Nepotizmi e varrosi shpresën e kosovarëve

  • 27 April 2019 - 07:38
 Nepotizmi e varrosi shpresën e kosovarëve

Kur del konkursi, komandantët dhe politikanët dërgojnë listat

“Është tepër i dhimbshëm dhe shqetësues fakti që një grup njerëzish janë shndërruar në vrasës të shpresave të qytetarëve, të cilët vendosin për çdo gjë dhe gjithçka në Kosovë, filluar nga shpallja e tenderëve e konkurseve e deri tek punësimet pa kritere në të gjitha institucionet shtetërore, filluar nga administrata, shkolla e fakultetet e deri në Qeveri e Presidencë, konsullata dhe ambasada gjithandej vendeve evroperëndimore, ku gjithnjë emërohen njerëz të afërt me politikën apo sekserë të tyre në diasporë. Kjo nuk është filozofia e ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit, por është logjika më primitive e kapjes dhe uzurpimit të shtetit nga politikanët e korruptuar kosovarë”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”

Nepotizmi, klientelizmi dhe militantizmi, mbesin sfidat e rënda të shtetit të Kosovës. Ambasadori britanik O’Connëll ka thënë se politikanët e komandantët po i dërgojnë listat për punësim. “Rekrutimi mbetet problematik në Kosovë, ne kemi pasur disa suksese me projektet, por disa nuk mund të them më shumë sesa gishtat e duarve, por çdo ditë kur shpallen vende punë në një institucion ose në një tjetër, në spital, fakultet, drejtori ka me marrë telefonatën prej dikujt, një politikani, nga një i ashtuquajtur komandant me listën e emrave. 

Në krejt e dimë dhe kjo është recetë për dështim shtetëror. Pra, vendimi i Qeverisë për të përdorur projektin e rekrutimit është i mirëseardhur dhe shpresojmë që do të kemi njerëz në bordin e OShP-së në bazë të meritës, sepse shumë është e rëndësishme”, ka theksuar diplomati britanik. Sipas analistëve, kjo është edhe një shuplakë për pushtetarët kosovarë, por duhet thënë hapur se kush janë komandantët për të cilët flet ambasadori britanik O’Connëll.

Sipas analistëve, ata po e keqpërdorin pushtetin dhe kjo është edhe një goditje e merituar  për Shpend Ahmetin dhe Fatmir Limajn të cilët kanë “rehatuar” familjaret ,dajallarët dhe tezakët e tyre në të ashtuquajturin Ekipi negociator e “pazarxhi “ i Kosovës.

Image
Muhamet Kelmendi

Në shtet po bëhet kërdia

“Fatmiri dhe Shpendi, si dhe Fatmirat e tjerë e Shpendat ka kohë që kanë filluar dhe tash i kanë dajallarët, partiakët, tezakët, kushërinjtë etj., të rehatuar. Nuk ka vend që NISMA nuk e ka keqpërdorur pozitën dhe ka futur kudo këta njerëz. Do të ishte ndoshta dëmi më i vogël sikurse këta të kishin dije dhe të zhvillonin a t’i kryenin detyrat konform ligjit. Veç kësaj, njerëzit e tillë, nga NISMA dhe nga partitë e tjera, që janë bërë ministra e kanë centralizuar pushtetin nëpër ministri, në mënyrë që të tjerët mos të përcjellin keqpërdorimet dhe vjedhjet e mëdha. 

Të vjen shume rëndë kur shikon se çka krejtësisht keqpërdoret dhe sesi veprohet me paranë e popullit nga këta matrapazë. Keqpërdorimet  po vazhdojnë. Nuk ka mundësi të ndalen. Këtë nuk e zgjidh kjo apo ajo parti, sikundër deklaron LDK-ja dhe VV-ja. E njëjta gjendje, ndoshta më e rëndë, është aty ku janë në pushtët këto parti. Në fakt, kudo nëpër ministri janë kryesisht njerëzit e LDK-së. Ata e kanë tërë pushtetin dhe çdo gjë varet nga ata. 

LDK-së dhe PDK-së nuk ia kalon kush. Kudo janë njerëzit e këtyre partive në pushtet. Kjo gjendje po ndryshon nëpër disa ministri, kryesisht ku u ka NISMA dhe AKR-ja. Faktet flasin se këtu kemi edhe keqësim të madh të gjendjes”, u shpreh Muhamet Kelmendi për “Kosova Sot”. 

Image
Florim Zeqa

Keqpërdorimi i pushtetit, i zakonshëm në Kosovë

“Keqpërdorimi i pushtetit nga ana e politikanëve për rehatimin  e militantëve partiakë dhe familjarëve të tyre është bërë shqetësim për diplomatët perëndimorë.

Reagimi i fundit i ambasadorit britanik O'Connëll ndaj politikanëve dhe komandantëve të djeshëm që po i dërgojnë listat për punësime në institucionet shtetërore, është goditje e fuqishme ndaj Shpend Ahmetit dhe Fatmir Limajt të cilët kanë rehatuar" familjaret, dajallarët dhe tezakët e tyre në të ashtuquajturin Ekip negociator apo më mirë të themi ekip pazarxhinjsh me territorin e Kosovës.

Vërtet  është shqetësuese për ndërkombëtarët dhe e dhimbshme për qytetarët e vendit çështja e punësimeve në sektorin publik. Kosova nuk është se po vuan për infrastrukturë ligjore, sa vuan nga moszbatimi i ligjeve.

“Është tepër i dhimbshëm dhe shqetësues fakti që një grup njerëzish janë shndërruar në vrasës të shpresave të qytetarëve, të cilët vendosin për çdo gjë dhe gjithçka në Kosove, filluar nga shpallja e tenderëve e konkurseve e deri tek punësimet pa kritere në të gjitha institucionet shtetërore, filluar nga administrata, shkolla e fakultet e deri në Qeveri e Presidencë, konsullata dhe ambasada gjithandej vendeve europerëndimore ku gjithnjë emërohen njerëz të afërt me politikën apo sekserë të tyre në diasporë. Kjo nuk është filozofia e ndërtimit dhe zhvillimit të shtetit, por është logjika më primitive e kapjes dhe uzurpimit të shtetit nga politikanët e korruptuar kosovarë”, thotë analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

Image
Ragip Guraziu

Ambasador, tregoji emrat

Analisti Ragip Guraziu thekson se edhe ambasadori britanik O’Connell hezitoi të përmend emrat e politikanëve dhe komandanteve që po i dërgojnë listat për punësim. “Pse atëherë kur kërkohej nga ne nga ndërkombëtarët, të tregohen emrat e komandantëve,që po përzihen në punën e politikës, tani një gjë të tillë po e bën edhe Ambasadori britanik O' Connell, kur ka thënë se politikanët dhe komandantët po i dërgojnë listat për punësim,atëherë pse nuk tregon emrat e atyre politikanëve dhe komandanteve z. Ambasador britanik O’Connell ?!”, ka thënë ai.

“Siç jemi të njoftuar, Ambasadori britanik O’Connell ka thënë se politikanët e komandantët po i dërgojnë listat për punësim. Rekrutimi mbetet problematik në Kosovë, ne kemi pasur disa suksese me projektet, por disa nuk mund të them më shumë sesa gishtat e duarve, por çdo ditë kur shpallen vende pune në një institucion ose në një tjetër, në spital, fakultet, drejtori ka me marrë telefonatën prej dikujt, një politikani, nga një i ashtuquajtur komandant me listën e emrave. Ne krejt e dimë dhe kjo është recetë për dështim shtetëror.

Ne krejt e dimë,ka thënë ai,por unë po i them se edhe ne krejt e dimë se kjo është recetë për dështim shteti,atëherë pse edhe ndërkombëtarët nuk po dilni me emra se kush janë këta politikanë dhe komandantë,ende do të vuajmë kështu dhe gabimet janë të një anshme nga dy palët,që këtë po e vuajnë qytetarët e Kosovës dhe askush tjetër”, ka theksuar Guraziu për “Kosova Sot”. Sipas tij, kjo është një shuplakë për pushtetarët kosovarë, po se po, por shuplakë duhet të jetë edhe për këta ambasadorë ndërkombëtarë.

Goditje për liderët

“Tani kush janë komandantët për të cilët flet ambasadori britanik O’Connell? Tani kështu po e keqpërdorin pushtetin politikanët për rehatimin e militantëve të tyre partiakë e familjarëve të tyre, tani na doli për lëndine , është kjo edhe një goditje e merituar për Shpend Ahmetin dhe Fatmir Limajn të cilët kanë “rehatuar” familjarët, dajallarët dhe tezakët e tyre në të ashtuquajturin Ekipi negociator e “pazarxhi “ i Kosovës, po se po, por edhe për ambasadorin britanik, sepse tani edhe këta ambasadorë që janë këtu me të tjerët segmentet politike, janë këtu për sundimin e ligjit,për shtrirjen e Kushtetutës në gjithë territorin e Kosovës,gjë që nuk ka ndodhur deri tani me dëshmi nga këta?!

Rasti konkret derisa edhe ambasadori britanik nuk del me emra të politikanëve dhe komandantëve ordinerë, po imiton thëniet e politikanëve se në Kosovë ka korrupsion, hajni malverzime e keqpërdorime,por emra s’ka”, ka thënë Ragip Guraziu për “Kosova Sot”.  

Image
Gani Qarri

Receta për dështim shtetëror

Analisti Gani Qarri shprehet se goditja më e re kundër pushtetarëve matrapazë e mafiozë të Kosovës ndodhi sërish nga ambasadori britanik dhe dashamirësi i mirënjohur i shtetit tonë, z.Ruari o`Conell, i cili tha hapur se politikanët e komandantët e kriminalizuar ende po i dërgojnë listat e personave me referenca direkte nga ata, për punësim nëpër të gjitha ndërmarrjet dhe institucionet shtetërore në vend. “Kështu që rekrutimi i kuadrove sipas meritës, vërtet mbetet edhe më tej, një sfidë e madhe e problematikë më vete në Kosovë, dhe siç deklaron vetë O`Conell, kanë pasur pak sukses me projektet e tyre, vetëm në disa raste e nuk mund të them më shumë sesa gishtat e duarve, thekson ai,përderisa çdo ditë kur shpallen vende pune në një institucion ose në një tjetër, në spital, fakultet,etj., drejtori merr telefonatën prej një politikani,apo një të ashtuquajturi komandant me listën e emrave të cilët "duhet" të punësohen”, u shpreh ai për “Kosova Sot”.

 “Ndaj, me të drejtë dhe plot arsye, shton O`Conell; ne krejt e dimë që kjo është recetë për dështim shtetëror, dhe vendimi i Qeverisë për të përdorur projektin e rekrutimit është i mirëseardhur e shpresojmë që do të kemi vërtet njerëz të përzgjedhur në bazë të meritës në bordin e OShP-s, sepse kjo është shumë e rëndësishme” për mbarëvajtjen e vendit, potencoi ky dashamirës i popullit dhe shtetit të Kosovës. 

Kjo ishte edhe një shuplake e "nxehtë" për pushtetarët e pandreqshëm e mafiozë kosovarë dhe të gjithë komandantët destruktivë, e politikanët e kriminalizuar në vend, për të cilët flet edhe ambasadori britanik O’Connell, që nga Hashim Thaçi e deri te Kadri Veseli, Fatmir Limaj,Shpend Ahmeti etj.,të cilët hapur po i keqpërdorin, pozitat dhe pushtetin për rehatimin e militantëve të tyre partiake dhe familjarëve të vet, deri te dajallarët dhe tezakët, si në të ashtuquajturin Ekipi negociator e “pazarxhi “ të Kosovës”, ka potencuar Gani Qarri.

(Kosova Sot)