Shpërthen Tahiri: Thaçi dhe Rama, sponsorizues të Vuçiqit për Serbinë e Madhe!

  • 08 May 2019 - 11:39
Shpërthen Tahiri: Thaçi dhe Rama, sponsorizues të Vuçiqit për Serbinë e Madhe!

Pas Samitit të Berlinit, i cili mblodhi liderët e Ballkanit Perëndimor dhe nga i cili u qartësua  në masë të madhe pozicioni i perëndimit karshi tendencave për marrëveshje me shkëmbim territoresh mes Kosovës e Serbisë, duke u kundërshtuar ky opsion, ka reaguar edhe Ish- kryenegociatorja e dialogut teknik mes Kosovës e Serbisë, Edita Tahiri, e  cila ka cilësuar si historik Samitin e Berlinit dhe ka akuzuar Hashim Thaçin dhe  Edi Ramën,të cilët dhanë miliona euro në lobim për të ndihmuar Aleksandër Vuçiqin në idenë për krijimin e Serbisë së Madhe.

Ajo shkoi edhe më larg duke i quajtur Hashim Thaçin dhe Edi Ramën si sponsorisues të ndarjes së Kosovës, duke qenë të ndihmuar edhe nga ministri i jashtëm Pacolli. Ka qenë  edhe analisti ndërkombëtar Bodo Veber që po ashtu kishte deklaruar se presidenti Hashim Thaçi po shtyn përpara idenë e shkëmbimit të territoreve në mënyrë që të amnistohet nga Gjykata Speciale.

Sipas analistit Gani Qarri, tani më dihet botërisht dhe flitet e diskutohet hapur gjithandej,brenda dhe jashtë vendit, lidhur me ndryshimin e kufijve, përveç bisedimeve publike,dëshmohet se ndërmjet Thaçit e Vuçiqit janë mbajtur edhe shumë takime të fshehta, të cilat jo vetëm se kanë ndodhur me dijen e Federica Mogherinit, por ajo edhe e ka shtyrë përpara idenë e çmendur të presidentit kuisling Hashim Thaçit, për ndarjen e Kosovës.

“Prandaj samiti i Berlinit,ashtu siç ishte jetik dhe me shumë rëndësi, është edhe historik në kuptimin e plotë të fjalës dhe këtë e thotë edhe zonja Edita Tahiri, sepse përveçse u arrit dakordimi i dy shteteve kryesore dhe më të mëdha vendimmarrëse të BE-s, si Gjermania dhe Franca, të cilat dihet se deri në atë samit nuk kishin qëndrime të njëjta, me unifikimin e tyre,në Berlin u hodh poshtë përfundimisht edhe ideja e ndarjes, apo goditja vrastare për shtetësinë e Kosovës, e sponsosrizuar dhe projektuar nga treshja famëkeqe anti-Kosovë;Thaçi, Rama dhe Vuçiq. 

Ndaj dhe ish kryenegociatorja, do ta quaja më e suksesshme e dialogut teknik mes Kosovës e Serbisë, Edita Tahiri e ka cilësuar me shumë të drejtë-historik Samitin e Berlinit dhe ka akuzuar, po ashtu me plot arsye kuislingun Hashim Thaçin bashkë me tuxharin e kanabisit, që batërdisi krejt Evropën me drogë, Edi Ramen,të cilët dhanë miliona euro në lobim për të ndihmuar Aleksander Vuçiqin në idenë e çmendur për ndarjen e Kosovës dhe krijimin e Serbisë së Madhe”, tha  Qarri për “Kosova Sot Online”. 

Ai  pohon se Edita Tahiri,  si ish kryesuese e delegacionit negociues, e cila përveçse posedon informata të dorës së parë mbi procesin publik të bisedimeve, njeh edhe të panjohurat e negociatave në prapaskena, ndaj ajo e di më mirë se cilido tjetër, kur shkon edhe më larg duke i quajtur Hashim Thaçin dhe Edi Ramen si sponsorizues të ndarjes së Kosovës, të ndihmuar edhe nga ministri i jashtëm Behgjet Pacolli. 

Prandaj sipas Edita nuk është e vetme që i di këto gjëra dhe kritikon këtë grup lobistësh për ndarje. “Nuk është vetëm Edita, ajo që kritikon hapur tradhtitë e Thaçit por atë e akuzon edhe vet analisti ndërkombëtar Bodo Veber, i cili kohë më parë pati deklaruar publikisht se presidenti Hashim Thaçi po shtyn përpara idenë e ndarjes dhe shkëmbimit të territoreve në mënyrë që të amnistohet nga Gjykata Speciale.

Për aq më keq, përderisa të jetë Hashim Thaçi në pushtet,dhe ti kryesojë bisedimet me Serbinë,rreziku ndaj Kosovës nuk do të pushojë kurrë dhe tema e ndarjes së saj ,nuk do të hiqet asnjëherë nga rendi i ditës”, theksoi Qarri për “Kosova Sot Online”.

Ndaj, sipas Qarrit,  ajo që edhe pas samitit të Berlinit,brengosë më së shumti shqiptarët atdhedashës dhe dashamirët e shtetit të Kosovës, është fakti se nëse në një apo formë tjetër nuk ndodhin ndryshime të shpejta në udhëheqjen tonë shtetërore, përkundër të gjitha të këqijave dhe tradhtive të panumërta që Hashim Thaçi ka bërë ndaj popullit dhe shtetit të Kosovës,tani për tani, nuk ka as kush të kërkoj përgjegjësi nga ky krye-kuisling i të gjitha kohëve, ndonëse përgjegjësia ekziston dhe do të duhej adresuar.

 (Kosova Sot Online )