Paralajmërohet ‘tronditja’ për partinë: Ja dy kryetarët e PDK-së

  • 30 April 2019 - 18:47
Paralajmërohet ‘tronditja’ për partinë: Ja dy kryetarët e PDK-së

PDK është njëri ndër partnerët e koalicionit PAN në përbërjen e të cilit janë edhe AAK dhe Nisma dhe nën udhëheqjen e së cilit është aktualisht vendi.

Zyrtarë nga radhët e kësaj partie vazhdojnë të deklarohen se janë partia numër një në Kosovë dhe se do t’i fitojnë zgjedhjet, pavarësisht që rezultatet e sondazheve të ndryshme e thonë të kundërten, të cilat këtë parti e radhisin si partinë e tretë në Kosovë.

Analisti politik, Faton Abdullahu duke folur për “Kosova Sot”, gjendjen e kësaj partie e ka parë si brengosëse, duke thënë së shumë gabime i faturohen PDK-së.

Image
Faton Abdullahu

“Po të isha në PDK do të brengosesha shumë për të ardhmen e afërt të kësaj partie. Shumë gabime të cilat tash e sa kohë po i bën koalicioni PAN po i faturohen plotësisht asaj. Edhe çështja e korrigjimit të kufirit edhe ajo e taksës gjithashtu. PDK nuk po mund të distancohet shprehimisht dhe të jetë kundër korrigjimit të kufirit fuqishëm sepse ideatori i saj Presidenti aktual ka ndikim të madh në PDK edhe pse tash sa kohë nuk është pjesë e saj”, ka thënë Abdullahu.

Tutje ai ka potencuar se PDK nuk ka mundur të dal kundër taksës, sepse kjo gjë do të dërgonte në prishje të koalicionit për të cilin PDK ka nevojë ende. 

“Nuk mund të jetë më e ashpër as kundër taksës e cila është vendosur nga Kryeministri sepse kështu PDK do ta rrezikonte koalicionin aktual, ekzistimi i të cilës është ende i nevojshëm për të, sidomos pasur parasysh se ajo tani po mban zgjedhje të brendshme. Në anën tjetër kohë më parë me përpjekjen që ti akomodoj shumë forca politike në koalicionin PAN, PDK është tkurrur, me çka ka determinuar hatërmbetje përbrenda saj dhe kjo do t’i hakmerret edhe më tutje”, është shprehur Abdullahu.

Për fund, Abdullahu ka theksuar se kjo parti nuk është stabile, por e pa vendosur dhe pa strategji të caktuar. 

“Për më keq PDK-ja nuk e ka një qendër të vendosjes tash sa kohë, një lider të vetëm, sepse janë dy figura me ekstra ndikim në këtë parti z. Thaçi dhe z. Veseli dhe kjo për një subjekt politik nuk është e mirë, përkudrazi. Për rrjedhojë kjo parti e ka të vështirë të bëj strategji, prandaj mjaftohet me taktika dhe politika ad hock.E ka të vështirë të jetë konsekuente sepse nuk është unike dhe për rrjedhojë gjithnjë e më shumë është hezituese sesa e guximshme në të gjitha proceset. Të gjitha këto do të ndikojnë në rezultatet e ardhshme të kësaj partie, të cilat nuk mund të jenë të mëdha edhe pse bazuar në zgjedhjet e brendshme nuk ka as të rinjë, as figura të reja e për më keq as ide të reja”, ka përfunduar analisti politik, Faton Abdullahu për “Kosova Sot”.

Në anën tjetër edhe analisti politik, Faton Mehmeti e ka vlerësuar situatën e PDK-së si kritike duke qenë se qytetarë e kanë braktisur atë për shkak të mashtrimit që i ka bërë tash e sa vite. 

“PDK ndodhet në situatën më kritike që nga themelimi i saj, kjo parti nuk guxon as të hyj në zgjedhje të reja pasi e di se do të pësoj debakël.Faktikisht kjo parti nuk arrin të mashtroj me qyetarët e vendit, të cilët janë të bindur se me çfarë bandita është mbushur dhe udhëhiqet kjo parti. PDK është parti e krimit, të cilët laku i është ngushtuar deri në palcë. Sondazhet e fundit e kanë vënë në siklet kreun e kësaj partie, e cila ka rënë në hall me të ardhmën e saj pasi qytetarët veçse e kanë braktisur këtë parti” ka thënë Faton Mehmeti për “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)