Mustafa godet liderët që hipën në aeroplanin e Pacollit, tregon kur do të ketë marrëveshje me Serbinë

  • 30 April 2019 - 11:07
Mustafa godet liderët që hipën në aeroplanin e Pacollit, tregon kur do të ketë marrëveshje me Serbinë

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka komentuar Samitin e Berlinit, duke thënë se u dërgua mesazh që Evropës i nevojitet “një Ballkan Perëndimor i cili nuk gjeneron konflikte dhe kriza, por paqe”. Mirëpo, ai nuk la pa kritikuar liderët kosovarë që hipën në aeroplanin e Behgjet Pacollit.

Mustafa ka shkruar se kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron përsëritën qëndrimet e tyre të njohura për marrëveshjen Kosovë-Serbi.

Ai shtoi se është iluzion të pritet një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë, në qoftë se paraprakisht nuk krijohet një zë i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe i opozitës dhe pozitës për këtë çështje.

Mustafa tha se deklaratat e presidentit Thaçi se në Berlin do të zgjidhet problemi i liberalizimit të vizave dhe problemi i Luginës së Preshevës, si dhe problemet e kryeministrit me taksën, ishin vetëm për konsum të brendshëm.

Sipas tij, ato u shuan ende pa arritur delegacioni në Kosovë, ashtu siç tha se u shua uniteti i delegacionit të shqiptarëve që i bëri bashkë aeroplani i Behgjet Pacollit deri në Berlin.

“Deklaratat e Presidentit ThaçI se atje do të zgjidhë problemin e liberalizimit të vizave dhe atë të Luginës së Preshevës si dhe ato të Kryeministrit Haradinaj për tarifat dhe kufijtë ishin për konsum të brendshëm, dhe u shuan ende pa u kthyar ata në Kosovë. U shuan sikurse uniteti i delegacionit të shqiptarëve, që i bëri bashk aeroplani i Behxhet Pacollit deri në Berlin, por në Berlin dikush fliste me Merkel dhe Macron e dikush ia rrihte krahët Presidentit të Serbisë”, ka shkruar Mustafa.

I pari i LDK’së tha se dikush fliste me Merkel dhe Macron në Berlin, e dikush ia rrihte krahët presidentit serb.

Postimi i plotë i Isa Mustafës:

Nga pritjet spektakulare, takimi I Berlinit dha rezultate normale për një përbërje të tillë. Dërgoi mesazhe që Evropës i nevojitet një Ballkan Perëndimor i cili nuk gjeneron konflikte dhe kriza, por paqe. Nuk ofroi modele dhe nuk përjashtoi modele. Sikurse Kancearja gjermane, Merkel, ashtu edhe Presidenti i Francës, Macron, i përsëritën qëndrimet e tyre të njohura për marrëveshjen Kosovë- Serbi.

Nuk ka qenë e pritshme që presidentët dhe kryeministrat e vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor do të vendosnin për çështjet e Kosovës dhe Serbisë në një takim të tillë. Për këto çështje vendoset në takimet e ketyre dy vendeve me ndërmjetësim të BE-së ( pasi të kryhen zgjedhjet ne PE) dhe me një rol të fuqishëm të SHBA-së.

Deklaratat e Presidentit ThaçI se atje do të zgjidhë problemin e liberalizimit të vizave dhe atë të Luginës së Preshevës si dhe ato të Kryeministrit Haradinaj për tarifat dhe kufijtë ishin për konsum të brendshëm, dhe u shuan ende pa u kthyar ata në Kosovë. U shuan sikurse uniteti i delegacionit të shqiptarëve, që i bëri bashk aeroplani i Behxhet Pacollit deri në Berlin, por në Berlin dikush fliste me Merkel dhe Macron e dikush ia rrihte krahët Presidentit të Serbisë.

Është iluzion të pritet një marrëveshje e qëndrueshme me Serbinë, në qoftë se paraprakisht nuk krijohet një zë i përbashkët i institucioneve të Kosovës dhe i opozitës dhe pozitës për këtë çështje. Për një zgjidhje të tillë duhen të ndodhin zgjedhjet sa më parë në Kosovë.

(Kosova Sot)