O'Connell fol hapur: Nëse Kosova s’do të ketë sukses qytetarët do të shkojnë në Siri

  • 08 May 2019 - 12:15
O'Connell fol hapur: Nëse Kosova s’do të ketë sukses qytetarët do të shkojnë në Siri

Ambasadori britanik Ruari O’Connell, ka deklaruar se Kosova e ka kohën e fundit për të ndërmarrë veprime konkrete për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

O’Connell në një diskutim të hapur të organizuar nga Lëvizja FOL, theksoi se është në interesin e bashkësisë ndërkombëtare që Kosova të jetë funksionale dhe e suksesshme.

“Ne si bashkësi ndërkombëtare kemi investuar shumë. Ka qenë në interesin tonë për të pasur një shtet të suksesshëm, për të pasur strukturë shtetërore që mund të jenë partner të mirëfilltë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.

“Nëse Kosova nuk merr masa për luftimin e korrupsionit, le të themi për shpërlarje parash, atëherë kjo është një ftese për kriminelët që ta përdorin Kosovën. Kjo është e papranueshme. Nuk duhet që Kosova të bëhet strehimore e parasë kriminale”.

“20 vjet pas luftës kemi ardhur në një moment kur duhet të merren masa konkrete që ofrojnë rezultate. Ne jemi deklaruar si Mbretëri e Bashkuar disa herë për disa dukuri. Duhet të dëgjoni miqtë e Kosovës kur themi se ka ardhur koha për t’i rregulluar këto gjëra sepse s’kemi më durim. Kosova ka nevojë për mbështetjen ndërkombëtare. Nëse kjo humbet do të ishte një problem jetik për Kosovën”.

Ambasadori britanik gjithashtu foli për procesin e rekrutimit në Kosovë me ç’rast tha se meritokracia nuk është praktikë e punësimit në Kosovës.

“Ideja është që të punësohen në bazë të meritokracisë. Por punësimi në Kosovë nuk ndodhë në bazë të meritës. Punësimi bëhet për të rehatuar dikë prej partisë ose për ta instaluar dikë në një pozitë të ndjeshme, që duhet të jetë i pavarur, me qëllimin për ta përdorë atë për interesa te tyre”.

“Nëse politikanët kanë interes me e ndalu praktikën e kapjes së shtetit dhe të punësojnë njerëz në bazë të meritës, ne jemi këtu për t’ju mbështetur”.

Megjithatë, sipas tij ka raste ku ka pasur përmirësime, me ç’rast përmendi 47 procese të suksesshme rekrutimi përmes përdorimit të kompanive britanike për përzgjedhjen e kandidatëve si dhe vendimin e Qeverisë së Kosovës që procesi i rekrutimit për bordin e OSHP-së të jetë i hapur.

Duke kërkuar rezultate konkrete O’Connell porositi se nëse s’ka ndryshime “do të vijë dita kur do të detyrohemi të ndërmarrim një vendim të vështirë për përkrahjen tonë për Kosovën”.

“Nëse Kosova nuk do të ketë sukses, ne do të vuajmë gjithashtu. Nëse kanë fat, shkojnë në mënyre legale në Evropë, me aspak fat shkojnë ilegalisht. Ose më e keqja shkojnë në Siri. Për interesin e Britanisë dhe krejt Evropës është e papranueshme që Kosova të bëhet strehë e parave kriminale”, tha ambasadori.

Ai theksoi se Kosova ka njerëz të aftë, por se sipas tij politika nuk po i lejon të inkuadrohen në tregun e punës.

“Krejt e dimë çka është problemi, por kemi ardhë në momentin me marrë masa konkrete e me pasë rezultate. Ne si Britani kemi folur disa herë për disa dukuri, ku i kemi ofruar mundësi Qeverisë dhe Kuvendin me përdorë kompaninë britanike në procesin e rekrutimit. Kjo tregon që ku ka vullnet, në Kosovë nuk mungojnë njerëzit me aftësi”, tha O’Connell.

O’Connell në forumin “FOL Hapur” tha se Britania ka pasur interes që Kosova të jetë shumë funksionale dhe e suksesshme, por jo strehë e parave kriminale.

(Kosova Sot Online)