Guraziu: Perandoria kriminale e biznesit

  • 23 April 2019 - 13:05
Guraziu: Perandoria kriminale e biznesit

Analisti politik Ragip Guraziu thotë se këto pozita deri më tani më së shumti i ka shfrytëzuar e ashtuquajtura mbretëri kriminale e perandorisë “Devolli”, duke qenë vazhdimisht mbi ligjin dhe Kushtetutën. ”Devollët ka kohë që janë dhe po mbeten mbi shtetin, ligjin, Kushtetutën dhe politikën kosovare. Dhe jo vetëm mbi Qeverinë, por unë po them edhe mbi Kuvendin, mbi Presidencën, sepse sikur po thuhet që vetëm Devollët kolliten këtu në Kosovë, duke i vënë nën sqetulla institucionet e Kosovës, prandaj edhe e kanë degraduar shtetin e Kosovës tej mase, derisa edhe prokuroria i ka futur veshët në lesh, sikur ka rënë në gjumë edhe vetë populli.

Duke qenë kështu edhe Kosova u shndërrua në shtet të korrupsionit e të krimit të organizuar, ku nëntoka kriminale në vend po gjen të gjitha mënyrat për të zhvatur e vjedhur buxhetin, për të marrë monopole kriminale, por edhe duke marrë edhe tituj “konsuj nderi” tek shtetet fqinjë, e të cilët tituj dyshohet se janë blerë nga mafio-oligarkët në Kosovë”, u shpreh ai.

“Kryesisht po keqpërdoren titujt e konsujve të nderit nga oligarkët kosovarë, duke dëmtuar edhe buxhetin e shtetit. Është fatkeqësi e madhe se si edhe përkundër faktit që 4 vite me parë gazeta “Kosova Sot” kishte raportuar dhe alarmuar se si Shkëlqim Devolli, pronar i “Devolli Corporation”, kishte importuar në vlerë 155 mijë euro, në vitin 2014, kur ishte liruar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, duke mashtruar se ky import është për përfaqësues diplomatik, duke u thirrur në titullin Konsull Nderi i Maqedonisë në Pejë, drejtësia nuk ka bërë asnjë hap të vetëm për të hetuar dhe për ta bërë publike të vërtetën para opinionit se çfarë faktesh dhe elementesh të veprës kriminale janë gjetur.

Për mua me të vërtetë është e pakuptueshme se si është e mundur që Prokuroria Speciale edhe pse kanë kaluar 5 vite nga ky abuzim, e që nuk është i vetmi, as që ka denjuar të hetojë apo të hapë rastin për shkeljet ligjore, ku biznesi i Shkëlqim Devollit nuk paguan TVSH, duke mashtruar se ky import është kinse për përfaqësues diplomatik”,theksoi Guraziu për “Kosova Sot”. Duhet të zbardhen faktet se si Shkëlqim Devolli e fsheh vlerën e gjithë mallit që e ka futur në Kosovë, duke mashtruar me furnizim për përfaqësues diplomatikë, duke abuzuar me miliona euro ku edhe është shkaktuar evazion fiskal nga kompanitë e Shkëlqim Devollit dhe të gjithë konsujve dhe oligarkëve të tjerë në Kosovë, të cilët kanë blerë këta tituj konsuj nderi për t’i ikur tatimit në Kosovë. Hetimet duhet të shkojnë thellë e të mos ndalen, sepse status si të Shkëlqim Devollit ka pasur edhe i vëllai i tij, Blerim Devolli, si Konsull Nderi i Shqipërisë në Pejë, por edhe Rrahim Pacolli dhe disa oligarkë të tjerë?!”, tha Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.

Sipas tij, prokuroria ka mjaft punë për të bërë e hetuar në të gjitha këto raste abuzimi. “Me të drejtë nga secili qytetar mund të shtrohet pyetja: Cilat janë përfitimet biznesore nga statusi diplomatik që e kanë mbajtur këta oligarkë dhe cili është dëmi që buxheti i Kosovës ka pësuar nga këto mashtrime me KONSUJ NDERI? Institucionet duhet të jenë transparente, sepse nuk ka kuptim dhe nuk është në funksion të mbrojtjes së interesave të shtetit heshtja e Doganës, e cila nuk i bën publike se sa importe ka pasur në Kosovë nga vëllezërit Devolli me kompanitë e tyre, por edhe konsujt e tjerë të ashtuquajtur konsuj nderi, duke u keqpërdorur titullin Konsull Nderi dhe duke bërë evazion fiskal”, tha Guraziu për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)