Vrasësi i gazetares bullgare Marinova dënohet me 30 vjet burg

  • 23 April 2019 - 09:57
Vrasësi i gazetares bullgare Marinova dënohet me 30 vjet burg

Gjykata bullgare sot e gjykoi Severin Krasimirov me 30 vjet burg për shkak të dhunimit dhe vrasjes së gazetares Viktoria Marinova.

Trupi i Marinovës është gjetur më 6 tetor vitin e kaluar në lumin Danub në qytetin Ruse në Bullgarinë Veriore.

21-vjeçari i akuzuar, sot doli para gjykatës nën masa të rrepta sigurie dhe me pranga në duar, ku u deklarua fajtor dhe kërkoi që sa më shpejtë t’i shqiptohet aktgjykimi.

Hetuesit konstatuan se Krasimirov vet e ka kryer veprën.

Ai u arrestua në Gjermani, ku ishte arratisur ndërsa u kthye në Bullgari një javë pasi e kishte kryer vrasjen.

Me atë që u deklarua fajtor, Krasimirov iu shmang dënimit me burgim të përjetshëm. Ai ka mundësi në afat prej 15 ditësh të shtrojë ankesë për aktgjykimin.

(Kosova Sot)