Haradinaj: Washingtoni, Berlini, Parisi e BE-ja gabojnë nëse e pranojnë kushtin e Serbisë për taksën

  • 08 May 2019 - 12:33
Haradinaj: Washingtoni, Berlini, Parisi e BE-ja gabojnë nëse e pranojnë kushtin e Serbisë për taksën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, teksa ka folur për vazhdimin e dialogut me Serbinë, ka thënë se Uashingtoni, Parisi, Berlini dhe BE-ja, gabojnë nëse e pranojnë kushtin e Serbisë për heqje të taksës ndaj produkteve serbe.

Këto deklarime kreu i qeverisë i ka bërë në tryezën e organizuar nga KDI, e ku është diskutuar për “ Dialogu Kosovë-Serbi pas takimit të Berlinit”.

“Është gabim pozicioni, edhe i Uashingtonit, edhe i evropianëve, edhe i Berlinit, edhe i Parisit, t’ia pranojnë kushtin Serbisë, heqjen e  tarifës, për të vazhduar dialogun”, ka thënë Haradinaj.

Ai ndër të tjera ka përmendur edhe faktin që në përvjetorin e masakrës së Mejës, i është dashur që të shkojë në Berlin e t’i ulet përballë presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiqit, për të dialoguar me të .

Haradinaj ka thënë se Kosova është për zgjidhje, dhe  për t’u marrë vesh, për një marrëveshje të paqes, por së pari duhet të dihet e vërteta, duke numëruar nja varg çështjesh dhe pengesash nga ana e Serbisë, në mos realizimin e marrëveshjeve të arritura, kryeministri theksoi se ka 20 vjet që Kosova humb rreth 50 milionë euro në vit në energji, që është rreth 1 miliard euro deri më tani për shkak të Serbisë, humben edhe miliona euro për shkak të hapësirës së lartë dhe të ulët, BE-ja humb mjete financiare sepse nuk po zbatohet IBM dhe lista është e gjatë.

Kryeministri  ka thënë se tashmë  janë fqinj tanimë, kosovarët dhe serbët, që do të jenë këtu gjithmonë për njëri-tjetrin.

“Dy fqinj mund të zgjedhin se a do të jetojnë në telashe apo paqe dhe e vërteta është që e kaluara është telashe, që nënkupton tragjedi, dhimbje, por a ka ndonjë brez që dëshiron ta ndërron këtë, ky është vendim i atyre që udhëheqin popullin në të dyja anët”, tha kryeministri Haradinaj, duke besuar se Kosova është e interesuar për paqe, për të kaluar në ardhmëri, duke mos harruar të kaluarën.

Serbia është duke e kushtëzauar vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës, ndërsa Haradinaj ka thënë se një vendim i tillë nuk merret pa e njohur Serbia pavarësinë e Kosovës.

(Kosova Sot Online)