Vrasje, vdekje në vendin e punës. Krejt çka ndodhi për një javë në Kosovë

  • 28 April 2019 - 08:30
Vrasje, vdekje në vendin e punës. Krejt çka ndodhi për një javë në Kosovë

Kosova  trondit gjatë ditës së shtunë kur në media u raportua për një krim që ndodhi brenda një familjeje. Një nënë nga Prizreni për motive ende të paqarta e mbyti foshnjën e saj të porsalindur duke e fshehur pastaj në tavaninë e shtëpisë ku ajo jetonte. Ajo u arrestua nga policia. E si pasojë e një konflikti familjar gjatë kësaj jave që po e lemë pas mbeten të vdekur edhe tre persona të familjes Krasniqi nga Prishtina. Hasan Krasniqi, 61 vjeç, i mori jetën gruas së tij si dhe nuses së djalit, e cila kishte 27 vjet, Remzie Krasniqit. Pas këtyre dy vrasjeve, 61-vjeçari vrau edhe vtën. Motivet e këtij rasti të rëndë ende nuk janë plotësisht të qarta. Por një tragjedi ndodhi edhe në Mitrovicë të hënen. Aty si pasojë e shembjes së një objekti, në mënyrë tragjike vdiq 27-vjeçari, Visar Behrami. E në Pejë një polic tentoi t’ia marrë jetën vetes.

Para gjashtë ditësh në një shtëpi në qendër të Prizrenit, një grua solli në jetë një foshnje të gjinisë mashkullore. Procesin e lindjes gruaja me inicialet M.B. e bëri e vetme në një dhomë. E shenjat ende nuk janë larguar nga vendi ku e solli në jetë djalin e saj. Megjithatë ai nuk jetoi gjatë. Nga dhoma ku lindi, 27-vjeçarja e dërgoi foshnjën e saj në tavanin e shtëpisë, ku edhe dyshohet se e privoi nga jeta. Këtë akt, sipas familjarëve të saj dyshohet se ajo e kreu duke përdorur një mbështjellës të rrobave.

Për këtë punë, hetime tashmë ka nisur edhe Prokuroria e Shtetit. Nëna në fjalë është arrestuar.

E të hënën që po e lemë pas,  në Prishtinë gjatë një konflikti familjar mbetën të vdekur tre anëtarë të një familjeje

Ngjarja tragjike ndodhi pasditen e së hënës në lagjen “Dardania” të Prishtinës. Brenda një banese 61-vjeçari, Hasan Krasniqi, ua mori jetën gruas së tij si dhe nuses së djalit, e cila i kishte 27 vjet.

Media, gjatë gjithë ditës së djeshme ka sjellë detaje te lexuesit e saj për këtë krim të rëndë.

Krimi në Prishtinë: Dy viktimat dhe djali i tyre

Para se të kryente aktin makabër, Hasan Krasniqi, 61 vjeç, mori vajzën 2-vjeçare të djalit të tij, Kreshnikut, dhe e dërgoi te fqinjët. Me t’u kthyer në banesë, e pati të qartë atë se çka e kishte ndër mend të bënte. Cak i tij ishte gruaja me të cilën kishte vite që nuk po flisnin, derisa e vdekur mbeti dhe gruaja e djalit, 27-vjeçarja Remzie Krasniqi. Pas këtij akti makabër, ai telefonoi djalin e tij (Kreshnikun) për t’i thënë vetëm diçka: “nanën e gruan t’i rahatova, tash pe rahatoj veten”. Media  sjell historinë e vrasjes së trefishtë në Prishtinë.

Ka disa vite që në familjen Krasniqi kishin filluar problemet, e burim i tyre ishte vetë kryefamiljari, Hasan Krasniqi, 61 vjeç.

Ish-arsimtari, për gati 10 vjet, siç deklarojnë familjarët e ata që e kishin njohur nga afër, u kishte bërë presion gruas së tij, Hysnijes, (të cilën kishte tentuar edhe ta vriste) e katër fëmijëve të tij.

Për një kohë, madje familja kishte qëndruar larg tij, përderisa paraqitjet që disa herë kishte bërë në polici nuk kishin ndikuar që ai të ndryshonte apo ta përmirësonte sjelljen.

Ishin bërë katër vjet që gruaja e tij, Hysnija, as nuk po fliste me të, teksa po mendonte edhe ndarjen, por kjo nuk shihej as si opsion për Krasniqin. 60-vjeçaren përveç se e kishte rrahur disa herë, kishte tentuar ta vriste duke e lënë me lëndime trupore.

Pas tentimit të vrasjes, Hysnije Krasniqi, së bashku me djalin e saj Kreshnikun e gruan e tij, që mbeti e vdekur dje, Remzijen, ishin larguar nga shtëpia, për t’u kthyer pas gjashtë muajve, kur 61-vjeçari do t’u premtonte se kishte ndryshuar, e nuk do t’i shqetësonte më.

Asgjë çka kishte premtuar Hasan Krasniqi nuk ndodhi. Problemet në familjen e tij kishin vazhduar deri sot, kur ai me armën që nuk kishte shumë kohë që e kishte blerë do ta vriste së pari gruan e tij, pastaj nusen e djalit (Remzijen) e më vonë edhe veten.

Për rastin është deklaruar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Imer Beka.

“Motivet ende nuk keni mundur me i marrë siç duhet, vetëm dimë se personi që e ka bërë këtë vepër ka qenë me probleme psikike ose mendore. Sipas djalit të tij shpeshherë është kontrolluar në psikiatri”, ka thënë Beka.

“Vëllai i viktimës femër e vitit ’59, në një bisedë jashtë kamerave ka thënë se të dy bashkëshortët kane qenë duke ndjekur procedura për shkurorëzim pasi kanë pasur probleme martesore. Ndërsa djali dhe reja e tij nuk kanë qenë duke jetuar në të njëjtën banesë”, ka thënë Beka.

Ai, gjithashtu, tha se dorasi pas vrasjes së gruas së tij dhe rejës ka telefonuar djalin e tij duke i thënë se i ka vrarë nënën dhe gruan.

Trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

Tragjedia në Mitrovicë: Vdes 27-vjeçari derisa po punonte

Pak orë pas krimit në Prishtinë, ndodhi një tragjedi në Mitrovicën e Jugut. Aty si pasojë e shembjes së një hoteli ndërroi jetë një 27-vjeçar. Bëhet fjalë për të riun, Visar Behrami nga ky qytet.

I ndjeri në momentin e tragjedisë, ishte duke punuar në objektin e ish-hotelit bashkë me tre punëtorë të tjerë, kur një pjesë e këtij objekti u shemb në orët e pasdites së të hënës. I ndjeri kishte mbetur nën rrënoja për më shumë se pesë orë.

Nga ora 17:00 e deri pak pas mesnatës kanë zgjatur kërkimet e ekipeve të shpëtimit, Policisë së Kosovës, zjarrfikësve dhe FSK-së për gjetjen e trupit të të riut nga Mitrovica.

Është bërë e ditur nga prokurorja e rastit, Fetije Bajrami, se janë ndaluar nga policia dy persona lidhur me këtë rast, punëdhënësi dhe punëkryesi në objektin e ish-hotelit.

Pejë: Polici tenton të vetëvritet

E në qytetin e Pejës një person ka tentuar t’ia marrë jetën vetes. Esat Sejfiq, pjesëtar i Policisë së Kosovës, dyshohet se ka tentuar të kryejë vetëvrasje me armë zjarri. Rasti ka ndodhur të dielën në orën 10:00 në Pejë.

Sipas burimeve, polici e ka qëlluar veten dy herë me armë. Rasti ka ndodhur në lagjen Brestovik, afër shtëpisë së tij.

Për rastin është deklaruar edhe Policia e Kosovës, sipas së cilës i plagosuri fillimisht ishte dërguar në spitalin rajonal në Pejë me dy plagë nga arma e zjarrit, ndërsa prej aty është transferuar në QKUK ku po vazhdon ende trajtimin.

Ndërkohë gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë stabile. Kështu i tha të martën media, zëdhënësi i policisë në Pejë, Driton Rugova.

“Gjendja e tij shëndetësore është stabile. Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar”, tha për media Rugova. 

(Kosova Sot)