Zvicra e gëzuar që në Gjermani u shua ideja e ndryshimit të kufijve

  • 01 maj 2019 - 14:47
Zvicra e gëzuar që në Gjermani u shua ideja e ndryshimit të kufijve

Zvicra i ka dhënë një mbështetje të fuqishme nismës së Francës dhe Gjermanisë për të vazhduar dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pa diskutime për korrigjim të kufijve.

Kjo është bërë e ditur në një reagim të ‘Swiss Human Security’, që është në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Zvicrës.

Në këtë reagim është konfirmuar se në Berlin është ‘varrosur’ ideja për shkëmbim të territoreve.

“Në Samitin për Ballkanin perëndimor në Berlin, Gjermania dhe Franca janë angazhuar për një zgjidhje të qëndrueshme negociuese ndërmjet Kosovëshd dhe Serbisë, pa shkëmbim territorial”, thuhet në këtë reagim në twitter.

Ndër të tjera thuhet se Zvicra e përkrahë këtë lloj politike e cila kontribuon në stabilitetin e rajonit.

“Zvicra e ka mbështetur aktivisht këtë plitikë për një kohë të gjatë, duke kontribuar kështu në stabilitetin e rajonit”, përfundon reagimi.

Fakti që ideja për korrigjim të kufijve është lënë anash dialogut Kosovë-Serbi ka nxitur reagime edhe të shumë deputetëve të Bundestagut gjerman.

Deputetja  gjermane Renata Alt, madje thotë se suksesi kryesor i këtij Samiti në kryeqytetin gjerman, është fakti që më Kosova dhe Serbia nuk do të diskutojnë për korrigjim të kufijve.

Edhe shefi i deputetëve të CDU-së, Wadephul, ka thënë se është i entuziazmuar që një ide për lojë me kufijtë ka marrë fund në Berlin.

Mediat e mëdha ndërkombëtare para samitit të Berlinit kishin shkruar se në kryeqytetin gjerman do të ‘varrosej’ ideja për korrigjim të kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila u vendos në tavolinën e diskutimeve më Forumin e Aplbachut në Austri, shtatorin e 2018-ës.

Ndërkohë edhe në Kosovë, opozita po e sheh Samitin e Berlinit, si vendin ku kanë marrë fund përpjekjet e Vuçiqit e Thaçit për korrigjim të kufijve.

Ish-kreynegociatorja, Edita Tahiri, madje thotë se në Berlin, u nënshkrua dështimi i kësaj ideje për prekje të kufijve, që u mbështet nga Edi Rama, Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq.

(Kosova Sot)