Avokati i njohur zbulon pse po vjen Vuçiqi në Tiranë, këto janë bashkëpunimet e Thaçit dhe Ramës

  • 05 maj 2019 - 10:36
Avokati i njohur zbulon pse po vjen Vuçiqi në Tiranë, këto janë bashkëpunimet e Thaçit dhe Ramës

Vuçiq po vjen në Tiranë për ta shpëtuar Edi Ramën. Kështu ka thënë avokati i njohur Spartak Ngjela, i cili përmes një postimi në Facebook ka thënë se kjo ngutje e Vuçiqit për të ardhur në Tiranë, ka një arsye të madhe.

Ai thotë se në Samitin e Berlinit, Thaçi dhe Rama dolën kundër interesit kombëtar.

Ngjela paralajmëron edhe ardhjen e Mogherinit në Tiranë.

E pra Vuçiçi dhe Mogerini duan ta shpëtojnë. Pse? Sepse Rama ka rënë në doktrinën Vuçiç për shpërbërjen e Kosovës me anë të shkëmbimit të territoreve. Vetëm ky fakt nuk e lejon të jetë më kryeministër i shqiptarëve. Kjo qasje kaq antishqiptare, po të ndodhte, do ta dëmtonte shumë stabilitetin kombëtar shqiptar në të dy shtetet shqiptarë të Ballkanit Perëndimor”, shkruan ndër tjera Ngjela.

Postimi i plotë:

Të dy "heronjtë" e territorit të cunguar shqiptar, Thaçi dhe Rama, po duken të lodhur.

Para disa ditësh pamë sesi në Berlin presidenti i Kosovës, Thaçi dhe kryeministri

i Shqipërisë Rama, dolën zbuluar kundër interesit kombëtar për çështjen e shkëmbimit të territoreve midis Kosovës dhe Serbisë.
Për këtë tezë, e gjithë politika e lartë perëndimore po thotë se ajo tezë ka qenë një mendim i Vuçiçit për të shpërbërë Kosovën. Kjo nënkupton që Thaçi dhe Rama, ose janë bashkëpunëtorë me Vuçiçin, ose janë njerëz pa asnjë vlerë në mendimin politik. Që të tegojnë se kanë vepruar me gabim politik të pakonceptuar drejt, këta duhet të japin dorëheqjen. Në të kundërt, tegojnë se janë në bashkëpunim me presidentin serb Vuçiç.

l.
Pas gjithë atij dërmimi politik që mori Thaçi dhe Rama katër ditë më parë në Berlin, sot morëm vesh lajmin se këto ditë vjen në Tiranë presidenti i Sërbisë Vuçiç.
Vjen edhe Mogerini.
Pse gjithë kjo ngutje e këtij Vuçiçit për të ardhur në Tiranë, sepse ky, para pesë ditësh, në Berlin e kishte Ramën?
Përgjigjia është e lehtë: Vuçiçi vjen të shpëtojë Ramën. Vjen me gjithë komisioneren e BE, Mogerin. Në fakt, Rama dhe Vuçiç kanë falimentuar politikisht në lidhje me pavarësinë e Kosovës. Po kështu edhe Mogerini. Më i diskredituar doli presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, se ai në fakt dyshohet se ka tentuar të cënojë interesin kombëtar për interes të tij.

Rama duhet të japë dorëheqjen për atë që u vendos në Berlin në lidhje me paprekshmërinë e kufijve të Kosovës. E pra Vuçiçi dhe Mogerini duan ta shpëtojnë. Pse? Sepse Rama ka rënë në doktrinën Vuçiç për shpërbërjen e Kosovës me anë të shkëmbimit të territoreve. Vetëm ky fakt nuk e lejon të jetë më kryeministër i shqiptarëve. Kjo qasje kaq antishqiptare, po të ndodhte, do ta dëmtonte shumë stabilitetin kombëtar shqiptar në të dy shtetet shqiptarë të Ballkanit Perëndimor.

Aktualisht politika proshqiptare në Perëndim dhe gjithë bota shqiptare e kapi që Thaçi në fillim dhe Rama më pas kanë rënë në një akt që bie ndesh me interesin kombëtar, në funksion të territorit. Në fakt ky ka qenë qëndrim i ngjashëm antikombëtar me atë që krerët shqiptarë e kanë sjellë në botën shqiptare që në vitin 1882 dhe kanë vijuar deri në ditën e sotme. Po këta dy të fundit, me çfarë synimi e ndërmorën një akt politik që bie ndesh me interesin kombëtar?

Fakti që opinioni publik shqiptar e konsideron si shkelje të interesit kombëtar tendencën politike për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, pikërisht për këtë, sidomos Thaçi, duhet të japë dorëheqjen. Ftohtësia e kancelares gjermane në Berlin ia imponon këtij dorëheqjen, dhe, pas tij, këtë ia imponon edhe kryeministrit Rama.

Në fakt dorëheqja e Thaçit është në favor të tij. Ai u fut në një lojë pa sens kombëtar, dhe, që t'i tregojë opinionit publik shqiptar se ka gabuar pa qëllim, duhet të japë dorëheqjen. Në të kundërt, Thaçi tregon se territoret kanë qenë skemë e interesit tij të ngushtë për të favorizuar pozicionin e Serbisë.

ll.
Shenjat janë se Vuçiçi dhe Mogerini po vijnë në Tiranë që të na thonë ose që Rama ka qenë kundër ndryshimit apo shkëmbimit të kufijve, ose që Vuçiçi nuk e ka pasur kurrë atë ide.
Nëse e bëjnë këtë, Vuçiçi dhe Mogerini, që të dy, do të dalin më qesharakë se vetë Rama.

Por kot e kanë. Edhe Thaçi, edhe Rama nuk kanë më forcë politike në kuptimin kombëtar. Ashtu sikundër që thamë më lart, e mira për të dy është të japin dorëheqjen, se çështja mund të shkojnë për shumë keq.

Vuçiç dhe Mogerini sigurisht që tani kanë mbetur vetëm dhe kuptohet se nuk mund ta vijojnë dot më çështjen e ndërrimit të territoreve, por ndërkohë kanë në pozitë shumë të dobët edhe Thaçin, edhe Ramën, respektivisht kryeministrin e Shqipërisë dhe presidentin e Kosovës.

Nëse vërtet Vuçiç dhe Mogerini po vinë t'u thonë shqiptarëve atë që theksuam më lart, sigurisht që shqiptarët do të tallen me ta. Po, në rast se veprojnë duke mos pranuar se ndërrimi i territoreve ka qenë një doktrinë serbe, atëherë pozita e Ramës dëmtohet edhe më shumë.

Kjo është gjendja. Por të dy liderit shqiptarë, të goditur nga kancelarja gjermane Angela Merkel, kanë dalë në një pozicion që duhet të ndalojë ecurinë e mëtejshme të tyre në politikë. Vazhdimi dëmton edhe çështjen shqiptare, por edhe ata vetë. Por, a e kuptojnë dot këtë Thaçi dhe Rama. Jo, nuk e kuptojnë dot, se ndërtimi i tyre nuk i lejon të dalin nga patologjia e pushtetit. Atëherë? Sigurisht që duhet t'i shkarkojnë nga detyra, sepse sot, as njëri nuk është më president i Kosovës, dhe as tjetri nuk është më kryeministër i Shqipërisë.

(Kosova Sot)