Letër publike Kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, Jack Smith

  • 02 May 2019 - 21:03
Letër publike Kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, Jack Smith

Shoqata jo-qeveritare nga Klina “Familja dhe Shpresa” i ka dërguar sot një letër publike Krye-Prokurorit të Gjykatës Speciale, Zotëri Jack Smith dhe e ka ftuar atë për një vizitë në Kosovë dhe takim me familjarët e viktimave shqiptare të luftës së viteve 1998-1999.

Kryetarja e OJQ-së Zonja Zana Bytyqi-Geci në letrën publike i ka përkujtur thirrjet e shoqatës ndaj parlamentit të Kosovës për të PLOTËSUAR ligjin selektiv dhe gjysmak të 5 Gushtit të vitit 2015 me të cilin u themelua prokuroria dhe gjykata speciale selektive dhe gjysmake, e cila e ka amnistuar Serbinë dhe kriminelët e saj për krimet e luftës ndaj civilëve shqiptarë gjatë luftës për liri dhe pavarësi.

Më poshtë letra e plotë kryetares së “Familja dhe Shpresa” Zonjës Bytyqi-Geci dërguar krye-prokurorit të gjykatës speciale në Hagë për Kosovë, Jack Smith:

Klinë/Prishtinë, 02 Maj 2019

Për: Jack Smith, Prokuror Specialist, Zyra e Prokurorisë Specialiste (ZPS), Hagë, Holandë

Nga: Zana Bytyqi, OJQ "Familja dhe Shpresa", Klinë, Kosovë

Unë quhem Zana Bytyqi-Geci. Jam nga Kosova. Unë jam nga OJQ-ja "Familja dhe Shpresa" e cila përfaqëson të afërmit e 86 civilëve shqiptarë nga komuna e Klinës, të ekzekutuar nga ushtria dhe policia e Serbisë në fshatin Kralan më 4 prill 1999. 

Unë po ju shkruaj për të shprehur pritjet dhe shpresat tona tash e 20 vite, 20 vjet të thirrjeve tona për drejtësi, jo vetëm për të dashurit tanë të vrarë në Kralan, por edhe për 400 të tjerë të vrarë nga komuna e Klinës dhe për të gjithë 13.000 civilë shqiptarë të Kosovës masakruar nga kriminelët e Serbisë të cilët ende ndodhen të lirë në Serbinë e udhëhequr nga Aleksandër Vuçiç, i cili ishte ministër i Sllobodan Millosheviçit gjatë dhe pas luftës dyvjeçare për pavarësi nga Serbia.

Siç e dini,

Vuçiç dhe qeveria e tij po refuzojnë që t'i dërgojnë kriminelët e tyre të luftës në gjykatat e Kosovës / EULEX-it. Rasti i masakrave në Mejë dhe Krushë të Madhe është ilustrimi më i mirë i këtij fakti.

Gjenerali Momir Stojanoviç dhe 16 të tjerë po ecin lirshëm në Serbi, megjithëse janë akuzuar nga gjykatësit e BE-së dhe Kosovës në gjykatën në Gjakovë për masakrat në këto dy fshatra gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Këta ushtarak serbë të akuzuar janë në listën e urdhër-arrestit të INTERPOL-it që nga viti 2015 tashmë. Serbia nuk po dërgon dhe kurrë nuk do t'i dërgojë kriminelët e saj të luftës në gjykatat në Kosovë.

Ndërkohë Kosova u detyrua nga punëdhënësit tuaj që të miratojë ligjin selektiv dhe të krijojë gjykatën selektive, duke injoruar plotësisht dhe me turp krimet e luftës të Serbisë të kryera në Kosovë.

Ligji dhe gjykata në formën e tyre të tanishme i kanë ofruar mosndëshkim Serbisë dhe kriminelëve të saj për krimet e kryera ndaj të dashurve tanë dhe vendit tonë. 

Ky ligj dhe kjo gjykatë përfaqësojnë një hipokrizi totale të atyre që flasin për: 'Drejtësi për të Gjithë' këtu në Kosovë, në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe atje në BE dhe SHBA.

Prandaj ne po protestojmë që nga nëntori i vitit 2016 dhe po iu bëjmë thirrje liderëve tanë, qeverive të BE-së dhe administratës së SHBA-ve që t’i japin fund këtij mos-ndëshkimi dhe të detyrojnë Serbinë dhe kriminelët e saj që të japin llogari në gjykatën e re në Hagë për Kosovën për të cilën ju po punoni.

Që nga 13 nëntori 2016 ne, OJQ-ja "Familja dhe Shpresa" po iu bën thirrje politikanëve tanë që të ndryshojnë ligjin dhe ne nuk po heqim dorë pavarësisht se jemi injoruar prej tyre.

Ne kurrë nuk do të heqim dorë. Askush nuk duhet të heqë dorë kurrë nga të kërkuarit drejtësi.

Rasti i të afërmve të viktimave të Holokaustit dhe Izraelit që po kërkojnë drejtësi 74 vjet më pas është shembulli më i mirë se si askush nuk duhet të heqë dorë për të kërkuar drejtësi. Beteja e tyre për drejtësi është e admirueshme dhe shembullore. Ajo na mëson dhe na udhëzon të gjithëve se si të mos dorëzohemi kurrë në kërkimin e drejtësisë për të dashurit tanë të therur nga ndërmarrja e vrasjes e quajtur: Serbi.

Ndërsa thirrjet tona për të plotësuar këtë ligj janë injoruar deri më tani, përmes kësaj letre publike ne po ju ftojmë të na takoni këtu në Kosovë.

Na takoni dhe vizitoni bashkë me neve varret e më të dashurve tanë në Kralan dhe në mbarë Kosovën. Ndjeni me ne dhimbjen që ne po e ndiejmë 20 viteve më pas.

Ju zotëri Smith dhe të gjithë të tjerët që punoni në Dhomat e Specializuara dhe Prokurorinë e Specialiste atje në Hagë, duhet që t’i dëgjoni dhe t’i ndjeni thirrjet tona për drejtësi ndaj parlamentit të Kosovës për të plotësuar ligjin, në mënyrë që ju të mund të ndiqni penalisht kriminelët serbë të luftës që ecin lirshëm në Serbi. 

Por, duke punuar për gjykatën në formën e tashme selektive të tij, të formuar nga ligji selektiv i 5 gushtit 2015, asnjëri nga ju atje në Hagë nuk jeni duke i bërë ndonjë shërbim fjalisë së famshme "Drejtësi për të gjithë" dhe as për "Nuk ka Paqe pa Drejtësi", për të cilat ne dëgjojmë për çdo ditë nga politikanët këtu në Kosovë dhe të gjithë të tjerët në mbarë botën.

Kjo është kërkesa e OJQ-së sonë "Familja dhe Shpresa" për politikanët tanë që ne jemi duke bërë thirrje që nga viti 2016 lidhur me këtë ligj :

Parlamenti i Kosovës duhet që të plotësojë ligjin selektiv të 5 gushtit 2015, me qëllim që të përfshijë edhe ndjekjen penale për të gjitha krimet që Serbia i ka kryer në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998-1999: vrasjen e 13,000 civilëve shqiptarë; përdhunimin e 20,000 grave dhe vajzave shqiptare; dëbimin e më shumë se 800,000 civilëve në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut; shkatërrimin e 120,000 shtëpive, shkatërrimin i dhjetëra mijëra pronave të tjera private dhe publike; plaçkitjet dhe çdo gjë tjetër që ndërmarrja kriminale e Serbisë na ka bërë neve dhe Kosovës.

Vetëm kur ky ligj të plotësohet dhe kur ju të filloni të ndiqni penalisht edhe krimet e Serbisë, vetëm atëherë zyra e SPO-së që po e udhëhiqni dhe gjykata në fjalë mund të shërbejë për drejtësinë e duhur.

Posti juaj, puna juaj dhe të gjithë të tjerët në gjykatë nuk po i shërbejnë drejtësisë së duhur tash për tash, sepse ligji dhe si rrjedhojë edhe gjykata po i injorojnë vuajtjet tona na kanë ofenduar, na kanë fyer të dashurit tanë të vrarë dhe të përdhunuar, e kanë ofenduar vendin tonë duke injoruar krejtësisht dhe me turp krimet e Serbisë gjatë luftës për liri dhe pavarësi. 

Ata që e vendosën këtë ligj selektiv dhe e krijuan këtë gjykatë selektive kanë dështuar për ne. Të gjithë ju së bashku keni dështuar drejtësinë reale dhe të drejtë në të njëjtën kohë.

Zotëri Smith,

Thirrni ndërgjegjen tuaj.

Çfarë do të bënit ju nëse të dashurit tuaj, njerëzit tuaj do të ishin vrarë dhe përdhunuar 20 vjet më parë dhe dikush përgjegjës për drejtësinë do të kishte injoruar thirrjet tuaja për drejtësi ?

Zotëri Smith,

Vizitojeni Kosovën, takohuni me ne, bisedoni me ne dhe ju do të kuptoni dhe keni një ide për thirrjet tona për drejtësi të vërtetë dhe të drejtë.

Nëse pranoni të na takoni këtu në Klinë,

Do t'ju tregoj për babain tim Bajramin, që e morën prej meje ushtarët serbë dhe e ekzekutuan me të tjerët në Kralan 20 vjet më parë, kur unë isha 9 vjeçare.

Unë do t'ju tregoj edhe për xhaxhin tim Nevzatin.

Do t'ju tregoj edhe për kushëririn tim Kushtrimin i cili ishte 14 vjeç kur e vranë në Kralan.

Do të përpiqem të sjell me vete të mbijetuarin e masakrës së Kralanit, Hysenin, për t'ju folur për masakrën.

Ne do t'ju tregojmë edhe tregimet e të afërmve të të gjitha viktimave të luftës nga Klina, 400 prej tyre. Të gjitha këto tregime dhe krejt të tjerat nëpër tërë Kosovën të të afërmve të 13,000 viktimave shqiptare e kanë një përfundim të vetëm: Shteti i Serbisë është vrasësi.

Nëse do ta injoroni thirrjen tonë për të na vizituar këtu në Kosovë, ne jemi të gatshëm t’ju takojmë atje në Hagë në zyrën tuaj.

A jeni ju zotëri Smith dhe të tjerët në këtë gjykatë selektive të gatshëm të na takoni e të dëgjoni tregimet tona për krimet e luftës të Serbisë ndaj nesh ?

Sinqerisht

Zana Bytyqi-Geci

Kryetare,

OJQ “Familja dhe Shpresa”

(Kosova Sot Online)