Dëshmia/ “Daja” mbetet në burg, kërkesë në gjyq: Lidhja ime me Muratajn, jam gati…

  • 01 May 2019 - 12:48
Dëshmia/ “Daja” mbetet në burg, kërkesë në gjyq: Lidhja ime me Muratajn, jam gati…

Gjykata për Krime të Rënda la në burg kosovarin Ragip Hajdini, të arrestuar disa ditë më parë si pjesë e grupit të grabitësve të Rinasit.

Në një seancë, e cila zgjati rreth 1 orë, gjyqtari dëgjoi pretendimet e të dyja palëve, ndërsa vendosi të lërë në burg gjatë hetimeve 50-vjeçarin. Ky fundit, në deklarimet e tij e ka mohuar të ketë pasur lidhje me ngjarjen, ndonëse ka pranuar njohjen me Admir Muratajn.

Ashtu si në seancat e tjera për të arrestuarit për grabitjen e Rinasit, edhe seanca e zhvilluar ndaj Hajdinit u bë me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor. Ndërkohë, Prokuroria për Krime të Rënda ka ngritur ndaj tij 4 akuza, si pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, grabitje, armëmbajtje, si dhe vrasje të policëve e ngelur në tentativë.

Kosovari i identifikuar nga Alkond Bengasi ka mohuar se ka lidhje me ngjarjen dhe se është pjesë e bandës së grabitjes. Përpara Gjykatës 50-vjeçari ka pranuar se ka miqësi me familjen Murataj. Ai i ka thënë Gjykatës se ka qenë në një lokal duke drekuar me disa miq të tij ditën e ngjarjes dhe këtë mund ta vërtetonte në çdo kohë.

Gjithashtu “daja” përpara togave të zeza është shprehur se Prokuroria e ngatërron me person tjetër dhe për këtë ka kërkuar ballafaqim me bashkëpunëtorin e drejtësisë Alkond Brengasi.

“Unë nuk kam lidhje me ngjarjen. Unë njoh Aleksin, vëllain e Admir Muratajt, e kam takuar në Gjermani disa vite më parë dhe që prej asaj kohe kemi miqësi familjarisht. Dua të shtoj se unë kam qenë dhe në varrimin e Admirit bashkë me familjarët e mi, pasi siç e thashë më lart, kemi hyrje-dalje familjare. Në shtetin shqiptar gjendem që prej muajit shtator 2018, pasi vëllai im ka blerë një objekt. Që nga muaji nëntor nuk kam dalë nga Shqipëria. Jam njohur me ngjarjen para një jave kur dëgjova emrin Daja. Unë jam i pastër, nuk kam lëvizur fare, nëse do isha unë një nga personat që do të kisha organizuar grabitjen, do të largohesha menjëherë nga Shqipëria, por duke qenë se jam i pastër, nuk e kam bërë. Në Tiranë gjatë kësaj periudhe kam qenë vetëm një herë për të blerë pajisje. Jam i gatshëm të vendos para drejtësisë dokumente dhe të ardhurat e mia familjare, dua të ballafaqohem me personin që më akuzon. Në qoftë se organi i Akuzës më gjen një provë të vetme, jam i gatshëm të rri në burg përjetë. Pse nuk e hetoni Bengasin, si më arrestoni thjesht me deklarimet e tij”, mësohet të ketë thënë Ragip Hajdini.

Por pavarësisht këtyre pretendimeve dhe kërkesës së mbrojtjes për një tjetër masë, Gjykata vendosi që ta lërë në burg pa afat. Kosovari Ragip Hajdini, i vënë në pranga për grabitjen në Aeroportin e Rinasit, konsiderohet nga hetuesit si një prej organizatorëve, ndërsa ende nuk është e qartë nëse ka qenë pjesë e “grupit të zjarrit”.

Dy ditë më parë, Policia në prani të Krimeve të Rënda kreu kontrolle në banesën e tij në Durrës, për të bërë të mundur gjetjen e provave të nevojshme dhe parave. Kujtojmë se deri më tani, Prokuroria për Krime të Rënda ka bërë të mundur zbardhjen e emrave të personave të implikuar nëpërmjet dëshmisë së Alkond Bengasit, ndërkohë ende nuk është gjetur asnjë pjesë e shumës monetare të grabitura në Rinas, më 9 prill.

Ndërkohë, Hajdini së bashku me Muratajn dhe Çalën konsiderohen si personat që kanë organizuar, siguruar mjetet dhe më pas edhe kanë vepruar për të kryer grabitjen, të ndihmuar edhe nga persona të tjerë, një pjesë e tyre të identifikuar dhe shpallur në kërkim, ndërsa një pjesë ende e paidentifikuar.

(Kosova Sot)