Andi Bejtja, Baton Haxhiut: Ti dhe Rama nuk jeni tradhtarë, jeni infantilë

  • 07 May 2019 - 23:50
Andi Bejtja, Baton Haxhiut: Ti dhe Rama nuk jeni tradhtarë, jeni infantilë

Për çështjen e kufijve janë përplasur keq gazetari kosovar, Baton Haxhiu, dhe analisti i Shqipërisë, Andi Bejtja, i cili ka thënë se nuk beson që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe Haxhiu janë tradhtarë, pasi të dy janë fëmijërorë.

Ndaj kësaj ka reaguar Haxhiu, i cili i ka thënë Bejtjes se kur të arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi në tetor, është ai që do të duket idiot.

Bejtja po ashtu ka komentuar përplasjen mes kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe atij të Shqipërisë, Rama, duke thënë se ajo është evidente, por se, sipas tij, nuk ndikon në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë.

“Është përplasje evidente, por nuk mendoj se ndikon në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë. Thelbi i përplasjes është që Haradinaj është për opsion tjetër, jo për kufijtë në këtë mënyrë. Tjetra është mënyra se si është bërë kjo gjë, pa transparencë, e dinin vetëm 2-3 veta dhe nuk nxirrnin as idenë se e kujt ishte. Të paktën publikisht kjo lexohet. Haradinaj mendon se Rama është përfshirë direkt ose indirekt në këtë gjë. Në një farë mënyrë, edhe taksa pengon marrëveshjen për kufijtë. Në Samit u dha një lloj shuplake, u bë e qartë që nuk ishte projekt evropian. Presidenti Thaçi ka thënë se mund t’i zgjidhnin vetë punët e tyre dhe ky është një regres”, ka thënë Bejtja.

Haxhiu, nga ana tjetër, ka thënë se ka një përplasje mes Europës dhe SHBA-ve për çështjen e projektit të kufijve. Ai ka sqaruar edhe se cili ka qenë propozimi i Emmanuel Macron për pezullimin e taksës ndaj Serbisë.

“Kemi evidentuar se kjo përplasje nuk do të evidentohet në egot politike në Shqipëri dhe Kosovë. Kjo përplasje u shtri në gjithë konjukturat politike, shihni fotot e opozitarëve shqiptarë me kryeministrin Haradinaj. Bejtja kohët e fundit as nuk e merr mundimin të analizojë, vetëm i thjeshton gjërat. Mendoj ata se hynë në kategorinë politike që kanë përplasje, ke Thaçi-Berisha, ke përplasjen Rama-Haradinaj. Kur është mbajtur Samiti në Pejë, njeriu që ka përkrahur taksën ka qenë kryeministri shqiptar. Çfarë ndodhi? Edhe brenda qeverisë pati përplasje, ministri Ahmetaj ka qenë kundër. Esenca është besueshmëria e zotit Haradinaj se taksa është politike dhe duhet lidhur me njohjen. Pyetja është se zoti Rama nuk i ka bërë presion që ta heqë taksën, por ta pezullojë, deri në shtator, siç ka thënë Macron, që nëse nuk do t’i liberalizonte vizat, le të rikthehej taksa”, ka thënë Haxhiu.

(Kosova Sot)