Kosova në kolaps ligjor, drejtësinë e bëjnë mafio-politikanët

  • 27 April 2019 - 07:32
Kosova në kolaps ligjor, drejtësinë e bëjnë mafio-politikanët

Pushtetarët dirigjojnë secilin proces gjyqësor

“Shoqëria jonë është në kolaps institucional në shumë sfera, e në veçanti segmenti i sundimit të ligjit, i cili do të duhej të ishte digë e fortë që të ndalonte anarkinë, dhe të mos i amnistojë korrupsionin dhe figurat e larta publike në vend. Është për habi fakti që drejtësia jonë ende që sa kohë nuk ka ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta për punësimet në mënyrë kundërligjore, familjare e korrputive, që janë bërë në institucionet publike, si në PTK dhe në Telekom”, thotë Gent Gjini për “Kosova Sot”

Drejtësia vazhdon të mbetet një nga hallkat më të dobëta institucionale dhe pa pasur asnjë lëvizje dhe hap të vetëm drejt forcimit të shtetit ligjor. Analistët pyesin se deri kur do ta tolerojë Kosova këtë gjendje të brishtë në drejtësinë kosovare, dhe padrejtësitë e shumta në proceset e kurdisura gjyqësore kundër qytetarëve kosovarë të nëpërkëmbur nga (pa)drejtësia e ndikuar dhe e kapur nga politika e pushtetarët e inkriminuar me mafio-oligarkinë dhe nëntokën kriminale mercenare?

Sipas tyre, nuk ka shans që të shkapet drejtësia nga kapja e ndikimi i drejtpërdrejtë i mafio-oligarkëve të tejinkriminuar të politikës të lidhur me mafio-oligarkët e tejkriminalizuar të mafio-bizneseve kriminale që përbëjnë nëntokën kriminale e kërcënuese për qytetarët , bizneset e palidhura me pushtetin dhe vendin. Analistët vlerësojnë se është futur thellë krimi i organizuar në të tri pushtetet dhe në të dy nivelet e pushtetit: në Ekzekutiv, në Legjislativ, në Presidencë, në Gjyqësor, në Prokurori, në Polici, në avokati, në pushtetin komunal etj.

Image
Hasan Preteni

Kapja e shtetit, frikësuese

Analisti Hasan Preteni vlerëson për “Kosova Sot”, se Gjyqësori është në komë të thelle, por pse situata është e tillë fajin kryesor e ka politika. “Politika është ajo që e ka kapur fuqishëm ketë segment të shtetit. Kosova vetëm në aspektin administrativ i ka tri pushtete, në praktikë të gjitha janë në një ombrellë. Gjyqësori duhet të reflektojë pavarësi duke kërkuar atë që i takon ( ligje të mirëfillta dhe buxhet), kurse në veprimtari duhet të reflektojë pavarësi dhe efikasitet. Nuk duhet që politika t’u jap më shumë se që u takon, sepse kjo pastaj përdoret kundër tyre si mjet shantazhi. 

Te individët me integritet, me përkushtim dhe me vlera të tjera të larta morale dhe patriotike, shantazhi nuk mund të kalojë, gjithashtu edhe te institucionet me vlera të tilla epilogu është i njëjtë”, u shpreh ai. “Puno drejt dhe mirë, nuk mundesh të kërcënohesh e të shantazhohesh.

 Në realitet po ndodh e kundërta, thënë popullorçe "Kajta po e prish njeriun" lakmia për të pasur shumë dhe shpejt nuk po mund të kontrollohet. Sapo e lexova një aktgjykim të një gjykate Themelore, dënohet me burg një drejtor i një shkolle për 1500 euro, i ka marrë nga një restorant. Eu, Kosovë, vjedh miliona,dënohesh me kusht, vjedh 1500 euro shkon në burg. Është me rëndësi forma, jo përmbajtja”, potencoi Preteni. 

Shtet “Burdushash”

“Në një portal lexova që Qeveria po vazhdon të ndajë mjete nga fondi rezerve, vendime joligjore të përditshme, heshtje e hetuesisë, e "Burdushave" pa mbështetje politike, klanore e biznisore, dënime, sekuestrime dhe burgosje. Nuk ndryshohet Gjyqësori vetvetiu, duhet një cunami i fuqishëm të godet politikën e pastaj politikanët e pakorruptuar, patriotë, me integritet të shtrijnë influencën pozitive nëpër institucione të tjera të dy niveleve. Instalimi i mirëfilltë i transparencës dhe llogaridhënies është e vetmja rrugëdalje”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot”. 

Image
Gent Gjini

Ambasadorët mbështesin kauzën qytetare

Avokati Gent Gjini thotë se edhe vetë ambasadori amerikan,  Philip S. Kosnett i bashkëngjitët  kauzës ngjashëm ashtu si ambasadori anglez O Conell, reagimit qytetar, vetëdijesimit për ato parregullsi dhe padrejtësi të mëdha që po bëhen në vendin tonë, ndër më të ndryshmet, si nga punësime të “parashutistëve” me punësimet familjare, nepotizmit, korrupsionit, krimit të organizuar dhe dukurisë së ikjes në mënyrë masovike të qytetarëve nga shteti i Kosovës. “Shoqëria jonë është në kolaps institucional, në shumë sfera, e në veçanti segmenti i sundimit të ligjit, i cila do të duhej të ishte digë e fortë që të ndalonte anarkinë, dhe të mos i amnistojë korrupsionin dhe figurat e larta publike në vend.

Është për habi fakti që drejtësia jonë, ende që sa kohë nuk ka ndërmarrë veprime të drejtpërdrejta për punësimet në mënyrë kundërligjore, familjare e korrputive, që janë bëre në institucionet publike si në PTK dhe Telekom”, u shpreh ai për “Kosova Sot”. “Unë nga përvoja në punën time si avokat, di se prokurori në mandatin e tij, përveç të tjerash, ka edhe mandatin për ndalimin apo suspendimin e përkohshëm të personave që janë të punësuar, në këto forma kundërligjore, dhe veprimi i tillë padyshim do të ndikojë që të krijohet një klimë e sigurisë për ndryshim edhe të percepcionit  tek qytetarët apo ndërkombëtarët”, vijoi më tej Gjini

Image
Naim Miftari

Dështimi për shkak të politikës kriminale

“Problemi i dështimit në organe të drejtësisë zanafillën e ka qysh nga fillimi në politikën dhe në qeveritë e njëpasnjëshme të korruptuara, ku gjatë formimit të qeverive ndërrohen vetëm shefat, por nuk ndërron cilësia e keqe e një gjyqësie, prokurorie,policie, të kapura nga krimi i organizuar, krim që fshihet në politikë dhe përbëhet nga politikanët, bosët e korruptuar të pushtetit. Dështimi i proceseve dhe kurdisja e proceseve gjyqësore të urdhëruara nga LART tregon qartë se pranimi i gjyqtarëve, prokurorëve, shefave të policisë, shefave të AKI-së, bëhet me kurdisje, me pazare”, u shpreh Naim Miftari për “Kosova Sot”.

Image
Naim Kelmendi

“Peshqit” e korrupsionit u amnistuan

“Fatkeqësisht, edhe për kaq vite drejtësia kosovare nuk denjoi të nxjerrë në bankën e të akuzuarve "peshqit e mëdhenj"të krimit e korrupsionit,e të cilët kanë bërë skandale e hajni, por ata ligji e drejtësia vazhdojnë të mos i prekë, kjo edhe mbetet një dështim i drejtësisë kosovare kundrejt luftës më efikase ndaj krimit e korrupsionit  të nivelit të lartë...Kështu, pra, drejtësia kosovare vazhdon edhe më tutje të mbetet një nga hallkat më të dobëta institucionale dhe në vazhdimësi edhe këtë vit nuk mund të themi se ka pasur asnjë lëvizje kualitative dhe ndonjë hap të vetëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe kështu pra drejt fuqizimit të shtetit ligjor...

Pikërisht me forcimin dhe fuqizimin e shtetit ligjor drejtësia kosovare do të mund të ishte më efikase në luftën e krimit të organizuar apo korrupsionit,  por dhe do të kishim po ashtu edhe me shume efikasitet në sundim të ligjit dhe të drejtës. Në Kosovë vazhdon edhe më tutje të kemi një gjendje të brishtë në drejtësinë kosovare,po kështu këtë gjendje në ketë sistem të drejtësisë po e karakterizojnë padrejtësitë e shumta edhe në procese të kurdisura gjyqësore dhe kjo nuk i shkon assesi në dobi të një sistemi të shtetit të së drejtës dhe një sistemi të shëndoshë të drejtësisë”, tha Naim Kelmendi për “Kosova Sot”. 

(Kosova Sot)