Thaçi preferon takimet sekrete, samiti i Berlinit ia prish planin për ndarjen e Kosovës

  • 25 April 2019 - 08:13
Thaçi preferon takimet sekrete, samiti i Berlinit ia prish planin për ndarjen e Kosovës

Intervistë me ish-ambasadorin Islam Lauka

Jo vetëm kancelarja Merkel, por i gjithë spektri politik është qartësisht kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan

“Nga ky forum nuk mund të pritet ndonjë mrekulli, por kjo nuk ia ul aspak vlerën. Duket se për Thaçin kanë rëndësi parësore takimet e fshehta dypalëshe, kokë më kokë, preferencë që ai e pati shprehur publikisht, bashkë me Vuçiqin, në Alpbach të Austrisë, në gusht të vitit të kaluar. Formati i takimit të 29 prillit, përkundrazi, është shumëpalësh, i hapur dhe ujditë sekrete, dypalëshe, vështirë të gjejnë vend aty”, shprehet diplomati Islam Lauka për gazetën “Kosova Sot”

“Kosova Sot”: Gazeta gjermane ‘Tagesspiegel’ raportoi se Angela Merkel më 29 prill në Berlin dëshiron që të parandalojë idenë e Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit për shkëmbim të territoreve dhe korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. ‘Tagesspiel’ ndër të tjera thotë se mbështetëse e kësaj ideje për shkëmbim të territoreve është edhe ndërmjetësuesja e dialogut Prishtinë-Beograd, Federica Mogherini, të cilën Merkel nuk e ka njoftuar fare që po e organizon një takim të tillë në Berlin, por vetëm e ka ftuar si spektatore formale. Si po e vërteton edhe gazeta gjermane ‘Tagesspiegel’, se ideja për shkëmbim te territoreve është ide që po shtyhet përpara nga dyshja Thaçi e Vuçiq, ndërsa Angela Merkel është kundërshtarja më e fortë?

Islam Lauka: Në prag të takimit të 29 prillit, janë shfaqur shumë ide dhe mendime, lidhur me qëllimet e tij, rezultatet e pritshme dhe modalitete të tjera. Kjo është e kuptueshme, pasi aty do të flitet për Ballkanin Perëndimor, i cili konsiderohet si një “biznes i papërfunduar”. Edhe shkrimet e gazetave, të cilave ju iu referoheni, “Tagesspiegel” dhe “Der Standard” janë pjesë e këtij shqetësimi të përgjithshëm.

Gjermania është kundër ndarjes së Kosovës

“Kosova Sot”: Si e thekson gazeta gjermane, se pjesë e kësaj ideje është edhe Edi Rama, i cili thuhet se është ftuar në këtë takim në Berlin, bashkë me Vuçiqin dhe Thaçin. Pse pikërisht në Berlin mbahet ky takim?

Islam Lauka: Vetë fakti që takimi do të mbahet në Berlin dhe jo, ta zëmë, në Vjenë, e cila e ka mbështetur tezën e “korrigjimit “ të kufijve, apo në Paris, ku personalitete të njohura, si ish- Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, B. Kushner, janë shprehur pro saj,është domethënës. Në Gjermani, jo vetëm Kancelarja Merkel, por gjithë spektri politik është qartësisht kundër ndryshimit të kufijve në Ballkan. Në këtë kuptim, mesazhi i parë jepet me vetë vendin e mbajtjes së samitit- në kryeqytetin e vendit që është më i vendosuri dhe më konsekuenti në respektimin e kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Ky mesazh u drejtohet, në radhë të parë, aktorëve rajonalë, si Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, por edhe Përfaqësueses së BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Federika Mogerinit, të cilët bashkohen në një pikë:asnjëri prej tyre nuk ka pasur as nuk ka mandat për të biseduar për çështje të shkëmbimeve territoriale midis Kosovës dhe Serbisë.

“Kosova Sot”: A është qëllimi i kësaj konference në Gjermani,e të cilën Hashim Thaçi në intervistën e tij të fundit te Baton Haxhiu u përpoq ta nënvlerësojë, që Merkel dëshiron që të tregojë fuqinë dhe ndikimin e saj në Ballkanin Perëndimor?

Islam Lauka: Jam në dijeni të intervistës së Thaçit në Klan Kosova, ku, siç thoni ju, ai u përpoq të minimizojë rëndësinë e këtij takimi. Sipas mendimit tim, nga ky forum nuk mund të pritet ndonjë mrekulli, por kjo nuk ia ul aspak vlerën. Duket se për Thaçin kanë rëndësi parësore takimet e fshehta dypalëshe, kokë më kokë, preferencë që ai e pati shprehur publikisht, bashkë me Vuçiqin, në Alpbach të Austrisë, në gusht të vitit të kaluar. Formati i takimit të 29 prillit, përkundrazi, është shumëpalësh, i hapur dhe ujditë sekrete, dypalëshe, vështirë të gjejnë vend aty.

Mesazhi i samitit për aktorët rajonalë dhe Moskën

“Kosova Sot”: Si e raportoi këtë plan të ndarjes edhe gazeta austriake “Der Standard”, e cila ia kushtoi një artikull takimit e 29 prillit në Berlin,ku sipas kësaj medie, ideja për korrigjimin e kufijve e përmendur në opinion që nga mesi i vitit të kaluar, mes Kosovës dhe Serbisë, do të varroset në kryeqytetin gjerman dhe në këtë këndvështrim çfarë roli pritet të ketë samiti?

Islam Lauka: Mendoj që ky samit ka të bëjë më shumë me rikrijimin e klimës angazhuese të BE-së në rajonin tonë, sidomos, në kushtet e aktivizimit, gjithnjë e më të madh, të Rusisë në Ballkan. Kjo ka shumë rëndësi, pasi së shpejti do të zhvillohen zgjedhjet për Parlamentin Evropian dhe deri në fund të këtij viti do të ndryshohet krejt nomenklatura drejtuese e Brukselit. Ata që nuk do të ndryshojnë janë Merkel dhe Makron. Mesazhi që u drejtohet aktorëve rajonalë dhe jashtërajonalë, si Moska, është ky:pavarësisht zërave për mundësinë e forcimit të nacionalistëve dhe populistëve në Parlamentin Evropian, politika gjermane dhe ajo franceze e angazhimit ndaj Ballkanit Perëndimor do të mbetet e pandryshuar.

“Kosova Sot”: A është realisht Gjermania me kancelaren Merkel ajo që po mbron kufijtë e Kosovës, pasi pushtetarët kosovarë në krye me Hashim Thaçin tanimë e kanë bërë pazar territorin e veriut të Kosovës për ta amnistuar Thaçin nga Specialja, ndërkaq Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj, vetëm po ia bëjnë servisin (argatin) Hashim Thaçit!?

Islam Lauka: Hashim Thaçi, i cili mbron tezën e ndryshimit të kufijve Kosovë-Serbi, përfaqëson vetëm një segment të pushtetit. Segmentet e tjera janë shprehur për mbrojtjen e kufijve aktualë të Kosovës. Në bashkëpunim me aleatët tanë perëndimorë, SHBA, Gjermani, Britani e Madhe, NATO, kjo detyrë strategjike është plotësisht e realizueshme.

(Kosova Sot)