Rrahën me sëpata, familjarët nga Rugova përleshën për mal

  • 28 April 2019 - 14:15
Rrahën me sëpata, familjarët nga Rugova përleshën për mal

Prokuroria Themelore e Pejës, ka parashtruar kërkesën për caktimin e masës se paraburgimit ndaj tre personave, me dyshimin se të njëjtit kishin për të kryer veprën penale Lëndim i rëndë trupor. Në këtë rrahje janë përdorur mjete të forta, si sëpata. Ndërsa, media mëson se zënka ndodhi për mal ndërmjet disa familjarëvë në Rugovë.

Në rrahje është përfshirë edhe një i mitur. Ndërsa fokusi kryesor bie se viktima e kësaj përleshje nuk është gjetur ende. Për gjetjen e tij është angazhuar edhe FSK-ja. 

“Prokuroria Themelore e Pejës ka marr aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj tre të pandehurve, A.N,SH.L dhe një të mituri, për shkak se të njëjtit në bashkëkryerje dyshohen se  me datën 26 prill të këtij viti, i kanë shkaktuar lëndime të rënda trupore të dëmtuarit M.N.

I dëmtuari i këtij rasti deri me tani ka qenë i paqasshëm për organet e ndjekjes, ndërsa për kërkimin e tij, përveç njësive relevante policore në teren  janë angazhuar edhe FSK-ja”, thuhet në njoftimin dërguar mediave.

Rasti ka ndodhur dje ku pas arrestimit të të dyshuarve janë konfiskuar dy sëpata të cilat dyshohet se ishin përdorë në rast dhe një veturë.

E, seanca dëgjimore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre pritet të mbahet shumë shpejt.

(Kosova Sot)