Kina refuzon bisedimet me ShBA-në e Rusinë për armët bërthamore

  • 07 May 2019 - 18:02
Kina refuzon bisedimet me ShBA-në e Rusinë për armët bërthamore

Kina ka refuzuar të marrë pjesë në bisedime trepalëshe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Rusinë, duke i prishur planet e presidentit amerikan për negociata trepalëshe për çarmatosje mes fuqive kryesore bërthamore.

Presidenti Trump tha se ai dhe presidenti rus, Vladimir Putin, kanë diskutuar të premten për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje të re për kufizim të armatimit bërthamor. Trump tha se në këtë marrëveshje do të mund të përfshihej edhe Kina.

Sidoqoftë, zëdhënësi i ministrisë së jashtme kineze, Geng Shuang, tha: “Kina e kundërshton çdo shtet që vlet pa radhë për Kinën lidhur me çështjen e kontrollit të armëve dhe nuk do të marrë pjesë në kurrfarë negociatash trepalëshe për marrëveshje për çarmatosje nga armët bërthamore.

Geng tha se fuqia bërthamore e vendit të tij është në nivelin më të ulët të nevojës shtetërore për siguri dhe shtoi se ky shtet nuk mund të krahasohet me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë. Sipas tij, është në dorën e ShBA-së dhe Rusisë të vendosin nëse do ta zvogëlojnë sasinë e armëve bërthamore para se të marrin pjesë shtetet tjera.

Presidenti amerikan kishte thënë se Kina është treguar e gatshme gjatë bisedimeve tregtare që të bëhet bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Rusinë në bisedimet për kufizimin e armëve bërthamore. “Mendoj se do të fillojmë diçka shumë shpejt mes nesh dhe Rusisë dhe besoj se Kina do të na bashkohet gjatë rrugës”, tha ai të premten.

Traktati i vitit 2011 mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë është e vetmja marrëveshje për kufizim të prodhimit të armëve bërthamore. Kjo marrëveshje skadon në shkurt të vitit 2021 dhe mund të futet në fuqi edhe për pesë vjet tjera, nëse për këtë pajtohen të dyja palët, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)