Haradinaj: Dyshohet se Rama, Thaçi e Vuçiq diskutuan për ndarjen e Kosovës nën udhëheqjen e Mogherinit

  • 08 maj 2019 - 13:26
Haradinaj: Dyshohet se Rama, Thaçi e Vuçiq diskutuan për ndarjen e Kosovës nën udhëheqjen e Mogherinit

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi se ata që kanë thënë se përmes lëvizjes së kufijve mund të arrihet paqe, e kanë ditur se në atë mënyrë arrihet luftë dhe e kanë bërë qëllimisht.

Sipas tij, ekziston një dyshim i bazuar që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi,  kryeministri i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq kanë pasur diskutime lidhur me ndarjen e Kosovës.

Shefi i Qeverisë në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën “Dialogu Kosovë – Serbi pas Samitit të Berlinit, ka thënë se ekziston dyshimi i bazuar që diskutimin e Ramës, Thaçit dhe Vuçiqit e ka udhëhequr shefja për Politikë të Jashtme e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.

“Ne nuk kemi interes me hap Kosovën e 17 shkurtit, se këtë Kosovë të 17 shkurtit e ka mbyll Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Nuk ka popull në Ballkan që nuk e ka edhe një hartë tjetër, ne shqiptarët i kemi do harta qysh kishim pas qejf me i pas kufijtë, serbët i kanë do harta qysh kishim pas qejf me pa Ballkanin, por nuk është një popull në Ballkan nuk është një shtet që nuk ka harta. Ju siguroj që kushdo që thotë që përmes lëvizjes së kufijve ose ri-korrigjimit të kufijve arrihet paqe e di që arrihet lufta, arrihen tragjeditë, ata që propozojnë marrëveshje me kufij me qëllim po e bëjnë, me shti Ballkanin në jo stabilitet edhe për minimum dy dekada, ata nuk janë të pavetëdijshëm, ata njerëz nuk janë aq të padijshëm sa mos me ditë që po duan jo stabilitet”, tha ai.

Sipas kryeministrit të Kosovës, ata duhet t’i kërkojnë falje popujve të tyre dhe taksa paguesve të Bashkimit Evropian, që e kanë humbur një vit me një ide të tillë.

“Ekziston një dyshim i bazuar që zoti Vuqiq, zoti Thaçi dhe zoti Rama kanë pasur diskutime lidhur me ndarjen e Kosovës, ekziston ky dyshim i bazuar nuk mund ta konfirmoj, por ekziston ky dyshim i bazuar se kjo është bërë nën udhëheqjen e zonjës Mogherini, shpresoj që tani ata do t’i kërkojnë falje njëri-tjetrit për kohën që ia kanë humbur vetes dhe popujve të vet, edhe BE-së, taksa paguesve  të BE-së ja kanë humb mbi një vjet kohë dhe i kanë shkaktuar humbje investimit të BE-së për më shumë Evropë. Fatmirësisht që ndodhi marrëveshja Greqi – Maqedoni e Veriut, se ndryshe Evropa do të ishte shumë humbëse në investimin e vet, kjo ka mund të shkojë edhe më keq”, tha ai.

Haradinaj tha se nuk beson që procesi i Mogherinit do të zgjasë, duke përmendur këtu zgjedhjet në BE që pritet të mbahen në fund të muajit maj. Sipas tij, nuk duhet ndërhyrë në agjendën e atyre që do ta marrin pastaj përsipër këtë proces.

Ai sqaroi se nuk ka asgjë personale me ndërmjetësuesen e dialogut Kosovë-Serbi, veçse tha se e ka kundërshtuar në çështjen e kufijve pasi kjo temë lidhet me fatin e fëmijëve në Kosovë.

Për kufijtë në këtë tryezë ka folur edhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Jean Hubert Lebet, i cili tha se ndryshimi i tyre nuk është asnjëherë zgjidhje e problemeve.

“Ndryshimi i kufijve nuk funksionon, nuk ka funksionuar asnjëherë, nuk kemi ndonjë shembull në histori kur i prekni kufijtë që të zgjidhet diçka. Kështu që jemi të lumtur të shohim këtë takim (takimin e Berlinit) që nuk e ka mbështetur këtë. Nëse lëvizni kufijtë nuk zgjidhen të gjitha arsyet e konfliktit, kështu që duhet të punojmë në çështjet të cilat nuk janë zgjidhur dhe këtu në Ballkan nëse filloni t’i prekni kufijtë hyni në telashe, kështu që nuk është një ide e mirë dhe kjo pothuajse është shmangur edhe në takimin e Berlinit dhe shpresojmë që do të largohet përgjithmonë”, tha ai.

Tryeza e KDI-së erdhi pas përfundimit të Samitit të Berlinit që u mbajt në fund të muajit të kaluar, ku morën pjesë kryeministrat dhe presidentët e Ballkanit Perëndimor me ftesë të kancelares gjermane Angela Merkel dhe presidentit francez Emmanuel Macron.

(Kosova Sot Online)