Shpend Ahmeti nuk i ndërron Devollët, ua jep kontratën e Komunës për qumësht

  • 07 May 2019 - 13:29
Shpend Ahmeti nuk i ndërron Devollët, ua jep kontratën e Komunës për qumësht

Që nga janari i këtij viti, fëmijët e shkollave të Prishtinës kanë mbetur pa qumësht. Kjo pasi kishte skaduar validiteti i kontratës që Komuna e Prishtinës e ka pasur të lidhur me kompaninë e Devollëve “ABRAZEN”, kontratë kjo e cila vlente saktësisht 733.689 euro. I pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti ka vendosur që edhe një herë të ia japë tenderin kësaj kompanie

Tash e katër vite nxënësit e shkollave fillore të kryeqytetit shërbehen me shujta falas nga Komuna e Prishtinës. Por, nga janari i këtij viti nxënësit kanë marrë vetëm kifle, pasi kontrata e qumështit në mes të komunës dhe kompanisë furnizuese kishte skaduar.

Komuna e Prishtinës pati hapur ofertë të re, por që e pati anuluar me arsyetimin se çmimi i ofertuar nga ofertuesi e ka kaluar shumën e planifikuar nga komuna.

Shpend Ahmeti ka vendosur që mos ta ndërrojë kompaninë furnizuese. Komuna e Prishtinës nën drejtimin e Ahmetit ka lidhur përsëri kontratë me kompaninë e Devollit, “ABRAZEN”, për furnizim me qumësht nëpër shkollat e kryeqytetit.

Sipas tenderit të publikuar nga KP’ja, sasia e paraparë e qumështit është 1.834.245 copë në ambalazh tetra-pak 250 ml.

Çmimi për një pako qumësht është 0.20 centë, çmim ky i cili ishte edhe në tenderin paraprak, ndërkaq vlera e kontratës për sasinë e qumështit është 375 mijë euro.

Tenderi është realizuar me procedurë të negociuar pa publikim të kontratës, ndërkaq është marrëveshje kornizë që vlen vetëm 6 muaj.

E tenderët për furnizim me qumësht në shkollat e kryeqytetit patën përplasur Shpend Ahmetin me ish-partinë e tij, Vetëvendosjen.

Këta të fundit patën paditur Ahmetin për keqpërdorim të parasë publike, pikërisht për tenderin e qumështit.

Njëjtë pati vepruar edhe Ahmeti, duke e paDITUR Vetëvendosjen për shpifje.

“Ushtrova padi ndaj VV-së për shpifjet e vazhdueshme që i kanë bërë. Ka të bëjë me qumështin nëpër shkollat e Prishtinës. Të gjitha këto furnizime që ata i kanë potencuar se janë bërë, kanë qenë edhe ata pjesë e atij procesi, sepse edhe unë kam qenë në VV”, pati thënë Ahmeti pas dorëzimit të padisë.

(Kosova Sot Online)