar. Një vend, i cili pretendon të ketë ' treg të lirë ', sot po eksporton fuqi punëtore për vendet perëndimore. Sot, ne po eksportojmë kapacitete të shkëlqyera në të gjitha fushat jetësore, sot po humbim shpresën për prosperitet dhe progres, meqenëse tanimë bizneset do të vajtojnë për mospunë dhe pa fuqi punëtore e kapacitete profesionale.

Aspak nuk janë relevante deklaratat se ka sot më shumë ose dje, por ikjet masive janë shqetësuese. Madje, edhe ato pak biznese që pretendonin të investonin në Kosovë, tashmë po shohin mundësitë për ikje dhe tërheqje përfundimtare nga ky vend i krimbur nga krimi i organizuar. Qeveria dhe institucionet duhet të investojnë në kapacitetet rinore ose do të mbetet pa shpresë dhe do të braktiset e tëra”, theksoi analisti Kreshnik Kokollari për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)