Akuza publike e Kurtit për shpërdorimin e subvencioneve në bujqësi, Prokuroria e shurdhër

  • 25 April 2019 - 07:59
Akuza publike e Kurtit për shpërdorimin e subvencioneve në bujqësi, Prokuroria e shurdhër

Shkodra: Prokuroria Speciale nuk ka guxim ta hetojë asnjërin prej tyre

“Këto donacione po keqpërdoren me të madhe dhe paratë, në vend se të shfrytëzohen për rritjen e prodhimtarisë vendore të fermerëve kosovarë, ato po shkojnë në xhepat e oligarkëve, ku krijohen humbjet në bujqësi dhe me këtë rast po përfitojnë jo ligjshëm oligarkë dhe trampolina të tyre, si Stavileci me shokë”, thotë për gazetën “Kosova Sot”, analisti Ali Hertica

Prokuroria Speciale po fle përballë akuzave publike që po bëhen. Albin Kurti akuzoi këshilltarin e Kadri Veselit, Blerand Stavilecin se ka marrë grante të mëdha për bujqësi nga Qeveria, dhe nëse Albin Kurti ka fakte, si ka mundësi që Prokuroria të mos i dijë këto gjëra? Kurti ka deklaruar se këshilltari i Veselit, ish- ministri i Bujqësisë, Blerand Stavileci është duke përfituar grante nga shteti.“Këta vjedhin edhe te subvencionet e fermerëve, siç e dimë.

Vjedhin me letra e pa to. Hartojnë gjoja “masa të posaçme” sa për ta krijuar një vegëz që paratë të dalin nga buxheti i shtetit e të kenë mundësi të sajojnë lista me njerëzit e tyre të afërt. Vetëm për këtë masën e veçantë, praktikisht u vodhën 3 milionë euro nga buxheti. Ky buxhet ishte buxhet i bujqësisë dedikuar fermerëve tanë. Këto 3 milionë euro i morën tre përfitues. Tre emra aksionarësh rezultojnë të jenë përfitues në dy grante. E midis tyre Këshilltari i Kryeparlamentarit Kadri Veseli, ish- ministri i Bujqësisë Blerand Stavileci, e krahas tij dhe kompania ‘Otvic’, e mikut të Kryeministrit dhe shefit të Rikallos, famëkeqit Radojçiq”, ka thënë Kurti. Por analistët shtrojnë pyetjen se si ka mundësi që të shpërdorohen kaq shuma të mëdha të parave e të mos japë përgjegjësi askush? Prokuroria Speciale, sipas tyre, nuk i heton këto akuza dhe pse nuk denjon të hapë raste për keqpërdorime dhe zhvatje që po bëhen çdo ditë. Lidhur me këto akuza ndaj MBPZHR-së, Leonora Arifi, zyrtare për komunikim, ka dhënë një përgjigje në pyetjet e gazetës.

Ajo ka thënë: “Bazuar në pyetjet tuaja lidhur me atë se a ka përfituar apo jo ish-Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Blerand Stavileci në ndonjërën nga masat mbështetëse në kuadër të Programit për Zhvillim Rural të shpallura në vitin 2018, ju njoftojmë se edhe pas kontrollit administrativ të të gjitha dosjeve të përfituesve, gjithashtu edhe të kompanive përfituese në kuadër të Masës së Veçantë për Investime në Zonat më pak të Zhvilluara, në asnjërën prej konzorciumeve nuk figuron si përfitues z. Blerand Stavileci”, është shprehur ajo. Akuzat e Kurtit i ka mohuar edhe vetë Stavileci përmes rrjetit social, ku e ka ftuar Kurtin për ballafaqim publik dhe ligjor, ndonëse nuk është përgjigjur në pyetjet e gazetës. Gjithashtu në pyetjet e gazetës nuk është përgjigjur as Prokuroria Speciale.

Image
Shefik Shkodra

Shkodra: Këta politikanë janë të pangopshëm

Analisti Shefik Shkodra theksoi për gazetën “Kosova Sot” se dihet qartë se, këtu nuk ka pasur e as që ka kurrfarë kontrolli dhe kurrfarë gjyqi e prokurorie. “Transparenca ka munguar gjithnjë për çdo donacion e grante si dhe ndihma të tjera. Prokuroritë dhe gjykatat janë rreptësishtë nën mbikëqyrjen e politikës. Ata flenë qetë. Këta politikanët tanë janë të pangopshëm. Po më duket, nuk ka person prej tyre që nuk ka plaçkitur në këtë vend. Se si i nxjerrin paratë prej llogarisë dhe i bartin në llogari tjetër, këtë e kanë mësuar nga 'mjeshtërit' e tyre.

Kjo farë mënyre hajdutërie është e thjeshtë për ta. Këta nuk dinë diçka të hairit e për dobi të vendit, se për zanatin e vjedhjeve, janë të parët. Dhe këta janë shumë. Nuk i zënë sallat gjyqeve në krejt Kosovën. Nuk ka rast për habi edhe për grantet për fermerët e bujqësisë. Nuk mund ta akuzojnë askënd, sepse të gjithë janë njësoj, varg e vi. Edhe Prokuroria Speciale mund të ketë hyrë me të njëjtin rreth, meqë nuk ka guxim ta hetojë asnjërin prej tyre”, theksoi analisti Shefik Shkodra për gazetën “Kosova Sot”.

Image
Ali Hertica

Hertica: Plaçkitje ordinere

Analisti Ali Hertica është shprehur për gazetën “Kosova Sot” se Prokuroria nuk po heton se si po jepen grantet, subvencionet në bujqësi ku po përfitojnë matrapazët. “Këto donacione po keqpërdoren me të madhe, dhe paratë në vend se të shfrytëzohen për rritjen e prodhimtarisë vendore të fermerëve kosovarë, ato po shkojnë në xhepat e oligarkëve, ku krijohen humbjet në bujqësi dhe me këtë rast po përfitojnë, jo ligjshëm oligarkë dhe trampolina të tyre, si Stavileci me shokë. Ministria e Bujqësisë asgjë nuk po bën për parandalimin e plaçkitjes ordinere nga grupet e caktuara e dhe në vend se të bashkëpunojnë me Prokurorinë e Kosovës, ata qëndrojnë indiferentë ndaj këtyre ngjarjeve”, është shprehur Hertica.

Image
Blerim Burjani

Burjani: Lufta politike në Kosovë po vjen duke u rritur

“Zënka e dhe ndërakuzat në politikë janë të vazhdueshme dhe të pandalshme. Gjithmonë në politikat ballkanike ka akuza, ndërakuza, mirëpo Prokuroria është e pavarur dhe reagon sipas detyrës zyrtare dhe kur ka mbledhur vetë prova.

Lufta politika në Kosovë po vjen duke u rritur, VV-ja po sillet gjithnjë e më agresive në opinion, por sidoqoftë PDK-ja është subjekt politik me përgjegjësi për gjendjen aktuale që mbretëron në të gjithë sektorët dhe në politikë të jashtme dhe kudo. Kjo parti po ballafaqohet me rënie të vazhdueshme të elektoratit dhe përplot zëra dëgjohen se janë keqbërës të shumëfishtë, keqmenaxhues dhe problematikë me rendnin dhe ligjin”, theksoi analisti Blerim Burjani për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)