Salianji shpjegon mesazhin e bllokimit të akseve kryesore: Nuk është asgjë krahasuar….

  • 02 May 2019 - 19:34
Salianji shpjegon mesazhin e bllokimit të akseve kryesore: Nuk është asgjë krahasuar….

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji tha nga Korça se bllokimi i akseve kryesore në vend është një mesazh për bllokimin që qeveria i bën integrimit evropian të vendit. 

“Ju e shikoni që është një përshkallëzim i protestave. Është një bllokim i akseve nacionale në mënyrë simbolike në të gjithë Shqipërinë për të treguar se Edi Rama e ka bllokuar rrugën e Bashkimit Evropian dhe po e trajton Shqipërinë si një pronë personale. Me protestën e sotme, qytetarët i janë bashkuar protestës sepse bllokimi i përditshëm që qeveria u bën qytetarëve shqiptarë nuk është asnjë gjë në lidhje me protestën 2 orëshe”, tha ai.

I pyetur për masat që do të ndërmarrë qeveria për të ashpërsuar dënimet për bllokimin e rrugëve, Salianji tha se i vetmi i frikësuar deri tani është Edi Rama. 

“E vetmja gjë që di me siguri është që Edi Rama do të mbajë përgjegjësi penale jo vetëm për shkatërrimet dhe vjedhjet, por edhe për periudhën që është në agoni politike. Pa diskutim, që këto kërcënime janë njësoj si të Maduros në Venezuelë pasi i shtypi protestuesit, paralajmëroi burgosjen. Nuk ka asnjë qytetar të arrestuar nga protesta opozitare.  I vetmi që ndihet i frikësuar deri në palcë është Edi Rama, i cili nga frika e vet flet budallëqe që nuk i beson as vetë”, shtoi.

(Kosova Sot Online)