Maqedonia e Veriut/ Votohet Presidenti i pestë, ja kush kryeson

  • 22 April 2019 - 10:14
Maqedonia e Veriut/ Votohet Presidenti i pestë, ja kush kryeson

Stevo Pendarovski, kandidat i 31 partive në pushtet të udhëhequr nga Lidhja Social-Demokrate, është shpallur fitues në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut, por me një diferencë shumë të ngushtë kundrejt Gordana Siljanovskës të opozitës maqedonase.

Stevo Pendarovski, Lidhja Social-Demokrate

Sipas të dhënave paraprake të Komisionit shtetëror të zgjedhjeve, nga 98 për qind të vendvotimeve të numëruara, Pendarovski ka fituar me një diferencë prej rreth 1 mijë votave, 316.716 apo 42,72% kurse Siljanovska 315.651 apo 42,58% për qind.

Kandidati shqiptar, Blerim Reka, që ka mbështetjen e Aleancës për Shqiptarët ka fituar 76.697 apo 10,35%. Në zgjedhje kanë votuar 42.03 për qind nga rreth 1.8 milion qytetar me të drejtë vote.

Por, pavarësisht këtij rezultati dy partitë kryesore kanë shpallur fitoren në zgjedhje. Kryeministri Zoran Zaev, njëherit kryetar i LSDM-së tha se në zgjedhjet e së dielës ka fituar koncepti që çon para vendin ndërsa ka ftuar qytetarët që në balotazh të vulosin fitoren e kandidatit pro evropian, Stevo Pendarovski.

“Jam i bindur se në rrethin e dytë do të arrijmë edhe një vlerë evropiane, do të kemi President evropian për shtetin tonë. Pendarovski po udhëheq në zgjedhje fer dhe demokratike. Në këto zgjedhje do të vendoset se a do të ecim përpara apo do të kthehemi në izolim. Në rrethin e dytë kemi dy koncepte, të bashkimit dhe ecjes përpara, dhe konceptin e Siljanovskës, të ndarjes dhe kthimit pas. Është e qartë se në rrethin e dytë koncepti i Pendarovskit do të ketë mbështetje edhe më të madhe. Pres që edhe qytetarët që votuan për Blerim Rekën të na bashkohen në rrugën që çon para shtetin”, ka deklaruar Zaev.

Zhvillimet dje 

Votuesit në Maqedoni kanë hedhur votën për tre kandidatët për President në vendin e Ballkanit Perëndimor.

Të tre konkurruesit, për postin më së shumti ceremonial në këtë vend, janë të gjithë akademikë. Qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit dhe kanë qëndruar të hapura deri në orën 19:00.

Votimi ka kaluar në përgjithësi i qetë, por është karakterizuar nga një pjesëmarrje e ulët e votuesve, ku deri në orën 18:30 e kishin ushtruar të drejtën e votës vetëm 39.71 për qind e tyre, apo rreth 660 mijë votues nga 1,8 milionë njerëz me të drejtë vote. Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve nisi pas orës 21:00 publikimin e rezultateve të para.

Me 65.56 për qind të votave të numëruara rezulton se kandidati Stevo Pendarovski ka fituar 45,21 për qind, kandidatja Gordana Siljanovska Davkova ka marrë 41,39 për qind, ndërsa kandidati Blerim Reka ka marrë 11,81 për qind të votave të numëruara. Këto janë rezultatet e para dhe gjatë ditës së hënë pritet të mësohet rezultati i plotë i raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut.

KANDIDATËT

Konservatorja Gordana Siljanovska-Davkova, 63 vjeç, është një profesoreshë e ligjit kushtetues, garon si e pavarur, por është propozuar dhe mbështetet nga grupimi kryesor opozitar në Maqedoninë e Veriut, VMRO-DPMNE. Ajo ishte një kundërshtuese e fortë e marrëveshjes së fundmi me Greqinë për ndryshimin e emrit të vendit nga Maqedoni në Maqedonia e Veriut.

Pas votimit, ajo tha: “Këto janë zgjedhje të veçanta… Nëse nuk kaloj në raundin e dytë, do të votoj për kandidatin Blerim Reka”. Stevo Pendarovski, koordinatori i vendit për anëtarësimin në NATO, i nominuar nga Lidhja Social-Demokrate dhe 31 parti tjera, përfshirë BDI të Ali Ahmetit. Është një ish-këshilltar i sigurisë kombëtare për dy ish-presidentë të vendit, si dhe një nga mbështetësit më të fortë të marrëveshjes së emrit me Greqinë, duke vlerësuar se ndihmon anëtarësimin në NATO dhe rrit shpresat për anëtarësim në BE, me bisedimet që nisin në qershor.

Blerim Reka është një kandidat që e kishte të vështirë fitoren dhe një ish-ambasador në BE. Ai mbështetet nga dy parti të vogla shqiptare, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët. Presidenti në largim, Gjorge Ivanov, nuk mund të garojë përsëri për këtë post, pasi i ka konsumuar dy mandatet që i lejon Kushtetuta e vendit.

Nëse, deri pas përfundimit të numërimit të votave në këtë raund të parë të votimit në Maqedoninë e Veriut, asnjë nga kandidatët nuk ka arritur të marrë më shumë se 50 për qind të tyre, atëherë mbahet më 5 maj një raund i dytë, ku pjesëmarrja duhet të jetë më shumë se 40 për qind e 1.8 milionë njerëzve me të drejtë vote në vendin fqinj. Edhe pse roli i Presidentit është kryesisht ceremonial, ai ka të drejtën e nënshkrimit përfundimtar të legjislacionit dhe është udhëheqës i Ushtrisë.

Ja katër ish-presidentët e Maqedonisë

Që nga pavarësia e Maqedonisë, në postin e Presidentit janë zgjedhur katër njerëz. Presidenti i parë, Kiro Gligorov (1991-1999), e mori mandatin e parë nga Kuvendi i Maqedonisë, ndërsa për herë të dytë është zgjedhur në zgjedhjet e para të drejtpërdrejta presidenciale të mbajtura në tetor të vitit 1994. Ai i mbijetoi një atentati me makinë bombë në Shkup, duke pësuar lëndime të rënda në kokë, në vitin 1995.

Boris Trajkovski u inaugurua si Presidenti i dytë në radhë i Maqedonisë, më 15 dhjetor të vitit 1999. Kundërkandidatë të tij ishin Tito Petkovski, Vasill Tupurkovski, Muarem Nexhipi, Stojan Andov dhe Muhamed Halili. Trajkovski e ushtroi postin e Presidentit të Republikës së Maqedonisë prej 15 dhjetorit të vitit 1999 deri më 26 shkurt të vitit 2004, kur humbi jetën tragjikisht në fatkeqësi ajrore bashkë me tetë bashkëpunëtorët në afërsi të Mostarit, Bosnjë e Hercegovinë. Ai ishte 47 vjeç.

Në krye të shtetit qëndroi Lupço Ordanovski, kryetar i atëhershëm i Kuvendit. Branko Cërvenkovski, Presidenti i tretë i Maqedonisë (2004-2009), nga LSDM. Kundërkandidatë të tij ishin Gëzim Ostreni (BDI), Zudi Xhelili (PDSH) dhe Sashko Kedev (VMRO-DPMNE). Gjorge Ivanov, Presidenti i katërt dhe aktual i Maqedonisë ka mbajtur dy mandate (2009-2019). Kundërkandidatë të tij kanë qenë Lubomir Fërçkoski (LSDM), Imer Selmani (DR), Lube Boshkoski (i pavarur), Agron Buxhaku (BDI), Nano Ruzhin (PLD) dhe Mirushe Hoxha (PDSH).

(Kosova Sot)