Vdekja e të riut në Mitrovicë-një muaj paraburgim për pronarin dhe punëkryesin e “Adriatikut”

  • 25 April 2019 - 15:41
Vdekja e të riut në Mitrovicë-një muaj paraburgim për pronarin dhe punëkryesin e “Adriatikut”

Prokuroria Themelore në Mitrovicë  – Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për dy të dyshuarit A.H dhe Q.H, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Kjo kërkesë është marrë parasysh nga Gjykata Themelore e cila iu ka caktuar të pandehurve masën e paraburgimit prej një muaji

Prokuroria ka bërë të ditur se ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit A.H  në cilësinë e pronarit dhe Q.H në cilësinë e punëkryesit, me datën 22 prill  sipas marrëveshjes në mes vete dhe pa u konsultuar me eksppertët përkatës për rrënimin e objekteve kanë filluar t’I kryejnë punët në objektin ndërtimor në objektin e ish-hotelit Adriatiku.

“Në kohën kur punëtorët – dëshmitarët A.M, M.M dhe S.H po pastronin objektin në katin e parë, viktima V.B kishte hipur në skelë dhe po prente shtyllën e katërt me rradhë të katit të parë të objektit, në këtë moment punëtorët-dëshmitarët e vërejnë se po shembet një pjesë e objektit dhe fillojnë të ikin në drejtim të derës së hyrjes, ndërsa viktima nuk arrin që të ikë dhe i njëjti mbetet nën rrënojën e objektit, dhe pas disa orëve nxjerrët pa shenja jete”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Ndërkaq gjyqtari i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, në seancën e mbajtur ditën e mërkurë me 24 prill ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, dhe i ka caktuar dy të dyshuarve masën e paraburgimit prej një (1) muaji.

(Kosova Sot)