Më shumë se 20 të vdekur nga dhuna mes Gazas dhe Izraelit

  • 06 May 2019 - 10:18
Më shumë se 20 të vdekur nga dhuna mes Gazas dhe Izraelit

Militantët e Gazas dhe forcat izraelite të sigurisë janë përfshirë në përleshje të përgjakshme gjatë fundjavës së kaluar. Palestinezët hodhën qindra raketa në drejtim të Izraelit, ndaj të cilave ky shtet u kundërpërgjigj me më shumë se 250 sulme ajrore.

Në shkëmbimin e zjarrit që shënoi një nga luftimet më të ashpra në vitet e fundit, ministria e shëndetësisë në Gaza njoftoi se 19 palestinezë, përfshirë dy gra shtatzëna dhe një fëmijë të vogël, janë vrarë që nga e premtja e kaluar. Në mesin e viktimave janë të paktën tetë militantë dhe një komandant i Hamasit.

Përndryshe, nga raketat e hedhura nga Hamasi u vranë katër izraelitë. Kjo është shifra më e madhe e viktimave në këtë shtet që nga lufta 50-ditëshe e vitit 2014.

Të dielën në mbrëmje, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkroi në Twitter: “100 për qind përkrahje për aksionet e Izraelit pas sulmeve vdekjeprurëse me raketa nga grupet terroriste, Hamas dhe Xhihadi Islamik. Popullit të Gazas i them që këto akte terroriste kundër Izraelit nuk ju sjellin asgjë, përpos më shumë vuajtje. Përfundojeni dhunën dhe punoni për ta arritur paqen. Ajo mund të ndodhë”.

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i urdhëroi forcat e armatosura për të kryer sulme masive në Gaza dhe për ta përforcuar kufirin me Gazan me tanke, artileri dhe ushtarë, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)